E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot pasdite në nënshkrimin e Marrëveshjes së Shitjes 100% të Aksioneve të Bankës së Kursimeve midis Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipëris

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot pasdite në nënshkrimin e Marrëveshjes së Shitjes 100% të Aksioneve të Bankës së Kursimeve midis Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Raiffeisen Zentral Bank.

Pjesë e kësaj Marrëveshje është edhe Marrëveshja Escrow, e cila do të rregullojë marrëdhëniet e lëvrimit të pagesave midis Ministrisë së Financave dhe Raiffeisen Zentral Bank. Banka që do të kryejë pagesat do të jetë American Express Bank.

Raiffesen Zentral Bank u shpall fituese e tenderit të hapur ndërkombëtar për privatizimin e Bankës së Kursimeve, më 19 Dhjetor 2003, nga Komisioni Shtetëror i Vlerësimit të Ofertave, me një çmim të ofruar prej 126 milion USD të paguar në "cash".

Me firmosjen e Marrëveshjes së Shitjes së Aksioneve, procesin do ta pasojnë një sërë procedurash, të cilat do të ndiqen në vazhdimësi deri në bërjen e kësaj kontrate të vlefshme, d.m.th kalimin e aksioneve në pronësi të Raiffeisen.

Raiffeisen Zentral bank është një grup bankar udhëheqës në Europën Qendrore dhe Lindore. Ajo ka më shumë se 675 njësi bankare dhe 2 zyra përfaqësimi në 15 tregje bankare.

Raiffeisen Zentral Bank ka një total asetesh prej 48 miliardë USD dhe kapital aksionerësh prej 2.3 miliardë USD, që do të thotë 60 herë më të madh se Banka e Kursimeve.

Me hyrjen e Raiffeisen në Shqipëri, sistemi bankar dhe ai financiar në përgjithësi do të ndjejnë shumë shpejt efektet pozitive dhe cilësore, që kjo bankë do të sjellë.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku u miratua privatizimi i Bankës së Kursimeve, Kryeministri Nano e ka cilësuar përvojën 141 vjeçare të Raiffeisen Bank si një garanci për të sjellë në Shqipëri modelet bashkëkohore të administrimit të kursimeve, veçanërisht të kreditimit të sipërmarrjes private, si dhe për konsolidimin e standartet ndërkombëtare të tregut financiar në Shqipëri. "Për Qeverinë Shqiptare, - është shprehur Z.Nano, - futja në tregun e vendit të kësaj kompanie përbën një urë të sigurt për suksesin e integrimit të vendit e të tregjeve tona në ato ndërkombëtare financiare".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›