E Diel, 1 Nëntor 2026

Të nderuar zotërinj deputetë Pavarësisht pikënisjes, motiveve dhe pretendimeve të sapo parashturara edhe nga z.Gjana e konsideroj këtë seancë një rast të mirë, si ftesë për debat të

Të nderuar zotërinj deputetë

Pavarësisht pikënisjes, motiveve dhe pretendimeve të sapo parashturara edhe nga z.Gjana e konsideroj këtë seancë një rast të mirë, si ftesë për debat të mundshëm, të vlerësoj përpara jush dhe bashkë me ju, realitetin e lirisë dhe të zgjerimit të saj në një shoqëri tashmë thellësisht demokratike, siç është shoqëria shqiptare, një prej shtyllave mbi të cilat mbahet liria dhe demokracia, shteti dhe media e lirë.

Nga ana tjetër, më vjen mirë që realiteti demokratik që kemi realizuar natyrisht sëbashku, ka sjellë edhe Partinë Demokratike të stërnjohur për represionin e saj ndaj mediave sa kohë qëndroi në pushtet, madje, edhe tani në opozitë, si protagoniste e dhunës verbale, të reformohet dhe të dalë në pozicionin e shumëpritur të mbrojtëses së mendimit të lirë.

Unë nuk jam i lejuar të mendoj se kjo është thjesht demagogji e radhës, siç nuk jam i lejuar të mendoj se në një rast tjetër të ardhjes në pushtet Partia Demokratike nuk do të mbyllë gazetat, nuk do të djegë mediat, nuk do të arrestojë gazetarët. Nuk jam i lejuar të mendoj kështu edhe sepse ne tashmë kemi krijuar përfundimisht një realitet të ri institucional dhe ligjor, që disiplinohet në mënyrë transparente nga puna jonë e përbashkët, edhe e ekzekutivit që unë drejtoj, nën monitorim të publikut dhe institucioneve ndërkombëtare për arritjet e standarteve demokratike të botës euroatlantike edhe në këtë fushë.

Liria e mediave në vlerësimin tim mbetet një proces i përmbushjes së komponentëve të një koncepti më të gjerë, që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe si i tillë është një fenomen relativisht i ri, që erdhi menjëherë me pluralizmin politik në Shqipëri.

Pa dashur të bëj gjykatësin e fundit, besoj se nuk e teproj aspak që të përsëris këtu se jo vetëm sipërmarrësit e medias, por edhe stafet e gazetarëve të medias së re, krahas lëngimit të shoqërisë shqiptare në tranzicion u gjendën të papërgatitur përpara kësaj situate të re të lirisë, ku mungonte tregu, konceptet, sidomos ato profesionale ishin të paformësuara dhe standartet e lirisë së shtypit si pjesë e lirisë së shprehjes mbetën për shumë kohë larg atyre të dëshiruara. Me ardhjen në pushtet para gjashtë vitesh, PSSH dhe aleatët e saj progresistë, që kishin dëshmuar qysh gjatë periudhës së kohës që ne kaluam në opozitë se ndryshe nga regjimi juaj autokratik, ishim dhe mbetëm partizanë të lirisë së fjalës e prandaj realizuam hapin e parë të domosdoshëm për të krijuar kushte ligjore dhe hapësira të standarteve të reja, mbështetur në dokumente të rëndësishme ndërkombetare, që ju vetëm i citoni, siç janë Kartat dhe Konventat e të drejtave të njeriut. Pra që në fillim PSSH doli me propozimin e saj në këtë sallë me të cilin arritëm bashkarisht që të drejtën e lirisë së shprehjes ta çlirojmë nga zinxhirët e një ligji të stilit berishian, tepër të kritikuar si represiv për mediat dhe kjo u përmblodh në një ligj thuajse të pashembullt ende në historinë e zhvillimeve demokratike globale në të cilin thuhet vetëm që shtypi është i lirë.

Besoj se ishte rezultat i kësaj filozofie qeverisëse- progresiste të respektimit të së drejtës për informim dhe i mendimit të përgjegjshëm gjithashtu, lulëzimi i një numri të pafund mediash dhe operatorësh të shtypit të shkruar dhe elektronik në të katër anët e Shqipërisë. Besoj se nuk ju them ndonjë gjë të panjohur, kur ritheksoj se kemi sot në aktivitet 97 subjekte të liçensuar që veprojnë vetëm në fushën e mediave elektronike, (gazetat nuk i numëroj dot sepse edhe tani duhet të jetë duke dalë ndonjë).

Ky bum i vërtetë mediatik, produkt i lirisë së regjimit të lirisë që qysh prej gjashtë vjetësh sundon në Shqipëri sigurisht u përball me probleme të shumëllojshme, që nga defiçiti i profesionalizmit, mungesa e burimeve financiare, mungesa e institucioneve dhe e rregullave të një tregu të lirë, i cili edhe ashtu ishte i varfër. Në hapësirat e lirisë që ne krijuam ishim të ndërgjegjshëm se një numër jo i vogël i këtyre mediave do të shuheshin vetiu, por nuk do të shuheshin dhe nuk është shuajtur asnjë deri më sot, si pasojë e represionit shtetëror në gjashtë vjetët e fundit. Por kjo ka ndodhur vetëm si pasojë e konkurencës edhe brenda përbrenda tregut të mediave, ashtu si edhe për pasojë e një tjeër konkurence, asaj të biznesit dhe sipërmarrjes, i cili jo rrallë ka qëndruar dhe qëndron pas operatorëve mediatikë.

Në këtë liri të një shkalle të admirueshme mungonin gjithashtu shumë rregulla loje dhe nuk e kam fjalën për rregulla shtrënguese, por për rregulla të lirisë, që garantonin nëpërmjet mbrojtjes së konkurencës së ndershme ardhmërinë profesionale dhe standarte të përparuara, natyrisht konkuruese, të medias shqiptare.

Tashmë është fakt që nëpërmjet Komisionit Parlamentar të Mediave në bashkëpunim të ngushtë me aktorë të rëndësishëm të shoqërisë civile dhe me institucione të specializuara europiane dhe ndërkombëtare të kësaj fushe, ne iniciuam, miratuam dhe po vazhdojmë të vëmë në zbatim, katër ligjet bazike që vendosin baza normale legale veprimtarinë e shtypit dhe të medias në kushtet e një shoqërie normale demokratike. Këto janë: ligji Nr 8410 dt 30 shtator 1998 "Për Radiot dhe Televizionet Publik dhe Privat në Republikën e Shqipërisë", ligji Nr 8655 dt 31 korrik 2000 që përmirëson draftin e mëparshëm, ligji Nr 8794 dt. 10 maj 2001 i së njëjtës fushë dhe më në fund dhe natyrshëm edhe ligji "Për Taksat në Republikën e Shqipërisë".

Mjafton të kujtojmë me ju se në ligjin bazik që rregullon marrëdhëniet në fushën e televizionit thuhet shprehimisht " Veprimtaria radio-televizive është e lirë. Veprimtaria radio-televizive respekton paanshmërisht të drejtën për informacion, bindjet politike dhe besimet fetare, personalitetin, dinjitetin, jetën private të njeriut, si dhe të drejtat dhe liritë themelore të tij".

Këto ligje kanë qenë dhe mbeten objekt diskutimesh dhe ndryshimesh në Parlament dhe kjo tregon progres. Në zbatim të këtij legjislacioni bazik është krijuar edhe Këshilli Kombëtar i Radio-Televizionit i cili duke përcjellë autoritetin e këtij Kuvendi është dhe mbetet rregullatori kryesor i marrëdhënieve që zhvillohen në këtë fushë. Me krijimin e këtij institucioni, besoj se e dini që është i pavarur nga Qeveria dhe prandaj ka ardhur duke u përmirësuar e fuqizuar krahas perfeksionimit të efektit të tij në tregun dhe në marrëdhëniet që lidhen me mediat, mazhoranca e drejtuar nga socialistët përmbushi në bashkëpunim edhe me operatorët mediatikë, një prej detyrimeve kushtetuese të një shoqërie demokratike, respektimin e pushtetit të pavarur nga pushteti politik në atë masë që pushteti i pavarur i medias dëshiron të jetë i tillë.

Nga ky këndvështrim, këkesa për këtë debat parlamentar dhe thirrja ime këtu më duket për të mos thënë më shumë e keqorientuar, pasi siç sqarova me strukturën e re ligjore dhe institucionale nuk është Qeveria, pra ekzekutivi, ai që kryen detyrën e rregulatorit në këtë fushë sensitive, por mesa duket mentaliteti i Berishës i kutlivuar kur ai organizoi shtetin dhe tregun në mënyrë të tillë që gjithçka të lidhej me dorën dhe pushtetin vetjak të Berishës Sali.

Si pasojë e realitetit të ri të krijuar, këto lloj debatesh edhe pse lidhen me vetë mediat, pra mbeten përherë publike, na sjellin te nevoja për të arsyetuar dhe vepruar sëbashku, për më shumë zhvilllim dhe standartizm të medias dhe tregut përkatës me botën moderne ku po integrohemi. Kjo gjë e artikuluar edhe nga shoqata e mediave e shtyu Qeverinë që në datë 15 maj 2003 të bëjë në partneritet me pronarët e medias elektronike këtë radhë, disa ndryshime në ligjin "Për Radio-Televizonet Publikë dhe Privatë ne Republikën e Shqipërisë", që e keni në procedurë parlamentare.

Këto ndryshime që i hapën rrugën një procesi të rëndësishëm të mbarë shoqërisë demokratike shqiptare kanë të bëjnë me një standart të ri edhe për median e lirë me ruajtjen dhe mbrojtjen ligjore të marrëdhënieve, që lidhen me të drejtën dhe pronësine e autorit, në luftë kundër piraterisë, shfaqje kjo negative që ka shoqëruar vazhdimisht rritjen e medias sonë të re dhe ka dëmtuar rëndë konkurencën e ndershme në treg.

Për mua e rëndësishme mbetet që presioni për ndryshimet e fundit që ne bëmë erdhi nga vetë pronarët e mediave kryesore radio-televizive, provë kjo që edhe ky treg po shkon me një vullnet të pavarur drejt standartizimit dhe prandaj po përfshihet në përpjekjet e mbarë shoqërisë shqiptare për të përmbushur rregullat dhe detyrimet që na përafrojnë me standartet e BE, ku po asociohemi për tu integruar plotësisht.

Të nderuar kolegë deputetë

Qeveria që unë drejtoj e ka prioritet politik të programit dhe të aksionit të saj ekzekutiv luften kundër informalitetit dhe trafiqeve të paligjshme, si pjesë vitale e detyrimeve institucionale për të përshpjetuar proceset e integrimit të Shqipërisë në institucionet euroatlantike. Kjo nuk mund të realizohet pa përmbushur standartet dhe pa kuruar deformimet dhe sëmundjet që ka ende sistemi ynë në tranzicion.

Në këtë këndvështrim, kur ne e shpallëm si të pakthyeshëm aksionin tonë të projektuar edhe në bashkëpunim me partnerë si Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, OSBE, KE etj. pra angazhimin dhe aksionin për të luftuar këto sëmundje të informalitetit, krimit të organizuar, korrupsionit, luftë kjo jetike për të ardhmen e shtetit dhe të shoqërisë apo të institucioneve të saj qeveritare dhe joqeveritare. Ne e prisnim reaksionin e kësaj pjese të strukturave informale e joligjore, që ende ushqeheshin prej këtyre trafiqeve, por edhe i ushqenin ato.

Në këtë përpjekje, ne kemi pasur si aleate të përhershem progresiste edhe median në tërësi, apo më saktë të themi atë pjesë të mediave që synon realisht të zhvillohet e konkurojë si media e lirë dhe e ligjshme në standartet moderne.

Në veprimin tonë ligjor për të korrektuar dhe tkurrur informalitetin, nuk mund të mbeteshin jashtë vëmendjes edhe një sërë biznesesh, të cilët shpesh qëndrojnë në mënyrë informale pas disa prej kompanive të vjetra e të reja mediatike. Deformimi që strukturat ligjore të kontaktit me median e shpallur informale apo formale pra edhe strukturat e kontrollit dhe të verifikimit të korrektesës ligjore të këtyre institucioneve legale na sollën në konkluzione të paimagjinueshme: mungesë thuajse e plotë dokumentacioni dhe marrëdhëniesh me shtetin dhe ligjin. Media kryesore rezultoi e pakontrolluar për vite me radhë.

Mediat e ushqyera në këtë mënyrë, në vend që të bëheshin pjese integrale e këtyre veprimeve ligjore të shtetit, - sikundër ndodh shpesh nëpër botën e civilizuar, - u vunë në mbrojtje publike të parregullsisë dhe informalitetit dhe u shndërruan në "instrumenta" shantazhi të këtij lloj trafiku të paligjshëm. Pikërisht në këtë kohë filloi edhe abuzimi me të ashtuquajturën presion ndaj "fjalës së lirë", pasi askush nuk është në gjendje të na mbushë mendjen se ndëshkimi ndaj parregullsive ligjore dhe fiskale të një biznesi, pavarësisht nëse është apo jo i lidhur me mediat, është sulm ndaj "fjalës së lirë".

Nuk mund të perceptohet ç'lidhje mund të ketë një pallat i ndërtuar pa leje nga të ashtuquajturit "pronarë" të mediave, me respektimin e fjalës së lirë të gazetarëve, sikundër nuk mund të kuptohet ç'lidhje ka një llotari fitimprurëse e parregullt me lirinë e shprehjes. Nuk mund të kuptohet ç'lidhje ka me lirinë e fjalës akt-padia ndaj një shpifjeje a fyerjeje publike, akt-padi e bërë kjo në ushtrim të lirive kushtetuese të qytetarit, qoftë edhe nga një punonjës i çfarëdo niveli të administratës, në një gjykatë tashmë të pavarur, apo jo!

Jetojmë në një shoqëri demokratike, ku deformimi dhe keqpërdorimi i lirisë ndëshkohet gjithashtu me ligj, sikundër edhe vetë liria mbrohet me ligj. Aq pak nuk mund të mbrohesh kundër akuzave ligjore për vepra penale të abuzimit apo korrupsionit në detyrë, jo në gjykata, por në media, duke abuzuar me lirinë e fjalës, apo në politikë duke abuzuar me lirinë e organizimit. Ballafaqimi me akuzën në një gjykatë është pjesë organike e funksionimit të një shoqërie demokratike dhe të shtetit të së drejtës, prandaj, nuk besoj se ka ndonjë lidhje me rregjimin e dhunës së policisë suaj sekrete që i gjymtonte, i masakronte çnjerëzisht gazetarët apo i përzinte ata nga Shqipëria, dhunë e cila nuk është lejuar dhe nuk do të lejohet kurrë të përdoret nga maxhoranca në pushtet dhe aq më pak nga Qeveria dhe segmentet e shtetit që lidhen me të.

Në këtë kuptim, duke lexuar tekstin e kërkesës për mocion, nuk mund të mos gjesh në të recidiva të një kohe të perënduar, një nostalgji latente e febrile të opozitës për të na kthyer atë periudhë. Përdorimi i shprehjeve obsesive tuaja si "territ informativ" "atentate terroriste ndaj personaliteteve të fjalës së lirë", "mediat e shkruara dhe ato elektronike në Shqipëri janë vënë nën presion të hapur nga ana e Qeverisë dhe në mënyrë të veçantë nga ana e Kryeministrit Fatos Nano dhe rrethit të tij"; "Qeveria ka heshtur, ka mbrojtur ekzekutorët, ka fshehur gjurmët e krimit, ka denigruar dhe hedhur baltë mbi viktima", janë thjesht mbeturina të një kohe të perënduar në Shqipëri ose shprehje e recidivizmit të pakurueshëm të opozitarëve tanë, të cilët,- meqënëse zoti Topi ka vënë emrin në këtë kërkesë, ende mendojnë në mënyrë primitive dhe jakobine se "ne po i zgjerojmë rrugët e Tiranës, siç bëri borgjezia pariziane që të mos kishte mundësi të ngriheshin barrikada". Është një fjalor i cili është i denjë vetëm për një opozitë suburbane apo guerriljere si kjo e jona, e cila njeh vetëm represionin, njeh vetëm logjikën e ndeshjes barrikadore, sikundër na e ka demonstruar kohë pas kohe, jo vetëm kur ishte në pushtet. Është një herësh një dëshmi për publikun e gjerë se sa të rrezikshëm janë ata sërish nëse kthehen në pushtet.

Te nderuar deputetë,

Sot është e qartë për të gjithë se edhe tregu i mediave, ashtu si i gjithë tregu ynë, përjeton problemet e veta të rritjes a mbijetesës brenda llojit, që më së shpeshti janë edhe burim i një gjendjeje emocionale dhe axhitimi të pakontrolluar dhe të pajustifikuar deri në shantazh dhe flirt informal me politikën abuziviste.

Qeveria që unë drejtoj është e mirëinformuar në lidhje me problemet ekonomike me të cilët përballet kjo media dhe ka ndërmarrë një varg masash që ta lehtesojë gjendjen financiare për të, - siç ishte edhe vendimi i fundit i Qeverisë për çmimin favorizues të energjisë elektrike për mediat elektronike, apo vendosja e marrëdhënieve korrekte e miqësore të administratës fiskale me pronarët e medias.

Ne e bëjmë këtë pasi për Qeverinë që unë drejtoj, roli i medias në një shoqëri demokratike mbetet jetik dhe i pazëvendësueshëm. Ne kemi shkuar deri atje saqë institucionet fiskale janë angazhuar drejtpërsëdrejti për të dhënë asistencë profesionale në mbajtjen e rregjistrave të llogarive të këtyre mediave, pasi, më lejoni t'ua them, nga kontrollet e realizuara ne konstatuam se thuajse asnjëra prej tyre nuk kishte bilance legale dhe korrekte. Dhe ne jemi të vendosur që institucionalisht të vazhdojmë ta mbështesim këtë media, pavarësisht kostos, por nga ana tjetër edhe media dhe operatorët e ndryshëm mediatikë duhet përfundimisht të bashkeveprojnë me rregullat ligjore të një ekonomie të hapur dhe konkuruese të tregut.

Nuk mund të tolerohet më që gazetarët të vazhdojnë të punojnë në të zezë e të pasiguruar, kur edhe media e ka për detyrë të luftojë tregun e zi informal në fusha të tjera; nuk mund të tolerohet më që përmes mediave të ushtrohet presion mbi strukturat shtetërore që ato të mos kryejnë funksionin e tyre, nuk mund të tolerohet më ajo situatë absurde kur një varg "analistësh" mbronin me alibi këtë apo atë figurë politike, duke mbuluar në fakt interesat e kushërinjtë e vet nëpër dogana apo zyra përfitimesh të paligjshme. Nuk mund të tolerohet më që media të caktuara të përdoren si "maska" që vënë gjoba njëlloj si plaçkitësit e rrugës që me anë të presionit dhe shantazhit politik mbi shtetin të realizojnë fitime të paligjëshme duke shfrytëzuar dobësitë e sistemit apo të individëve të ndryshëm. Me këtë nuk dua të them aspak se Qeveria do të marrë në kujdestari mediat, pasi kjo do t'i asfiksonte ato dhe do të kthente një kohë të cilën askush nuk dëshiron të kthehet më.

Janë vetë mediat ato që përmes respektimit të rregullave të një shoqërie të hapur dhe demokratike do të vetëkorrigjohen dhe do të përmirësojnë standartet. Qeveria që unë drejtoj dhe unë personalisht si Kryeministër, në përmbushje të detyrave kushtetuese, as tundohemi nga provokimet që të behemi represive ndaj medias, as do të synojmë t'i "joshim" ato dhe t'i vemë në shërbim, edhe pse ky presion tentohet të personalizohet me emrin tim dhe jetën time private.

Ne jemi të bindur se të dyja këto eksperienca tashmë të provuara në Shqipëri nuk është se thjesht dëmtojnë median dhe pavaresinë e saj, por dëmtojnë rëndë edhe vetë shoqërinë dhe institucionet tona demokratike pasi i heqin asaj, pavarësisht nga metoda e përdorur, oponentin e domosdoshëm dhe vital.

Në kuadrin e masave që Qeveria po merr dhe do të vazhdojë të marrë për krijimin e standarteve të jetës së institucioneve dhe të pushteteve, brenda hapësirave që lejon ligji, do të vazhdojë të japë kontributin e vet për të rritur edhe me pavaresinë e këtij pushteti jetik për të ardhmen e demokracisë.

Ne jemi të interesuar dhe po punojmë për strukturimin e një tregu ku Qeveria ka vetëm rolin rregullator dhe preventivues të konkurencës së pandershme. Qeveria do të vazhdojë të mbështesë institucionet që ka ngritur ky Parlament për përmirësimin e performancës së tyre.

Në këtë kuadër është paraqitur këtu në Kuvend edhe ligji që përmenda më sipër, i inicuar nga pronarët e media në bashkëpunim me Kryeministrin dhe që do të ndalojë piraterinë dhe do të formalizojë tregun e prodhimeve televizive. Nga ana tjetër une si Kryetar i maxhorancës dhe i Qeverisë do të mbështes edhe më fort se deri tani aktivizimin e instrumentave të tjerë ligjorë siç është përgatitja e një ligji për shtypin e shkruar, i cili do të normonte dhe do ta bënte më të mbrojtur edhe këtë pjesë të medias.

Përfitoj nga rasti të theksoj se është vetë bota e këtij pushteti të katërt e cila duhet të krijoje mekanizmat, strukturat dhe instrumentat për të vetërregulluar dhe shëndoshur edhe me situatën gjithnjë në përmirësim edhe në mediat shqiptare.

Përpara se të them faleminderit, dua të them se nga rezoluta unë bashkohem vetëm më këto gjëra. Edhe unë shpreh solidaritetin ndaj gazetarëve dhe personaliteteve të spikatur të shtypit dhe të mendimit të lirë, viktima të presionit dhe të dhunës për shkak të fjalës së lirë. Edhe unë i bëj thirrje Kryeministrit, përfaqësuesve të medias, gazetarëve, t' i rezistojnë presionit të Qeverisë dhe segmenteve të saj, të mbrojnë pavarësinë editoriale dhe lirinë e tyre të informimit. Edhe unë angazhohem që t'i nënshtrohem të gjitha instrumentave të kontrollit parlamentar për të zbuluar dhe verifikuar rastet e keqpërdorimit të pushtetit ekzekutiv apo politik në dëm të lirisë së informimit për të denoncuar dhe për të marrë masat e nevojshme ligjore që i presin rrugën praktikave abuzuese.

Ju faleminderit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›