Sot pasdite, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua mbledhja e Komitetit Ndërministror të Energjisë i cili shqyrtoi dhe diskutoi projektin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë..
Sot pasdite, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua mbledhja e Komitetit Ndërministror të Energjisë i cili shqyrtoi dhe diskutoi projektin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë..
Pas fjalës së Kryeministrit, i cili e vlerësoi dokumentin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë shumë të rëndësishëm, Kryetari i Agjencise Kombëtare të Energjisë paraqiti në mënyrë vizive përpara anëtarëve të këtij Komiteti gjithë masterplanet që përmban kjo strategji.
Strategjia e zhvillimit të sektorit energjitik është një dokument i rëndësishëm që analizon dhe rekomandon ndryshimet që do të ndodhin në të ardhmen në sektorin e energjisë në Republikën e Shqipërisë. Në të janë analizuar dhe përfshirë të gjitha ndryshimet e nevojshme që duhet të ndodhin për të rritur sigurinë e furnizimit me burime energjitike, optimizimin e burimeve për mbulimin e nevojave me qëllim bazë zhvillimin e qëndrueshëm të mbarë ekonomisë për të ardhmen.
Kjo strategji trajton tri çështje kryesore:
1) situatën e furnizim-kërkesës së energjisë deri në vitin 2015.
2) strukturën ndërinstitucionale të sektorit të energjisë
3) identifikimin e paketës financiare dhe të skedulit kohor për implementimin e secilës masë, në bazë të rekomandimeve të rezultuara nga Strategjia Kombëtare e Energjisë
Qëllimi i kësaj strategjie është zhvillimi i një sektori energjitik efektiv që garanton sigurinë e furnizimit me burime energjitike në përgjithësi dhe atë elektrike në veçanti, si dhe nxit përdorimin efiçent, ekonomik dhe me ndikim minimal në mjedis, në mënyrë të tillë që sektori energjitik të jetë një sektor mbështetës për një zhvillim të qëndrueshëm të të gjithë sektorëve ekonomikë.
Objektivi primar i Strategjisë Kombëtare të Energjisë është ristrukturimi i sektorit energjitik bazuar në parimet e ekonomisë së tregut dhe në zhvillimin e një politike bashkëkohore energjitike.
Objektiva specifikë të Strategjisë Kombëtare të Energjisë janë:
1. Krijimi i një sektori energjitik të aftë si nga ana financiare ashtu edhe nga ajo teknike,
2. Krijimi i një kuadri efektiv institucional dhe rregullator,
3. Rritja e sigurisë dhe besueshmërisë në furnizimin me energji në përgjithësi dhe energji elektrike në veçanti në nivel kombëtar dhe rajonal
4. Rritja e efiçiencës së energjisë si gjatë prodhimit ashtu edhe përdorimit të burimeve energjitike me synim ndotjen minimale të mjedisit,
5. Optimizimi i sistemit të furnizimit me burime energjetike duke u mbështetur në konceptin e planifikimit me kosto të ulët dhe ndikim minimal në mjedis,
6. Ristrukturimin e plotë të kompanive të energjisë
7. Rritjen e ndjeshme të investimeve në sektorin e energjisë nëpërmjet nxitjes së kapitalit nga institucionet financiare ndërkombëtare si dhe kapitalit privat
8. Krijimin e një tregu elektrik konkurues bazuar në kërkesat e Bashkimit Europian për reformimin e sektorit elektroenergjitik (Direktiva 96/92 EU) dhe detyrat e Shqipërisë në kuadrin e Marrëveshjes së Athinës (15 nëntor 2002), për integrimin e sektorit elektroenergjitik shqiptar në Tregun Rajonal Energjitik të Europës Juglindore dhe interkonjuksionin me rrjetin e UCTE-së.
Komiteti vendosi që per ndjekjen dhe zbatimin e Strategjise Kombetare të Energjisë do te ngrihet një grup nderministror i cili do te ndjekë në mënyrë të vazhdueshme ecurinë e strategjise dhe do te informojë për ecurinë e saj. Ndërsa Ministria e Industrisë dhe Energjetikës brenda 1 shtatorit do të paraqesë në Këshillin e Ministrave planin e masave për zbatimin dhe ecurine e kesaj strategjie.
Komiteti Ndërministror i Energjisë, në fund adoptoi projektvendimin "Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë, deri në vitin 2015", i cili do t'i paraqitet per miratim Keshillit te Ministrave ne mbledhjen e tij te radhës.