Sot, paradite, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua mbledhja e Komitetit Ndërministror të Integrimit. Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri Nano theksoi rëndësinë e zhvill
Sot, paradite, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua mbledhja e Komitetit Ndërministror të Integrimit. Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri Nano theksoi rëndësinë e zhvillimit të kësaj mbledhjeje, një ditë pas përfundimit të Samitit të Selanikut. Temë e kësaj mbledhjeje ishin çështjet që do të trajtohen në takimin 6-të të Grupit të Përbashkët Konsultativ Shqipëri-BE, krahas Raundit të Dytë Politik të Negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit, kësaj rradhe në Bruksel.
Takimi i 6-të i Task Force Shqipëri - BE do të përqëndrohet në çështje të rëndësishme si funksionimi i institucioneve demokratike dhe i shoqërisë civile, përgatitjet për zgjedhjet lokale 2003, sigurimi dhe ruajtja e të drejtave të njeriut nga organet e shtetit ligjor apo të rendit publik, sigurimi i lirisë së të shprehurit dhe median, të drejtat e pronësisë, përfshirë çështjen e pronësisë së tokës, si dhe të drejtat e minoriteteve.
Në fjalën e tij, Kryeministri vlerësoi se, "veprimet tona te programuara janë të plota dhe na japin mundesinë e një zhvillimi normal të negociatave të këtij raundi". Gjatë raundit të dytë politik të negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit Shqipëri-BE do të negociohet mbi nenet e draft-Marrëveshjes që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe çështjet e brendshme. Kjo pjesë e Marrëveshjes ka të bëjë me forcimin dhe respektimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve të tij nëpërmjet sigurimit të zbatimit të ligjit, bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit nëpërmjet shkëmbimit të informacionit, eksperiencës, si dhe mjeteve dhe metodave të luftës kundër terrorizmit, bashkëpunimit ndërkombëtar për të parandaluar dhe luftuar pastrimin e parave nëpërmjet përdorimit të mekanizmave dhe standarteve të përshtatshme, si dhe bashkëpunimit për parandalimin dhe luftën kundër trafikut të drogës, i cili synon krijimin e një kuadri të përbashkët bashkëpunimi në përputhje me strategjitë e BE-së. Këto përbëjnë edhe elementët thelbësorë në bashkëpunimin me BE-në, në fushën e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme.
"Mbledhja e sotme e Komitetit Ndërministror të Integrimit,- tha Kryeministri, do të na shërbejë për të bërë një vlerësim tonin të arritjeve dhe hapat që duhen ndërrmarë në këtë drejtim të përmirësimit të performancës së institucioneve demokratike; të respektimit të Kushtetutes dhe standarteve ndërkombëtare, sidomos në funksionimin e institucioneve kushtetuese, të marrëdhënieve me shoqërinë civile, forcimit të kapaciteteve të gjyqësorit dhe zhvillimit të medias së lirë".
Ministrat pjesmarrës e siguruan Kryeministrin se janë përmbushur të gjithë objektivat e vëna në drejtim të plotësimit të standarteve të kërkuara. Më tej, Kryeministri tha se, "është mëse e qartë se dialogu politik me BE-në po prek çështje që kërkojnë përveç angazhimit të ekzekutivit, nje bashkëveprim të rolit dhe përgjegjësive të të gjithë institucioneve të shtetit për të arritur parametrat e kerkuara për funksionimin e një shteti demokratik".
Kryeministri Nano kërkoi që, "kapacitetet tona në negociata t'i përgjigjen me korrektësi dhe profesionalizëm këtij mandati të zgjeruar de-facto mbi bazën e informacioneve të mbledhura tashmë nga këto institucione".
Në vijim, diskutimi i ministrave pjesmarrës u përqëndrua në angazhimet prioritare të Qeverisë në:
- Miratimin e ligjit për Mbrojtjen e Dëshmitarit
- Miratimin e paketës së re legjislative për luftën ndaj pastrimit të parave, së bashku me ndryshimet në Kodin Penal.
- Përfundimi dhe miratimi i programit kombëtar per azilin
- Aplikimi i sistemit të para-kontrollit në pikat e kalimit kufitar, dhe përfundimi i Strategjisë Kombëtare për Migracionin në afatet e vendosura në negociatat e zhvilluara në CTF e mëparshme.
- Përfshirja e administratës doganore në ligjin për Shërbimin Civil. Kryeministri theksoi se, "është e rëndësishme që fusha e zbatimit të ligjit të Statusit të Nëpunësit Civil të shtrihet edhe në administratën tatimore". Lidhur me këtë çështje Kryeministri Nano shtroi domosdoshmërinë e ndryshimeve ligjore për arritjen e këtij objektivi.