Kryeministri Fatos Nano mori pjesë, sot paradite, në përurimin e Uzinës sëÇelikut dhe Petëzimit nga Kompania "Kurum" në Elbasan. Në këtë ceremoni përurimi merrte pjesë edhe Kryeminis
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë, sot paradite, në përurimin e Uzinës sëÇelikut dhe Petëzimit nga Kompania "Kurum" në Elbasan. Në këtë ceremoni përurimi merrte pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, ndërkohë që kjo kompani do të shtrijë aktivitetin e saj edhe në Kosovë.
Kryeministri Nano shoqërohej nga ministri i Industrisë dhe Energjitikës, Viktor Doda, ministri i Transportit dhe Telekomunikacioneve, Spartak Poçi, ministri i Ekonomisë, Arben Malaj, ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, ministrja e Punës dheÇështjeve Sociale, Valentina Leskaj, Presidenti i Kompanisë "Kurum", Hasmet Kurum, drejtues të pushtetit vendor, deputetë, etj.
Në këtë ceremoni përurimi ishin të pranishëm edhe Ambasadori turk në Tiranë, Murat Oguz, Ambasadori grek në Tiranë, Dimitris Iliopoulos, ministri i Ekonomisë së Malit të Zi, etj.
Kryeministri Nano ka vizituar mjediset e Uzinës së re që u përurua sot. Z. Nano mbajti në fjalim në ceremoninë e përurimit.
"Të nderuar pjesëmarrës,
Sot po inaugurojmë një investim të ri mjaft të rëndësishëm dhe me vlerë për biznesin privat. Prodhimi i çelikut, i cili u ndërpre për disa vjet tashmë është ringjallur në sajë të investimit serioz të shoqërisë KURUM, që po e çon atë drejt niveleve të cilësisë ndërkombëtare. Më shumë se 6 milionë dollarë të investuar këtu, duke e trefishuar apo katërfishuar prodhimin e çeliqeve, shoqëruar me punësimin e rreth 500 punonjësve dhe zotërimin e 30% të tregut të brendshëm, janë një dëshmi e qartë e progresit të sektorit privat dhe rritjes së kontributit të tij në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë si edhe rritjes së aftësive kompetitive të ekonomisë shqiptare në tregjet rajonale dhe globale.
Në këtë kuadër, marrëveshjet e Tregtisë së Lirë me vendet e rajonit, hapat që po bëjmë në kuadrin e Integrimit Rajonal dhe atij Europian, kanë krijuar dhe do të krijojnë të tjera mekanizma ligjorë dhe ekzekutivë në ndihmë të përmirësimit të infrastrukturës dhe lehtësirave të sipërmarrjes private, e cila në këto kushte i duhet të përballojë dhe sfidën e konkurencës perëndimore. Jam i bindur se edhe pse akoma në sasi të vogla çeliku "Made in Albania" shumë shpejt do të konkurojë në tregjet e vendeve fqinje. Kjo do të thotë më shumë valutë edhe për ekonominë e vendit.
Pikërisht kjo sfidë e vështirë duket se ka zënë vend edhe në psikologjinë e stafit menaxhues të kësaj shoqërie tashmë të respektuar për ekonominë shqiptare, e cila me përkushtim dhe iniciativë, me profesionalizëm dhe futjen e koncepteve dhe teknologjive të reja bashkëkohore po rrit çdo ditë nivelin e kësaj sipërmarrje private.
Vendosmëria e Qeverisë që unë drejtoj për arritjen e standarteve të Bashkimit Europian të një ekonomie funksionale tregu tashmë i ka hapur rrugën plotësisht inisiativave të sipërmarrjes private, e cila kërkon çdo ditë edhe mbështetjen dhe angazhimin e shtetit. Ne jemi të ndërgjegjeshëm se duke e trajtuar privatin si partner dhe anasjelltas privati shtetin do të arrijmë të fuqizojmë ekonominë dhe mbarë shoqërinë.
Lidhja reciproke e sipërmarrësit me shtetin dhe veprimtaria që shteti duhet të bëjë në mbëshetje dhe në mbrojtje të sipërmarrësit e trupëzon këtë realitet të ri në marrëdhënien mes tyre. Programi i qeverisë për nxitjen dhe mbështetjen e biznesit tashmë është një realitet i prekshëm. Paketa fiskale që kemi miratuar ka krijuar marrëdhënie më të mira me taksapaguesit duke shëndoshur njëkohësisht financat e shtetit dhe marrëdhëniet e tij me biznesin. Zbatimi i kësaj pakete është pjesë e një proçesi të vazhdueshëm të reformes fiskale që synon eliminimin e informalitetit dhe krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës në treg për të gjithë operatorët dhe të gjithë llojet e produkteve.
Ne i njohim dhe po punojmë të formalizojmë mundësitë e mëdha investuese që ka sot shoqëria jone. Në mbështetje të rrugëve legale që ekzistojnë dhe po pasurohen si rezultat i angazhimit të Qeverisë, duhet ndryshuar mentaliteti i sipërmarrësve si për kërkimin, ashtu dhe për zbatimin e më shumë lehtësirave, thjeshtimin e proçedurave në dhënien e liçencave dhe lejeve për ushtrimin e veprimtarive private.
Në bashkëpunim me sipërmarrjen private, e cila tashmë është pjesë e proçeseve të vendimmarrjes për hartimin e politikave nxitëse, ne synojmë zhvillimin e mëtejshëm të sipërmarrjes së lirë, inkurajimin e bizneseve ekzistuese, krijimin e një sistemi lehtësues financiar, rritjen e sigurisë për investimet e huaja private dhe direkte si edhe nxitjes dhe ekuilibrimit të eksporteve me importet. Inaugurimi i sotëm i KURUM konkretizon mjaft nga këto synime.
Investimet e deritanishme të KURUM që kapin shifrën 25 milionë dollarë, pjesë e të cilave është dhe ky inugurim që po bëjmë sot këtu ne në Uzinën eÇelikut dhe të Petëzimit vërteton edhe një herë suksesin e privatizimit që kemi bërë duke u shndërruar në një referencë të shkëlqyer të kapaciteteve profesionale dhe grupit menaxhues. Kjo referencë e proçesit të privatizimit paraqet njëkohësisht vlerën e shtuar që sjellin sipërmarrës me eksperiencë dhe të mirëpritur si "KURUM" në Shqipëri. Kontratat e reja konçesionare që ata po negociojnë tashmë si ajo për Fabrikën e Oksigjenit apo inisiativa për ndërtimin e një Termoçentrali, në po këtë territor ku jemi sot, tregojnë jo vetëm vendosmërinë e investitorit por edhe klimën e re të krijuar për sipërmarrjen në Shqipëri.
Më lejoni në këtë rast ta përgëzoj iniciativën e Shoqërisë "KURUM" për zgjerimin e biznesit të saj në Shqipëri dhe së bashku me urimin për suksese të reja në tregun shqiptar, atë rajonal dhe më gjerë, të shpreh edhe angazhimin e qeverisë në mbështetje të plotë të biznesit të huaj dhe vendas.
Punë të mbarë dhe suksese!"