Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot paradite në aktivitetin e titulluar "Konventa e Ushtarakur 2003". Në këtë aktivitet, ku i shin të pranishëm Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot paradite në aktivitetin e titulluar "Konventa e Ushtarakur 2003".
Në këtë aktivitet, ku i shin të pranishëm Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneralë dhe ushtarakë, ambasadorë dhe përfaqësues ushtarakë të vendeve aleate, Kryeministri Nano mbajti një fjalë përshëndetëse:
"E pranova me emocion dhe kënaqësi të veçantë ftesën për të marrë pjesë në Konventën tuaj të përvitshme, një asamble gjithëpërfshirëse e ushtarakëve të Forcave të Armatosura, që përbën vendin më të mirë në një shoqëri demokratike për të diskutuar dhe shkëmbyer sëbashku mendime dhe kontribute në interes të mbarëvajtjes së reformës në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Më lejoni t'ju garantoj që në fillim se e mbështes dhe e inkurajoj këtë formë kuvendimi që ju keni ndërmarrë, në një nga problematikat më themelore të fushës. E them këtë sepse kur bëhet një reformë duhet të dëgjohen të gjithë, të merren vendime sa më përfshirëse dhe përfaqësuese, që pastaj të zbatohen nga të gjithë. Ne jemi të ndërgjegjshëm që reformat, përfshi këtu edhe reformën e thellë në fushën e mbrojtjes, nga njëra anë synojnë progresin dhe transformimin pozitiv të mbarë vendit dhe institucioneve të tij, nga ana tjetër sjellin kosto të cilat duhet të absorbohen me pjekuri dhe atdhedashuri nga njerëzit, organizmat, infrastrukturat dhe financat. Me këtë këndvështrim gjykoj sa herë që të gjithë sëbashku, duhet të kemi në vëmendje të plotë edhe punimet e kësaj konvente, me debatin dhe rahjen e përgjegjshme të mendimeve t'u japim zgjidhjet më të mira të mundshme të gjithë elementëve përbërës që garantojnë vazhdimësinë e reformës, që provojnë progresin e dëshiruar dhe kurojnë me solidaritet pasojat apo lehtësojnë dhimbjet e implementimit të saj. Këtë gjë, natyrisht, është më e lehtë ta thuash se sa ta bësh. Por ky takim i ushtarakëve më të mirë të gjithë njësive të Forcave të Armatosura të vendit, këtu në Konventë, përbën rastin më të mirë për të thënë siç e ndjeni ju çfarë është bërë mirë dhe çfarë jo dhe si duhet të korrigjojmë shënjestrën e veprimeve tona.
Me këtë rast, shpreh bindjen e palëkundur të Kryeministrit dhe të Qeverisë se transformimi i Forcave të Armatosura në përputhje me mjedisin e ri të sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale, ose ajo që ne e quajmë reforma e mbrojtjes, ka patur progres të konsiderueshëm dhe të mbarëvlerësuar edhe nga opinioni publik e mbarë shoqëria shqiptare në harkun kohor të 12 muajve të fundit. Këtë e mbështes në vlerësimin se kjo reformë nuk është konceptuar dhe trajtuar si e shkëputur nga reformat e sektorëve të tjërë të jetës së vendit, por është integruar dhe vazhdon të trajtohet si pjesë e natyrshme e reformës në fushën e sigurisë kombëtare, efiktiviteti i këtij sistemi të sigurisë, i matur gjithashtu dhe i vlerësuar konkretisht me kontributin tuaj, të ushtarakëve, Forcave të Armatosura të institucioneve të mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, të cilat po prodhojnë për qytetarët, për shtetin dhe rajonin, më shumë garanci dhe liri.
Në këtë mënyrë, reforma në Ushtri që nga ristrukturimi piramidal deri tek integrimi në jetën civile i njerëzve patriotë dhe me aftësi profesionale të shquara që do të dalin nga radhët e saj, mbështetur në vertikalizimin e sistemit të pagave dhe stimulimit të merituar të kontributeve tuaja në këtë front prioritar të transformimit të atdheut, është dhe mbetet pjesë e reformimit të përgjithshëm të jetës së vendit, të cilin ne e kemi marrë përsipër dhe po e realizojmë me sukses dhe garanci sepse bashkëpunojmë dhe bëhemi gjithnjë e më ndërveprues me partnerët kryesorë euroatlantikë.
Askush nuk mund ta mohojë progresin cilësor në rritjen e aftësive operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilat kanë garantuar edhe rritjen e reputacionit të tyre në fusha të veprimeve aktive. Kontributri tuaj vitet e fundit për të lehtësuar jo vetëm pasojat e krizave të natyrës, por dhe ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme ku zhvillohet vendit, krahas pjesëmarrjes aktive në Brigadën Multinacionale të Europës Juglindore dhe vazhdimit të kontributeve në misione dhe operacione të suksesshme të mbështetjes së paqes si në Bosnje, Afganistan, së fundi në Irak, është i ndjeshëm dhe i admiruar nga të gjithë. Këto janë prova të drejtpërdrejta të shndërimeve që ka pësuar Shqipëria, që vetëm disa vjet pasi u asistua nga paqeruajtës të huaj për të rivendosur rendin, tani jep kontributin e vet në paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë. Unë ju konsideroj aleatë të fuqishëm në ushtrimin e rolit të Shqipërisë së re për sigurinë kolektive në rajon dhe për luftë kundër faktorëve që cënojnë sigurinë në shkallë ndërkombëtare.
Përfitoj nga rasti të përgëzoj të gjithë ushtarakët që kanë kontribuar direkt apo indirekt, që janë përfaqësuar me frymë përgjegjësie, përkushtimi dhe dinjiteti, si ambasadorë të Shqipërisë së re në misionet e mbështetjes së paqes jashtë vendit, apo në lehtësimin e pasojave të emergjencave natyrore brenda vendit dhe ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme kombëtare.
Më lejoni njëkohësisht të ndaj me ju edhe shqetësimet e përbashkëta për këtë reformë që në thelbin e vet është orientuar dhe po ekzekutohet drejt dhe me ritmin e duhur. Do të dëshiroja që në qendër të diskutimeve tuaja, gjatë dhe pas Konventës, të vlerësohet me seriozitet dhe përgjegjësi forma dhe përmbajtja më e mirë e transformimit të këtij elementi bazë të fuqisë së shtetit shqiptar. Më lejoni të shpreh përkrahjen pa asnjë rezervë për këtë frymë të transformimit të Forcave të Armatosura. Unë mbështes progresin e bërë dhe inkurajoj fuqimisht konsolidimin e mëtejshëm të njësive të tilla që e kanë treguar veten si Regjimenti Komando, Brigada e Reagimit të Shpejtë, Brigada e Xhenjos apo ajo e Stërvitjes Bazë e ndonjë tjetër, që sot në sytë e të gjithëve paraqiten të afta të kryejnë misione të vështira me efikasitet të shkëlqyer, me kosto relativisht të ulët dhe disiplinë të admirueshme edhe për të tjetër. Kjo është reformë, të zhvillosh një forcë operacionale të gatshme për misione reale brenda apo jashtë vendit.
Gjykoj se krahas njësive të mësipërme vëmendje akoma më të madhe duhet t'i kushtoni proçesit të reformave dhe konsolidimit me prioritet të njësive apo shërbimeve me misione kundër terrorizmit, apo për lehtësimin apo eleminimin të pasojave të mundshme të tij. Do të rreshtoja këtu vlerësimin më të veçantë për forcat speciale, ato të zbulimit, të komunikimit dhe ato të specializuara për mbrojtjen e popullsisë apo eleminimin e pasojave të armëve të dëmtimit në masë.
Më lejoni gjithashtu të shpreh vlerësimin tim të qartë dhe të sigurt, se sot për ne do të ishte luks të mbanim Forca të Armatosura me konceptin si përdoreshin më parë: vetëm për një ditë të keqe apo thjesht për traditë. Nga informacionet që kam, reforma në një vizion të tillë transformues po zhvillojnë të gjitha vendet e NATO-s, si dhe ato aspirante për partnere. Të gjithë jeni në dijeni se, në 2 maj të këtij viti, një mundësi më shumë bashkëpunimi iu shtua Shqipërisë dhe rajonit tonë, që është Karta e Partneritetit Adriatik 3 midis Shqipërisë, Maqedonisë e Kroacisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ne pra, të nderuar përfaqësues të Forcave të Armatosura, po bëhemi çdo ditë e më bashkëveprues për sigurinë kombëtare, kolektive dhe triumfin e lirisë kudo në Botë. Jam i sigurt që këto çështje që ngrita ju i keni bërë tashmë pjesë së punës dhe detyrës suaj. Jam i mirëinformuar se ju përballeni me to dhe vazhdoni të punoni me synimin e gjetjes së zgjidhjeve më të shpejta dhje të pranueshme. Ajo që dëshiroj të rekomandoj në këtë Konventë është që reformat shumëplanëshe që po bëjmë të drejtohen nga njerëz me vizion, që shpalosin përveç kulturës perëndimore të integrimit edhe vlerat si njerëz të aksionit konkret dhe zhvillimit në dobi të atdheut.
Të nderuar ushtarakë, ashtu si me të drejtë konkluduat në Konventën tuaj të vitit të kaluar, Shqipëria tashmë i ka hyrë në mënyrë të sigurt dhe të pakthyeshme rrugës së menaxhimit të një reforme në mbrojtje që synon zhvillimin e një forcë më të vogël ushtarake, por me theks të lartë profesionist dhe ndërvepruese me ushtritë e vendeve të NATO-s. Ne synojmë të zhvillojmë një Forcë të Armatosur që të mos mbyllet nëpër kazerma dhe të qëndrojë në pritje, por presim që të zhvillohen kapacitete të tilla që të jenë sa më aktive, të përdorshme dhe të dobishme në kohë paqeje. Ne kërkojmë një Forcë të Armatosur që ta gjejë veten dhe të angazhohet në misione në të gjitha situatat e sigurisë, si në kohë paqeje, krize apo konflikti brenda dhe jashtë vendit, me kapacitet të plotë në aftësitë operacionale, mbështetur thellësisht në Kushtetutën e Republikës sonë demokratike dhe në mandatet e organizmave ndërkombëtarë të sigurisë, ku ne aderojmë apo synojmë një gjë të tillë, duke u bërë gjithnjë e më të pranuar. Ky është dhe duhet të mbetet fokusi apo thelbi i reformës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Reforma në Sistemin e Sigurisë dhe të Mbrojtjes imponohen ndjeshëm edhe nga proçeset e tjera integruese në strukturat kolektive europiane dhe euro-atlantike, sidomos në Bashkimin Europian dhe në NATO. Shqipëria ka përcaktuar si objektiv strategjik të saj integrimin në struktura politike, në tregjet europiane dhe në institucionet e sigurisë euroatlantike e më gjerë. Duhet ta mbajmë mirë në konsideratë se përderisa synohet integrim në strukturat kolektive sistemi i sigurisë dhe i mbrojtjes sonë kombëtare duhet t'u përshtatet organizimit dhe funksionimit të tyre. E theksoj, tani kërkohet më shumë se kurrë që në strukturat e integrimit të të gjitha niveleve të përzgjidhen njerëz të aftë, seriozë dhe të përkushtuar.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë do të vazhdojë të mbështesë pa hezitim ristrukturimin e Forcave të Armatosura mbi bazën e Planit të Implementimit Afatgjatë 2002-2010. Unë vlerësoj se ky plan mbështetet mbi një përqasje realiste dhe të orientuar drejt dhe bindshëm. Nga ana tjetër, mbështetja e gjerë publike dhe politike krahas partneritetit me vendet e Aleancës Euro-Atlantike është një pikë e fortë që garanton suksesin e këtij plani afatgjatë. Me këtë rast, më lejoni të shpreh edhe në emrin tuaj falenderimet për Qeverinë e SHBA-së, që asiston nga afër reformën tonë të mbrojtjes dhe të sigurisë, si dhe të gjitha vendet e tjera aleate, aspirante dhe partnere, në mënyrë të veçantë Italinë, Turqinë, Greqinë, Gjermaninë, Bretërinë e Bashkuar, Zvicrën, Danimarkën, Hollandën, etj., që mbështesin me projekte të rëndësishme reformën tonë të integrimit.
I uroj punë të mbarë punimeve të Konventës suaj!"