E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano priti sot në mesditë në një takim Shefin e Misionit të FMN për Shqipërinë Julio Escolano, i cili shoqërohej nga z. Jan Peter Olters përfaqësues i përhershëm i FMN-

Kryeministri Fatos Nano priti sot në mesditë në një takim Shefin e Misionit të FMN për Shqipërinë Julio Escolano, i cili shoqërohej nga z. Jan Peter Olters përfaqësues i përhershëm i FMN-së në Tiranë.

Ky takim u përqendrua në diskutimin mbi kuadrin e plotë të zhvillimeve ekonomike në vendin tonë. Zoti Escolano bëri prezente vlerësimet pozitive të Bordit të FMN për progresin e deritanishëm të Shqipërisë në ruajtjen e parametrave ekonomik të vendit në funksion të një zhvillimi ekonomik afatagjatë dhe të qëndrueshëm.

Kryeministri Fatos Nano shprehu vullnetin politik të Qeverisë Shqiptare në garantimin e vazhdimit të bashkëpunimit të frytshëm me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe asistencën që ky organizëm ofron në thellimin e reformave të ndërrmarra nga qeveria. Me këtë rast Kryeministri Nano përshëndeti vlerësimet e fundit mjaft pozitive të Bordit të FMN për progresin e bërë nga ana e Shqipërisë gjatë vitit të fundit.

"Ne jemi të vendosur të vazhdojmë procesin e reformave në dogana dhe administratën tatimore dhe vlerësojmë mbështetjen tuaj në thellimin e këtyre reformave, që ndihmojnë në konsolidimin dhe shndërrimin e këtyre dy administratave në institucione sa më kredibël dhe më performuese"-tha Kryeministri, duke shtuar se – reformat e ndërrmara në këtë drejtim kanë për qëllim të reduktojnë ekonominë informale dhe atë Kesh dhe të zgjerojnë bazën e taksueshmërisë, në funksion të ruajtjes dhe sigurimit të një zhvillimi të qëndrueshëm edhe për të ardhmen".

Zoti Nano theksoi se për sa i përket vitit 2004, performanca fiskale pas shumë përpjekjesh dhe reformash të përbashkëta ka hyrë tashmë në një fazë të re me përmirësim të dukshëm. "Ky realitet më bën të besoj se performanca në këtë sektor do të vazhdojë të nxitet edhe në vitet që pasojnë. Ne do të vazhdojmë me forcë të kërkojmë më shumë masa nxitëse që luftojnë dhe dënojnë korrupsionin mes radhëve të administratës fiskale", tha zoti Nano –duke shtuar se – si sfidë për 2005 ne konsiderojmë rritjen e shkallës së disbursimeve për financimet e huaja dhe grantet duke i paraprirë me projekte dhe programe të qarta dhe të studiuara mirë".

Bashkëbiseduesit kanë ndarë të njëjtin opinion se po ecet përpara me objektivat ambiciozë dhe realistë që gjenden përballë administratës shqiptare, objektiva këto që do ta lejojnë Shqipërinë të përshpejtojë procesin e integrimit të saj në Bashkimin Europian, që sigurojnë gjenerim të zhvillimit dhe, përmes angazhimit dhe vendosmërisë në këtë rrugë do të sigurohen më shumë politika buxhetore zhvilluese. "Unë jam i sigurtë se ne do të vazhdojmë të ndjekim këtë linjë bashkëpunimi edhe në të ardhmen",tha Kryeministri Nano.

Nga ana e tij Zoti Eskolano vlerësoi përpjekjet dhe angazhimin e ndërrmarrë nga Qeveria Shqiptare për eleminimin e ekonomisë informale asaj Kesh dhe fillimin e aplikimit të metodave bashkëkohore si ajo e realizimit të pagesave përmes sistemit bankar. Gjithashtu, Shefi i Misionit të FMN për Shqipërinë garantoi mbështetjen dhe asistencën e këtij organizmi në ecurinë e reformave ekonomike në vendin tonë si dhe përgëzoi Qeverinë Shqiptare për privatizimin shumë të suksesshëm të Bankës së Kursimeve duke u shprehur se ky është një shembull shumë i mirë edhe për privatizimet e tjera për të cilat po përgatiteni.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›