Kryeministri Fatos Nano mori pjesë, sot paradite, në ceremoninë e përurimit të përfundimit të punimeve të segmentit rrugor Orikum-Llogara, një aks i rëndësishëm turistik që lidh dy qytete
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë, sot paradite, në ceremoninë e përurimit të përfundimit të punimeve të segmentit rrugor Orikum-Llogara, një aks i rëndësishëm turistik që lidh dy qytetet bregdetare të Vlorës dhe Sarandës dhe të fillimit të rikonstruksionit të segmentit Vlorë-Orikum. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm anëtarë të kabinetit qeveritar, prefekti i Qarkut të Vlorës, deputetë dhe banorë të zonës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Nano tha se infrastruktura është një prioritet i qeverisë shqiptare, veçanërisht rrugët turistike që shpejtojnë zhvilllimin dhe u japin mundësi njerëzve të punojnë e fitojnë më shumë. Të gjitha këto janë në zemër të synimit tonë të zhvillimit.
Rikonstruksioni i segmenit Orikum-Llogara nisi vitin e kaluar dhe punimet përfunduan në gjysmën e afatit të parashikuar. Kjo, tha Kryeministri Nano, është një punë e mirë që bëmë dhe jemi të vendosur ta ndërtojmë Shqipërinë, ta bëjmë atë me rrugë të standarteve europiane dhe ta integrojmë në botën moderne që na rrethon. Ky aks, sipas z.Nano, është i rëndësishëm jo vetem se lidh Vlorën me Sarandën, por edhe si pjesë e korridorit Veri Jug, që lidh Adriatikun me Jonin, jugun e Europës me zemrën e saj.
Në vitin 2001 u investuan 345 milion lekë për pjesën Llogara-Ura e Palasës me gjatësi 15.5 km. Vitin e kaluar nisën punimet për segmentin rrugor Orikum-Llogara, me gjatësi 14.5 km, që kushtoi 435 milion lekë. Dje, qeveria shqiptare akordoi edhe 250 milion lekë të tjera për të sistemuar në mënyrë përfundimtare Rrëshqitjen në Dukat. I gjithë segmenti prej 35 km kushtoi 1 miliard lekë investime dhe është i parametrave europianë.
Qeveria jonë, - theksoi z.Nano, - po punon me ritme të shpejta duke filluar nga projektet deri tek vendimet e guximshme, që u hapin rrugë këtyre projekteve dhe përdorimit të drejtë të parave të taksapaguesve shqiptarë. Ne kemi përfunduar edhe projektin e rrugës Vlorë-Orikum me gjatësi 12.5 km dhe që kushton 1 miliard lekë dhe do të përfundojë vitin e ardhshëm. Prandaj sot isha në dy mendje, të inaguroja njërën apo të dyja.
Gjithashtu, tha z.Nano, ka përfunduar edhe projekti për segmentin Ura e Palasës-Qeparo dhe Qeparo-Llogara me gjatësi 75 km, një investim prej 6 miliard lekë ose 60 milion dollarë. I gjithë aksi do të përfundojë në vitin 2008, duke e lidhur përfundimisht bregdetin turistik të Vlorës me Dhërmiun. Qarku i Vlorës, theksoi Kryeministri, ka rëndësi të madhe për rritjen ekonomike të vendit. Qeveria, shtoi Kryeministri, vendosi një ditë më parë të financojë me 100 milion lekë edhe rrugën e Kuçit, e cila është e rëndësishme për zhvillimin e kësaj zone.