Kryeministri Fatos Nano është pritur sot në një takim të veçantë nga Kryeministri rumun Adrian Nastase, në Bukuresht, ku ndodhet për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Partive Soci
Kryeministri Fatos Nano është pritur sot në një takim të veçantë nga Kryeministri rumun Adrian Nastase, në Bukuresht, ku ndodhet për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Partive Socialdemokrate të Ballkanit.
Në këtë takim, z.Nano shoqërohej nga Kryetari i PSD dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, z. Skënder Gjinushi.
Në fillim të takimit, dy Kryeministrat kanë vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira midis vendeve, ndërsa kanë theksuar vullnetin e përbashkët për zgjerimin dhe forcimin e tyre në të ardhmen.
Kryeministri shqiptar ka bërë një ekspozë të procesit të reformave dhe progresit të arritur në Shqipëri, duke u ndalur në aspektet kryesore të këtij zhvillimi, si në treguesit ekonomikë e financiarë, në luftën kundër trafiqeve të paligjshme, krimit të organizuar, avancimit të proçesit të integrimit në strukturat euroatlantike. Në këtë drejtim, z.Nano ka vlerësuar progresin që ka bërë Rumania në drejtim të përafrimit dhe anëtarësimit me BE-në.
Gjithashtu z.Nano dhe z.Nastase kanë biseduar edhe mbi zhvillimet dhe ecurinë e proceseve integruese në rajonin e Ballkanit. z.Nano ka falenderuar homologun rumun për mbështetjen dhe bashkëpunimin e frutshëm në këto procese, për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit. Ata janë ndalur në mënyrë të veçantë në zhvillimet më të fundit në rajon, siç ishte procesi zgjedhor në Kosovë dhe zhvillimet më të fundit në Maqedoni në prag të referendumit. Kryeministri Nastase ka ndarë të njëjtin mendim se një fitore e mundshme e referendumit në Maqedoni mund të ketë impakte negative në rajon. "Për këtë qëllim, duhet të jemi të vëmendshëm për të mos cënuar stabilitetin që ka arritur rajoni", tha zoti Nastase.
Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh, dy kryeministrat kanë theksuar nxitjen e mëtejshme dhe konkretizimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes reciprok. Në këtë drejtim, z. Nano i ka kërkuar Kryeministrit Nastase nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe të kulturës, në bazë të së cilit studentë shqiptarë por edhe ata rumunë do të mund të përfitojnë bursa studimi në vendet reciproke. Në këtë drejtim, ata kanë ranë dakort që kjo të bëhej në mënyrë të përshpejtuar, duke përfshirë në këtë mënyrë edhe këtë vit akademik.
Sot, Kryeministri Nano do të mbajë në Samitin e Liderëve të Partive Socialdemokrate një fjalë mbi zhvillimet në rajon, progresin e arritur në drejtim te integrimit euro-atlantik dhe kontribiutin që japin këto parti, në fuksion të forcimit të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit.