E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano në interpelancë parlamentare për çështjen e luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit në administratën shtetërore PYETJE: QÃ

Kryeministri Fatos Nano në interpelancë parlamentare për çështjen e luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit në administratën shtetërore

PYETJE: Qëndrimi i qeverisë mbi krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme dhe korrupsionin në administratën shtetërore si dhe masat që mendon të marrë qeveria për t'i luftuar ato.

PERGJIGJE: I nderuar z. Alibali, duke e marrë diskutimin pikërisht aty ku ju e latë, më lëjoni t'ju falenderoj për mundësinë që më jepni nëpërmjet interpelancës për qëndrimin e qeverisë mbi krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme dhe korrupsionin në administratën shtetërore, si dhe masat që kemi menduar të ndërmarrim për të vazhduar luftën ndaj tyre më jepni mundësinë të ndaj me ju një informacion dhe të angazhohem në një diskutim të frytshëm.

Une vij sot në këtë interpelancë menjeherë pasi paradite kemi nënshkruar një marrëveshje të re që aktivizon instrumenta të rinj ligjorë siç është edhe krijimi i task-forcës ndërinstitucionale që do të merret veçanërisht me luftën kundër krimit të organizuar, duke koordinuar veprimet ligjore dhe ekzekutive me një sistem të drejtësisë së organizuar kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe korrupsionit. Arritja te ky eveniment, është provë e hapave të hedhur dhe e mirëkuptimit dhe efikasitetit të bashkëpunimit insitucional e ligjor që është shumë i domosdoshëm për të rritur efektet e goditjeve të shtetit ndaj krimit dhe korrupsionit. Nuk mund të mos evokoj përballë vlerësimeve kritike e objektive që ju sollët edhe ato pozitivet që na kanë dhënë një mbështetje të madhe në këtë luftë kanë qenë mesazhet publike të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, të Presidentit të Komisionit Europian, Romano Prodi, krahas vlerësimeve që kanë nxitur bashkërendimin më të mirë të punës sonë me agjenci dhe institucione të specializuara të Europës dhe Shteteve të Bashkuara në nivele të luftës dhe punës korrente. Ne jemi tashmë të bindur se krimit të organizuar mund t'i përgjigjemi vetëm me veprime të bashkërenduara të drejtësisë të organizuar dhe institucione efektive të shtetit të së drejtës.

Ndërsa vetem dy ditë më parë ministrat e Brendshëm dhe ata të rendit publik të rajonit u mblodhën në Tiranë me ftesë të Ministrit tonë të Rendit në kuadër të një vargu iniciativash rajonale që ka ndërmarrë në vijim qeveria që unë drejtoj dhe konkludoi me krijimin e forumit të ministrave të Rendit të Rajonit, forum i cili do të mblidhet në bazë tremujore me synim koordinimin e luftës kundër krimit në nivel rajonal. Gjatë takimeve në vumë re me kënaqësi se Shqipëria, ndryshe nga sa perceptohet nga dikush, është në avanguarde në nivel rajonal përsa i përket kësaj lufte.

Më lejoni me këtë rast t'ju përcjell disa nga arritjet e dukshme të Qeverisë që unë drejtoj në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, narkotikëve, etj.

Para dy ditësh ne morëm vlerësimet e radhës nga Departamenti Amerikan i Shtetit i cili duke vlerësuar aksionin ekzekutiv në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe korrupsionit, vuri theksin veçanërisht në domosdoshmërinë e përmirësimit të punës në sistemin tonë gjyqësor. Me këtë rast po ju sjell këtu shifrat që flasin për efektivitetin e aksionit ekzekutiv në luftën kundër krimit të organizuar, sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë për vitin 2002, i cili sot relatoi se për vepra penale të trafikimit të qenieve njerëzore dhe prostitucioni janë ndjekur penalisht 364 procedime penale me 325 të pandehur dhe nga këta janë arrestuar 270 persona; janë dërguar për gjykim 137 procedime me 209 të pandehur. Për kultivimin dhe trafikimin e lendeve narkotike janë ndjekur penalisht 337 proçedime me 292 të pandehur, shumë prej të cilëve të përfshirë në veprimtari kriminale të rrjeteve ndërkombëtare.

Dhe tani më lejoni të jap shkurtazi disa detaje të luftës kundër krimit, krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe korrupsionit sipas klasifikimit të tyre duke u ndalur posaçërisht në rezultatet e pesë muajve të këtij viti:

Krimi i vrasjes, ka rënë nga 85 raste për periudhën janar –maj 2002, në 46 për të njëjtën periudhë të këtij viti. Kështu rezulton, se në 2002 në vend, ne kemi një ulje të ndjeshme të krimit të vrasjes, për periudhë 10 vjecare (92-2002). Gjë e cila është produkt e punës profesionale dhe parandaluese të strukturave të Policisë së Shtetit si dhe rritjes së fuqisë zbuluese dhe goditese të tyre.

Goditja e trafikut të drogës, ka jo vetëm rritje sasiore por edhe cilësore. Tanimë, si pasojë e aksionit të koordinuar të strukturave ekzekutive në këtë luftë, pa harruar kultivuesit e vegjël të canabisit, ne i jemi drejtuar, mbështetur në një bashkëpunim të gjerë institucional kombëtar dhe ndërkombëtar, goditjes dhe vënies përpara ligjit, të grupeve të trafikut të drogave të forta. Këtu rezultatet e krahasuara në vite, si në sasi të bllokuara dhe në subjekte të inkriminuara në proçedim, janë të dukshme, në rritje dhe duhen përshëndetur e inkurajuar. Kështu vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti janë kapur 111 raste të veprave penale në fushën e drogës; janë sekuestruar 18 kg dhe 400 gramë drogë heroinë dhe 2 kilogramë e 157 gramë kokainë; janë sekuestruar 4439 kg drogë marijuanë si dhe 1.5 litra vaj hashishi në të njëjtën kohë kur janë proçeduar 125 autorë të këtyre veprave penale. E rëndësishme është të përmendet se janë goditur ashpër kultivuesit e drogës si dhe paraindustria e përgatitjes dhe përpunimit të saj të shtrirë në shumë pjesë të territorit që ne i gjetëm kur filluam punë në këtë qeveri.

Për të krijuar një siguri në komunitetin në përgjithësi, por dhe atë të biznesit në veçanti, rëndësi maksimale në bashkëpunim me Prokurorinë i është kushtuar, zbulimit, dokumentimit dhe vënies përpara drejtësisë të autorëve për 10 raste të rrëmbimit të personit (vepra penale këto të vjetra dhe të trashëguara). Kjo ka bërë që forca zbuluese e Policisë së Shtetit në këto 2-3 vitet e fundit të jetë në shifra mjaft të larta dhe konkuruese me policitë e vendeve të zhvilluara. Në 5 mujorin e parë të 2003 janë denoncuar dhe evidentuar vetem 5 raste të rrëmbimit të personit për qëllime përfitimi pasuror dhe forca zbuluese e Policisë së Shtetit është dokumentuar 100%.

Me këtë rast, më lejoni t'Ju bëj me dije, në funksion të shuarjes së zërave qaramanë për efekt mediatik dhe politik, se nga studimi në tërësi i shifrave, vihet re me qartësi, se rrëmbimi i personit si vepër penale, jo vetëm nuk po shëndërrohet në dukuri dite të rrezikshme për shoqërinë dhe biznesin, por vjen me një tendencë të theksuar uljeje drejt shuarjes.

Gjithmonë në këtë kuadër, ju bëj me dije se të gjitha strukturat e shtetit që janë të angazhuara në këtë luftë, deri tek shërbimet tona inteligjente, tashmë kanë marrëdhënie të qëndrueshme bashkëpunimi me homologët e tyre europerëndimore, por edhe rajonalë. Kjo sepse në filozofinë integruese të qeverisë që unë drejtoj, nuk mund të përmbushet misioni ynë integrues pa këtë bashkëpunim që është jetik për të ardhmen e shëndetshme të shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e rregullave të ekonomisë konkuruese të tregut; kjo në një kohë kur krimi është bërë ndërkombëtar, lufta kundër tij nuk mund të mbetet e mbyllur në kufijte lokale.

Arritjet e këtyre dhjetë muajve kanë qenë të prekshme dhe spektakolare, veçanërisht përsa i përket luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe mjeteve motorike të përdorura në këtë funksion.

Trafiku i qenieve njerëzore, sidomos ai nëpërmjet gomoneve dhe skafeve të Adriatikut, tashmë mund të konsiderohet i mbyllur. Qeveria, siç e dini, deklaroi vullnetin e qartë politik se është një qeveri anti-trafik e një mazhorance antitrafik. Ky vullnet i shoqëruar me krijim strukturash permanente të specializuara si dhe masa të rrepta operacionale, ka dhënë kështu shembullin më të mirë të këtyre viteve të fundit se si mund të parandalohet dhe kurohet një plagë sociale. Masat tona ekzekutive, kanë sjellë si pasojë jo vetëm mbylljen e këtij trafiku, (për të dhjetin muaj rresht në bregun italian regjistrohet shifra zero në pritje) por edhe përmirësimin e imazhit të shtetit shqiptar në Europë. Pasoja është realisht e dukshme dhe e prekshme në rezultate, kjo parë jo vetëm në vlerësimet e marra nga partnerët tanë europiane (gjë e cila u evidentua edhe në raportin e para dy ditëve të Departamentit Amerikan të Shtetit), por edhe në seriozitetin dhe formën e marrëdhënive të bashkëpunimit ndërkombëtar (gjë e cila mungonte deri dje) deri në kryerjen e operacioneve policore dhe hetimore të përbashkëta.

Tashmë trafikantët që nisen nga shtete të tjera nuk tentojnë më Shqipërinë por rrugë të tjera. Kjo nuk na e ul aspak vëmendjen për të mbyllur çdo mundësi riciklimi të këtij trafiku. Mbyllja e këtij trafiku ka disiplinuar dhe orientuar punën e strukturave të policisë në luftën kundër trafikut të drogës po aq të rrezikshëm. Mbyllja e rrugëve të paligjshme të kalimit të kufirit e drejton këtë trafik në pikat e kalimit kufitar, ku kontrolli vazhdon i rreptë, megjithë mungesën e infrastrukturës së sofistikuar. Një kontribut real po fillon të japë edhe qendra Anti-Trafik në Vlorë si një Zyrë inteligjence rajonale, e cila do të shndërrohet në qendër operacionale rajonale me të gjithë infrastrukturën dhe programet e trajnimit të nevojshëm për këtë qëllim. Gadishmëria e shprehur nga ministrat e rajonit për të marë pjesë në këtë qendër, pa asnjë dyshim do të rrisë efikasitetin e veprimtarisë së saj, madje në nivel rajonal.

Rezultatet në luftën kundër trafiqeve po na japin më shumë kurajo morale dhe institucionale për të luftuar edhe aspekte të tjera të krimit të organizuar. Lufta kundër korrupsionit, për nga natyra e saj është bërë më inteligjente, për shkak të larmishmërisë dhe tipologjisë së korrupsionit në Shqipëri. Kemi të bëjmë, pra me një fenomen, të shtrirë në më shumë se një mandat qeverisës dhe, më keq akoma, që gërshetohet me një mendësi të vjetër të ngulitur në një pjesë të mirë të publikut të gjerë. Lufta efikase kundër këtij fenomeni, nuk mund të bëhet me dhe vetëm mbi bazën e percepsioneve emocionale por me programe konkrete të cilat ne po i plotësojmë dhe aktivizojmë në bashkëpunim me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare.

Veprimi ynë ekzekutiv në luftën institucionale kundër korrupsionit është bazuar në këto elementë kyç:

1- Në përmirësimin e kuadrit ligjor penal dhe administrativ;

2- Në rritjen e transparencës me publikun, nëpërmjet bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe përmirësimit të komunikimit me qytetarët në zyrat e shtetit;

3- Në forcimin e institucionalizimin e kontrollit administrativ dhe financiar,

4- Forcimin e kapaciteteve të hetimit dhe të gjyqësorit.

Me këto instrumenta Qeveria ka zgjedhur të luftojë nga rrënjët korrupsionin dhe jo ta mbrojë apo riciklojë siç pretendon në mënyrë abuzive një pjesë e opozitës. Me këto mekanizma mund të garantojmë në mënyrë të sigurtë se korrupsionit shumë shpejt do t'i harrohet zëri në kryeqytet dhe do t'i mbyllen rrugët edhe në Shqipëri.Çdo mënyrë tjetër, si edhe pretendohet nuk sjell efekte pozitive, por thjesht ndërton një listë të gjatë e abuzive me njerëz të cilët do të detyrohemi t'i marrim në mbrojtje politike, shpesh herë edhe padrejtësisht nëse akuzat mjegullohen për propogandë. Ndryshe nuk kemi se si të jemi rezultativ as ndaj skafeve e trafikantëve që fshihen në vende të tjera e as ndaj zyrtarëve që fshihen pas imunitetit kushtetues apo politik.

Të nderuar deputetë,

E gjithë kjo tendencë ka filluar të ushtrojë një presion pozitiv dhe të sjellë në parametra më normalë ndërveprimi gjithashtu edhe gjyqësorin. Gjykatat kanë mundësi më të mira për ndëshkimin e kriminelëve, për shkak të masave që kemi marrë:

Në përputhje me pozicionin kushtetues dhe kompetencat e saj, Qeveria, ka ndërmarrë dhe po përfundon të gjitha masat legjislative dhe insitucionale që shërbejnë për zhvillimin e reformave në fushën e drejtësisë dhe, në veçanti, për konsolidimin e sistemit gjyqësor, sipas përvojave më të mira dhe standarteve ndërkombëtare, mbështetur në parimet e pavarësisë, efektivitetit, profesionalizmit, ndershmërisë, paanshmërise dhe transparencës.

Parandalimi dhe goditja e shkeljeve të ligjit dhe veprimtarisë kriminale, veçanërisht e fenomeneve që lidhen me krimin e organizuar, trafiqet dhe korrupsionin përbëjnë prioritetin e prioriteteve në reformimin e sistemit tonë ligjor dhe të drejtësisë.

Mbështetur në studimin zyrtar dhe projektet e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, qeveria ka miratuar dhe dërguar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend një paketë ligjore me amendamente të rëndësishme të Kodit Penal dhe të Kodit të Proçedures Penale. Kjo pakete ligjore trajton dhe zgjeron sipas konventave elementët dhe masën e ndëshkueshmërisë së fenomenit kriminal të pastrimit të parave, financimit të terrorizimit dhe të fenomeneve që i shoqërojnë ato. Njëkohësisht me këto amendamente, sipas standarteve më të avancuara në luftën kundër krimit, janë parashikuar të gjitha rastet dhe mundësitë e vendosjes së masës së sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive që rrjedhin nga krimi, përfshirë korrupsionin, trafiqet ilegale, krimin e organizuar dhe terrorizmin.

Ministria e Drejtësisë po përgatit materialet që lidhen me paketën e dytë ligjore të amendamenteve në Kodin Penal dhe Kodin e Proçedures Penale. Këto ndryshime do të synojnë, krahas fushave të tjera, detajimin dhe plotësimin e penalizimit te korrupsionit, përfshirë këtu atë të personave zyrtarë të huaj, të disa profesioneve të caktuara, si dhe çështjen e përgjegjësisë penale, civile apo administrative të personave juridikë të përfshirë në korrupsion.

Ky proçes mbështetet jo vetëm në të dhënat dhe konstatimet që rezultojnë nga praktika gjyqësore dhe përvoja e fituar, por edhe nga nevoja për të bërë efektivisht të zbatueshme dispozitat e instrumentave ndërkombëtare të fushave përkatëse ku tashmë Shqipëria është palë.

Projektligji për mbrojtjen e dëshimtarve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë tashmë është përgatitur nga Ministria e Drejtësisë. Nisma e qeverisë synon përgatitjen e një legjislacioni që të jetë efektivisht i zbatueshëm menjëherë pas miratimit të tij, duke shmangur gabimet dhe vonesat disa vjeçare që vërehen në disa shtete të tjera në drejtim të zbatimit të parashikimeve të ligjit që kanë miratuar për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Një nismë shumë e rëndësishme për rritjen e standarteve dhe forcimin e pushtetit gjyqësor është ajo e amandamenteve në organizimin gjyqësor të miratuara nga qeveria dhe që pritet të shqyrtohet nga Kuvendi. Me këto amandamente, sipas standarteve moderne, parashikohet një sistem i ri pagash dhe shpërblimesh për gjyqtarët dhe prokurorët. Ky sistem i ri, i mbështetur në parimet e qëndrueshmërisë dhe karrierës gjyqësore, i vendos pagat e magjistratëve në nivelin e tyre fillestar në raport të njëjtë me ato të drejtorëve të drejtorive në institucionet qendrore, duke i rritur ndjeshëm në varësi të kohës së qëndrimit në detyrë dhe pozicionet në organet e drejtësisë. Vetëm me hyrjen në fuqi të kësaj nisme, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të rriten mesatarisht 40% krahasuar me pagat e tyre aktuale.

Një nga ligjet kryesore të miratuara nga Kuvendi në vitin 2002 është ai "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë". Ky ligj parashikon, ndërmjet të tjerave, marrëdhëniet, rolin dhe përgjegjësitë e Zv/Kryetarit të KLD dhe Ministrit të Drejtësisë për çështjet e proçedurave dhe përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve.

Në këtë kuadër, janë hartuar programe të përbashkëta të inspektimit dhe kontrolleve ndërmjet inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe atyre të KLD-së. Janë programuar dhe zhvilluar inspektime të përgjithshme apo të pjesshme pranë Gjykatave të rretheve gjyqësore Lezhë, Tiranë, Mirditë, Krujë, Kukës, Kurbin, Sarandë, etj.

Në bazë të konkluzioneve të këtyre inspektimeve dhe verifikimeve, vetëm gjatë këtij viti, Ministri i Drejtësisë ka ushtruar kompetencën e fillimit të proçedimit disiplinor dhe propozimit të masave disiplinore për pesë gjyqtarë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ka shqyrtuar dhe miratuar masat disiplinore, sipas propozimit të Ministrit të Drejtësisë, duke larguar nga detyra 3 gjyqtarë dhe ndëshkuar me masën "vërejtje me paralajmërim" 2 gjyqtarë të tjerë.

Në përputhje me proçedurat ligjore përkatëse, Ministri i Drejtësisë ka përmbushur proçedurat dhe i ka propozuar KLD-së fillimin e proçedimit disiplinor dhe marrjen e masës disiplinore "largim nga detyra" edhe për 4 gjyqtarë të tjerë. Këto raste do të shqyrtohen nga KLD-ja në mbledhjen e programuar në datën 23 Qershor 2003. Njëkohësisht, mbështetur në inspektimet dhe verifikimet që po kryhen janë në proçes përgatitja e propozimeve për fillimin e proçedimit disiplinor dhe marrjen e masave disiplinore për disa gjyqtarë të tjerë.

Reforma legjislative në terësi që po zhvillojmë, po na sjell gjithnjë e më shumë afër standarteve europiane. Ligji për Këshillin e Ministrave dhe Kodi i Proçedurave Administrative, sigurojnë një terren të përshtatshëm ligjor për zhvillimin e një proçesi legjislativ të hapur dhe profesional. Aktet ligjore ndërkombëtare që po vazhdojmë të nënshkruajmë dhe ratifikojmë po e sjellin më pranë zbatimin e drejtëpërdrejtë të së drejtës ndërkombëtare në Gjykatat dhe institucionet tona ekzekutive. Gjithnjë e më shumë presioni pozitiv i ligjit ndërkombëtar po ndjehet në vendimmarrjen tonë.

Ky është modeli i Shqipërisë së re Europiane që kemi projektuar. Për këtë model jemi votuar dhe do ta realizojmë atë sa më shpejt dhe sa më saktë. Dëshiroj të ftoj të gjithë aktorët dhe faktorët politikë dhe të shoqërisë civile që të vazhdojnë të jenë kontribues real në realizimin e këtij modeli dhe të këtij progresi.

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›