Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë në ceremoninë e 75- vjetorit të krijimit të Gardës së Republikës. Kryeministri i shoqëruar nga Ministri i Rendit Publik Luan Rama dhe Komandanti i G
Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë në ceremoninë e 75- vjetorit të krijimit të Gardës së Republikës. Kryeministri i shoqëruar nga Ministri i Rendit Publik Luan Rama dhe Komandanti i Gardës së Republikës ArbenÇuko ndoqën stërvitjen e efektivave të Gardës së Republikës. Në këtë ceremoni Kryeministri Fatos Nano përshëndeti këtë përvjetor me një fjalë:
"Të dashur gardistë të të gjithë brezave!
75 – vjetori i Gardës së Republikës që na ka mbledhur të gjithëve sot nuk është thjeshtë një datë historike në morinë e shumë të tillave që përbëjnë në referenca kuptimplota të vetëdijes tonë shtetbërëse. Ajo është domethënëse për vizionin që shpreh, është e vecantë për të gjithë ata që lidhën jetën e tyre vit pas viti me këtë shërbim të rëndësishëm, është emblematike për përmasat e sakrificave dhe të ndjenjës së përgjegjësisë ndaj detyrës. Prandaj, unë gjej rastin t'ju uroj e përshëndes të gjithëve në festën e bukur të Gardës së Republikës.
Që prej lashtësisë e deri në ditët tona, cdo lloj organizimi para apo pas shtetëror, sado embrional të ketë qënë, ka patur Gardën e vet. Që nga Garda pretoriane deri në shërbimet e sotme ligjore, moderne e të sofistikuara të mbrojtjes së institucioneve të rëndësishme apo të personaliteteve të larta shtetërore të vendit dhe të huaja, është një histori, një eksperiencë më vete, është një kulturë profesionale e kultivuar dhe përcjellë në breza dhe që vjen edhe sot në 75-vjetorin e Gardës tonë të Republikës si një pasuri e vyer.
Institucionet nuk janë thjesht një kompleks kuadri legjislativ e organizativ. Ato votohen nga qytetarët, të cilët përmes zgjedhjes së tyre prokurojnë individë të niveleve të ndryshme të pushtetit për t'i drejtuar këto institucione dhe për t'u qeverisur. Në këtë aspekt Garda, duke mbrojtur dhe duke siguruar ecurinë normale të veprimtarisë së institucioneve, gjen misherimin e vet në sendertimin e vullnetit mbarëpopullor për të jetuar në një shtet të organizuar, në shërbim të të gjithëve pa përjashtim, të pozitës dhe opozitës, të qytetarëve që qeverisën nga institucione që drejtohen nga të zgjedhurit e tyre.
Nëse për një imazh semplist Garda dhe Gardistët deri pak kohe më parë janë parë si njerëz që ruajnë me kallashnikov, në dimër e verë, në borë dhe në vapë, që hapin dhe mbyllin dyert e automjeteve, që sigurojnë jashtë e brenda personalitetet, ne kemi krijuar së bashku tashmë një realitet krejt tjetër, duke hedhur bazat e një Garde – Institucion ligjor me mision shumë më të gjerë e bashkëkohor.
Me profesionalizmin, vetëmohimin dhe përkushtimin tuaj, ju krijoni mjedisin e nevojshëm, që të gjithë përfaqësuesit e institucioneve kushtetuese ta kryejnë sovranisht, lirisht dhe pa asnjë pengesë misionin dhe detyrën e tyre.
Ne, të gjithë, jemi të ndërgjegjshëm, për mundimin dhe sakrificat tuaja, jo thjesht për mbrojtjen fizike të institucioneve dhe të personaliteteve, por edhe për përkushtimin dhe modestinë tuaj njerëzore të rolit që kryeni. Këtu gjej rastin t'ju uroj dhe falenderoj veçanërisht për punën e shkëlqyer që keni bërë gjatë vizitave që miq të shquar kanë bërë në vendin tonë gjatë muajve të fundit.
Qeveria që unë drejtoj, është e vendosur t'u japë gjithë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme që shërbimi juaj të jetë sa më modern, efikas dhe demokratik. Në zbatim të këtij vullneti Garda ka tashmë Ligjin e vet të ri, bashkëkohor që krijon më në fund kushtin bazë për të inicuar një proces tërësor reformimi e shndërrimesh cilësore të guximshme për të krijuar edhe me Gardën e Republikës një shërbim ligjor profesional e bashkëkohor.
Duke qënë i bindur se ju do të dini të ngriheni në lartësitë e përgjegjësive që kërkojnë sfidat e rritjes, më lejoni edhe një herë t'ju uroj gëzuar festën e dalshi faqebardhë."