Samiti BE – Ballkani Perëndimor, që u zhvillua në Selanik të Greqisë mbylli punimet.Në përfundim të këtij Samiti, krerët e Shteteve pjesëmarrës në këtë Samit nënshkruan një deklarat

Samiti BE – Ballkani Perëndimor, që u zhvillua në Selanik të Greqisë mbylli punimet.Në përfundim të këtij Samiti, krerët e Shteteve pjesëmarrës në këtë Samit nënshkruan një deklaratë të përbashkët:
Ne, Krerët e Shteteve ose të Qeverive të Shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, shtetet e pranuara dhe kandidate, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Ish Republika Federale e Maqedonisë, Serbia dhe Mali i Zi, si kandidate potenciale, dhe Presidenti i Komisionit Evropian, në prani të Presidentit të Parlamentit Evropian, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit/Përfaqësuesit të Lartë, Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve Bashkuara në Kosovë, Koordinatorit të Posaçëm të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore dhe Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjë-Hercegovinë, u takuam në Selanik dhe ramë dakord sot për sa më poshtë:
1. Ne të tërë ndajmë vlerat e demokracisë, shtetit ligjor, respektimit të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, solidaritetit dhe ekonomisë së tregut, në dijeni të plotë se ato përbëjnë themelet e Bashkimit Evropian. Respektimi i të drejtës ndërkombëtare, paprekshmëria e kufinjve ndërkombëtarë, zgjidhja paqësore e konflikteve dhe bashkëpunimi rajonal janë parime të rëndësisë më të lartë, të cilave ne të tërë u jemi përkushtuar. Ne dënojmë fuqimisht ekstremizmin, terrorizmin dhe dhunën, qofshin ato të motivuara etnikisht, politikisht apo kriminalisht.
2. BE-ja thekson përkrahjen e saj të qartë ndaj perspektivës Evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. E ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Evropian. Zgjerimi i vazhdueshëm dhe nënshkrimi i Traktatit të Athinës, në prill 2003, frymëzoi dhe nxiti vendet e Ballkanit Perëndimor për të ndjekur të njëjtën rrugë të suksesshme. Tashmë, sfida e madhe që kemi përpara është përgatitja për integrim në strukturat Evropiane dhe anëtarësimi përfundimtar në Bashkimin Evropian, nëpërmjet miratimit të standardeve Evropiane. Shpejtësia e lëvizjes përpara ndodhet në duart e vendeve të rajonit.
Vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë plotësisht objektivat e bashkimit ekonomik dhe politik dhe presin me padurim bashkimin në një BE që është më e fuqishme në ndjekjen e objektivave thelbësore dhe më e pranishme në botë.
3. Miratimi dje, nga Këshilli i Evropës, i "Axhendës së Selanikut për Ballkanin Perëndimor: Lëvizja drejt Integrimit Evropian", përfaqëson një hap të ri të rëndësishëm në marrëdhëniet e privilegjuara midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Përmbajtja e saj do të konsiderohet si axhenda jonë e përbashkët, dhe ne të tërë do t'i përkushtohemi zbatimit të saj. Vendet e Ballkanit Perëndimor do të përqëndrojnë përpjekjet e tyre në përmbushjen e rekomandimeve, të cilave i referohet axhenda.
4. Ne njohim se Procesi i Stabilizimit dhe Asociimit (SAP) do të mbetet kuadri i drejtimit Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, deri në një anëtarësim të ardhshëm. Procesi dhe perspektivat që ofron procesi, shërbejnë si spirancë për reformën në Ballkanin Perëndimor, ashtu sic ka ndodhur edhe me vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore. Progresi i secilit vend drejt BE-së, varet nga meritat e tij në përmbushjen e kritereve dhe kushteve të Kopenhagës vendosur për procesin e SAP dhe konfirmuar në deklaratën përfundimtare të Samitit të Zagrebit, nëntor 2000. Vendet e Ballkanit Perëndimor vlerësojnë së tepërmi mekanizmin e raportit vjetor të SAP-it, bazuar mbi raportet e Komisionit, dhe përkushtohen të zbatojnë rekomandimet e tij.
Vendet e Ballkanit Perëndimor mirëpresin vendimet e BE-së për të përforcuar politikën e Stabilizimit dhe Asociimit në rajon dhe ta pasurojnë atë me elementë nga përvoja e zgjerimit. Ata mirëpresin në mënyrë të vecantë fillimin e Partneriteteve Evropiane, si dhe vendimet për rritjen e bashkëpunimit në fushat e dialogut politik dhe Politikës së Përbashkët të Jashtme e të Sigurimit, bashkëpunimin Evropian, përkrahjen për ndërtimin e institucioneve dhe hapjen e programeve të Komunitetit.
5. Ne përkrahim zbatimin e plotë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me Kosovën dhe politikën e UNMIK-ut të "standardeve para statusit"; ne qëndrojmë të përkushtuar ndaj marrëveshjeve të Dejton/Parisit dhe nxisim zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit dhe Beogradit. Vendet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor përkrahin plotësisht Gjykatën Kriminale Ndërkombëtare, duke kujtuar vendimet përkatëse të BE-së. Vendet e Ballkanit Perëndimor premtojnë bashkëpunim të plotë e të qartë me Gjykatën Kriminale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë. Puna e saj, në të gjitha cështjet e hapura, përfshirë edhe transferimin në Hagë të të gjithë të akuzuarve, duhet të lejohet të ecë përpara pa vonesa. Dhënia e drejtësisë për krimet e luftës është një domosdoshmëri ligjore, politike e morale, ku të gjithë ne jemi të angazhuar.
Kthimi I vazhdueshëm I refugjatëve dhe të shpërngulurve është kritike për ripajtime etnike dhe një tregues I një pjekurie demokratike; ajo është ndër prioritetet më të mëdha të axhendës sonë. Ne theksojmë rolin e arsimit dhe kulturës në nxitjen e tolerancës, sigurimin e bashkëjetesës etnike dhe fetare dhe ndërtimit të shoqërive demokratike moderne.
Fragmentarizimi dhe ndarjet sipas kufinjve etnikë nuk janë në përputhje me perspektivën Evropiane, e cila duhet të veprojë si një katalizator për problemet në rajon.
Fillimi i punës së Misionit Policor të BE-së në Bosnjë-Hercegovinë dhe operacionit "Concordia" në ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, janë prova konkrete të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa BE-ja po forcon përkushtimin e saj në Evropën Juglindore, në mënyrë të dukshme në operacionet policore dhe të sigurimit, është e nevojshme edhe angazhimi I vazhdueshëm I aktorëve të tjerë ndërkombëtarë. Ne të tërë vlerësojmë lart bashkëpunimin e ngushtë midis BE-së, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në rajon, brenda kuadrit të Rezolutave të Kombeve të Bashkuara, si dhe rolin e organizatave të tjera ndërkombëtare dhe institucioneve financiare që veprojnë në këtë zonë. Ne, gjithashtu, inkurajojmë bashkërendimin e ngushtë të aktiviteteve të tyre.
6. Krimi i organizuar dhe korrupsioni përbëjnë një pengesë reale të stabilitetit demokratik, shtetit ligjor, zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit të shoqërisë civile në rajon, si dhe një burim shqetësimesh të rënda për BE-në. Luftimi i tyre përbën një prioritet madhor. Vendet e Ballkanit Perëndimor angazhohen të përcaktojnë dhe zbatojnë masat e parashikuara në procesin që pasoi Konferencën e Londrës, nëntor 2002, përshkruar edhe në Axhendën e Selanikut. Kujdes i veçantë duhet t'i jepet luftimit të trafikimit të qënieve njerëzore. Vendet e Ballkanit Perëndimor gjithashtu angazhohen në masa konkrete në përputhje me Axhendën e Selanikut dhe dokumentet e Konferencës së Ohrit, maj 2003, në mënyrë që të përballohet në mënyrë efikase imigracioni i paligjshëm dhe përmirësimi i sigurimit dhe menaxhimit të kufinjve.
7. Ne pranojmë rëndësinë që popujt e Ballkanit Perëndimor i kanë dhënë perspektivës së liberalizimit të regjimit të vizave nga BE-ja. Ne njohim se progresi varet nga zbatimi I reformave madhore në fusha të tilla si përforcimi I shtetit ligjor, luftimi I krimit të organizuar, korrupsionit dhe migracionit të paligjshëm, dhe forcimit të kapacitetit administrativ në kontrollin e kufirit dhe sigurisë së dokumentacioneve. Vendet e Ballkanit Perëndimor përshëndesin qëllimin e Komisionit për të zhvilluar diskutime brenda kuadrit të Procesit të Stabilizim dhe Asociimit, me secilin prej vendeve të Ballkanit, lidhur me kërkesat se si të cohen përpara këto cështje në kushte konkrete.
8. Begatia ekonomike është thelbësore për stabilitetin dhe demokracinë afatgjate në rajon. Kërkohet që përpjekjet këmbëngulëse dhe reformat strukturore të vendosin funksionimin e ekonomisë së tregut, të arrijnë zhvillim të vazhdueshëm dhe të sigurojnë punësim.
Ne njohim rëndësinë e zhvillimit të rrjeteve dhe infrastrukturave moderne në energji, transport dhe telekomunikacion në rajon, në përputhje me Rrjetet Mbarë-Evropiane. Ne nxisim mobilizimin e mëtejshëm të përkrahjes ndërkombëtare në këto fusha, kryesisht nëpërmjet Bankës Evropiane të Investimeve, Institucioneve të tjera Financiare Ndërkombëtare, dhe investimeve private.
Vendet e Ballkanit Perëndimor mirëpresin vendimet e BE-së për të shqyrtuar masa të mëtejshme për rritjen e tregtisë me to, për të zgjeruar Tregun e Energjisë së Brendshme në rajon dhe për të vendosur një dialog të rregullt ekonomik me secilin vend të rajonit.
Duke marrë parasysh se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë burimi kryesor i vendeve të punës, risia dhe pasuria janë thelbësore për funksionimin e ekonomive konkuruese të tregut; për këtë arsye, vendet e Ballkanit Perëndimor i përkushtohen parimeve të politikës shprehur në Kartën Evropiane për Ndërmarrjet e Vogla, si dhe për të marrë pjesë në zbatimin e saj.
9. Ne theksojmë edhe një herë se afrimi me BE-në duhet të ecë përkrah zhvillimit të bashkëpunimit rajonal. Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe, aty ku është e zbatueshme, vendet e tjera të rajonit, angazhohen të nxisin objektivat dhe nismat konkrete, përshkruar edhe në Axhendën e Selanikut, në fushat e tregtisë së lirë rajonale, lëvizjes pa viza brenda rajonit, mbledhjes së armëve të lehta, krijimit të tregjeve rajonale për energji elektrike dhe gaz, zhvillimit të infrastrukturës së transportit, energjisë dhe telekomunikacionit, menaxhimit të mjedisit dhe sistemit ujor, bashkëpunimit ndërkufitar dhe bashkëpunimit parlamentar.
Ne rikonfirmojmë përkrahjen tonë ndaj Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore në rolin e saj plotësues në Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit dhe në zbatimin e objektivave bazë të saj. Ne e ftojmë atë të përqëndrohet në detyra të veçanta, sugjeruar në Axhendën e Selanikut. Ne përkrahim nismat e bashkëveprimit rajonal, si Procesi për Bashkëpunim i Evropës Juglindore (SEECP), Nisma Adriatik-Jon dhe Nisma e Evropës Qendrore. Ne nxisim më tej bashkëpunimin midis Komisionit Evropian, Paktit të Stabilitetit dhe SEECP, e cila gradualisht po bëhet zëri i rajonit.
10. Që nga takimi ynë i Zagrebit, nëntor 2000, progres i konsiderueshëm është bërë në drejtim të stabilitetit, demokracisë dhe rigjenerimit ekonomik në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në të mirë të popujve të tyre dhe të Evropës në tërësi. Të gjitha vendet e rajonit gjithashtu kanë bërë progres në avancimin e tyre drejt BE-së. Një krahasim me tre vitet e mëparshme, tregon rrugën që është përshkuar prej tyre. Në të njëjtën kohë, vendet e Ballkanit Perëndimor, të ndërgjegjshëm se kanë ende shumë për të bërë, angazhohen të intensifikojnë ritmin e reformave. Bashkimi Evropian u garanton përkrahje të plotë përpjekjeve të tyre.
***
Ne ramë dakord të takohemi periodikisht në takime të niveleve tona, në kuadrin e një forumi BE-Ballkani Perëndimor, për të diskutuar cështje me rëndësi të përbashkët, për të parë progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Evropës dhe për të shkëmbyer me to pikëpamjet mbi zhvillimet madhore në BE. Takime të tjera vjetore do të mbahen edhe në nivel ministrash të jashtëm dhe ministrash të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme. Ne e mirëpresim qëllimin që sjell Presidenca Italiane për organizimin e takimit të parë të këtij lloji në fund të vitit: Edhe ministrat e tjerë mund të marrin pjesë në takime të tilla, kur t'u jepet mundësia.
Selanik, 21 qershor 2002