Kryeministri dhe Kryetar i PSSH Fatos Nano, në përfundim të vizitës së tij në qytetin e Beratit është ndalur edhe në selinë e Partisë Socialiste të degës Berat, ku ka marrë pjesë në sh
Kryeministri dhe Kryetar i PSSH Fatos Nano, në përfundim të vizitës së tij në qytetin e Beratit është ndalur edhe në selinë e Partisë Socialiste të degës Berat, ku ka marrë pjesë në shpërndarjen e teserave për 40 anëtarë të rinj të PS dhe më pas në aktivin e Partisë Socialiste të kësaj dege.
Në këtë aktiv ai mbajti nje fjalim të rëndësishëm.
Shoqe dhe shokë,
Të nderuar të ftuar.
Jam sot me ju për të vlerësuar arritjet e organizatës së Partisë Socialiste të Beratit, veprimtarinë e qytetarëve të Beratit, të shoqërisë civile, të sipërmarrësve, për të vëzhguar nga afër administrimin shtetëror dhe të punëve publike dhe për të nxitur së bashku përmirësimin e punës sonë politike e qeverisëse. I bëjmë këto përpara një sfide elektorale që kemi hyrë, një kalendari politik si për partinë, mazhorancën dhe qeverinë në tërësi me objektiva tërësore shumëdimensionale, me rëndësi jetike për zhvillimin e vendit, progresin e reformave europianizuese të Shqipërisë për hapjen dhe integrimin tonë në rajon dhe me BE, pra dhe me liderët e vendeve që drejtojnë progresin në shkallë globale.
Para këtij takimi mora pjesë në inagurimin e disa veprave publike, dëshmi e vendosmërisë së qeverisë për të mos e konsideruar Beratin si "apendisitin" e Shqipërisë, por si një qytet dhe rajon me aftësi konkurruese me të sotmen dhe të ardhmen e sigurtë evropiane. Ndjeva kënaqësi që nga vizita e fundit konstatova ndryshime të spikatura në infrastrukturën dhe pamjen e qytetit, të cilat padyshim e rendisin Beratin në qytetet që i ka shfrytëzuar shumë mirë hapësirat e zhvillimit dhe progresit që vinë nga demokracia dhe shteti ligjor.
Por ashtu si ju, vlerësoj se ende kemi shumë për të bërë, për Beratin dhe gjithë Shqipërinë. Ashtu si ju vlerësoj se socialistët dhe aleatët tanë progresistë, jo vetëm në politikë, por dhe në sipërmarrje e shoqëri civile kemi ende shumë energji dhe vullnet për të përshpejtuar ritmet e reformave të zhvillimit dhe integrimit dhe vecanërisht në përfitimin e rezultateve të prekshme nga të gjithë. Dhe, sidomos për të sjellë të gjitha standratet e BE në të gjitha mjediset e veprimit tonë politik, publik, dhe administrativ, qeverisës, sipërmarrës dhe përfitues. Ne nuk kemi tregues tjetër që sintetizon frytin e investimeve tona politike përvec rezultateteve të prekshme për qytetarët.
Para se të vija këtu, kërkova nga administrata publike shifra mbi realitetet e shkuara dhe të sotme të zhvillimit të Beratit. Shpreh një kënaqësi të vecantë që në Qarkun e Beratit ushtrojnë aktivitetin e tyre mbi 3 mijë subjekte që përfaqësojnë rreth 6% të firmave në shkallë vendi. Po ndalem në këtë shifër për të kuptuar bashkë me ju përfundimisht se tregues të tillë masin rezultatet e punës së Qeverisë dhe jo numri i burokratëve që punësohen në zyrat e shtetit. Jo më kot kemi theksuar në Kongresin e 4 e PSSH se socialistët janë Parti e sipërmarrjes, e sipërmarrjes transformatore, që krahas transformimit të partisë po transformon dhe vendin, në drejtim të sipërmarrjes që prodhon mirëqënie, punësim, zhvillim dhe aftësi konkurruese të mbrojtura për shtetasit.
Për konkretizim, në gjithë sistemin publik të bashkisë së Beratit nuk punojnë më shumë se 200 vetë, ndërsa sipërmarrja private, me aktivitetin dhe investimet e saj po zgjeron vendet e punës dhe po rrit mirëqenien e komunitetit tuaj. Vetëm në territorin e bashkisë suaj sivjet janë regjistruar rreth 1600 subjekte, nga të cilat 230 bëjnë pjesë në listën e tatimpaguesve më të mëdhenj. Kështu që ne VIP-at e qeverisë ndjehemi shumë me ju VIP-at e fiskut në procesin e zhvillimit. Natyrisht ne ballafaqojmë dhe pritshmërinë e investimeve të qeverisë duke prekur ecurinë e investimeve tuaja sipërmarrëse. Ne saktësojmë ecurinë e reformave dhe të investimeve publike me realitetet konkrete që prodhojnë më shumë të ardhura, punësim dhe produkt, që aktivizojnë më mirë resurset lokale. Prandaj e kuptojmë më mirë nevojën e plotësimit të kushteve ligjore, ekonomike, financiare, bankare, administrative dhe marëdhënieve që duhet të krijojë shteti me sipërmarrjen që ajo të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të orientohet në sektorë që kanë rëndësi edhe për prioritetet e zhvillimit të vëndit dhe të integrimit në të cilat duhet të shfaqen aftësi e produkte konkurruese. .
I gjithë investimi i Qeverisë, si në fushën e reformave dhe në atë të investimeve publike ka pasur dhe ka për synim prioritar lehtësimin e kushteve për zhvillimin e sipërmarrjes private në ekonomi, si rruga më e sigurt dhe e prekshme për progres dhe integrim. Sot përuruam një kopësht publik të ndërtuar krejtësisht me financime të buxhetit të shtetit. Por sipas informacioneve zyrtare edhe në qytetin tuaj sipërmarrja private ka filluar të shtrihet me sukses si në arsimin parashkollor dhe atë shkollor. Eshtë një nga prioritetet kombëtare të strategjisë së zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vëndit, ku ashtu si edhe në prioritete të tjera si kujdesi për shëndetin publik të gërshetohen gjithnjë e më mirë në mënyrë frytdhënëse iniciativat publike me ato private.
U ndala pak në evidentimin e këtyre realiteteve për të kuptuar së bashku se puna dhe angazhimi i Partisë Socialiste duhet të ridimensionohet në realitetet e reja të zhvillimit dhe integrimit. Ky ridimensionim me theks në nxitjen e të gjitha llojeve të sipërmarrjeve, që nga ajo politike, tek ekonomia, kultura, dijet tej, kërkon të vlerësojmë arritjet e reformës sonë të brendëshme politike dhe organizative për ta përshtatur sa më mirë me stadet e zhvillimit dhe integrimit të vendit. Shkurt, sipërmarrje që shtojnë aftësitë tona konkurruese dhe fituese jo vetëm elektorale, por edhe ballafaquese me faktorët e tjerë të zhvillimit dhe vendet e tjera të komunitetit global ku po integrohemi. Vetëm kështu mund të vlerësohen rezultatet e reformës sonë të brëndshme politike dhe organizative, duke i përshtatur me stadet dhe standartet e zhvillimit të vendit.
Në mënyrë të vecantë dua të ndaj me ju analizën dhe vlerësimin për punën dhe rezultatet e dy institucioneve e reja shumë të rëndësishme të Partisë që filluan të funksionojnë pas Kongresit të 3 siç janë Komisionet e Garancive Statutore dhe Financierët e Komitetet apo konferencat socialiste nëpër rrethe. Nga përvoja 4-vjeçare kam konstatuar se këto dy institucione tepër të rëndësishme në jetën dhe veprimtarinë tonë, thuajse nuk kanë funksionuar fare në nivel rrethi. Nuk dua të bie në kthetrat e arsyetimit empirik që duhet të gëzohemi pse Komisionet e Garancive Statutore në rrethe nuk kanë probleme për të përballuar dhe zgjidhur. Ka ndodhur e kundërta në qëndër. Korrespondenca që mbërrin nga anëtarësia e Partisë apo të zgjedhurit tanë në forume rrethesh te Kryetari i Partisë apo Kryeministri më vërteton se ka shumë probleme dhe zgjidhje që kërkohen. Por prej 4 vjetësh vazhdon e njejta histori, kapërcim i strukturave vendimmarrëse vendore dhe kërkim i zgjidhjeve direkt në Tiranë dhe mundësisht vetëm te kryetari e Kryeministri. Natyrisht që nuk përtoj të trajtoj me autoritetin e Kryetarit dhe Kryeministrit shqetësimet dhe problematikën e cilitdo socialisti kudo në Shqipëri, por kur vjen puna për zgjidhje statutore, unë jam i detyruar të bashkëpunoj me forumet apo institucionet përgjegjëse sipas librit të rregullave të PSSH. Ndoshta ka ardhur momenti që puna e Komisioneve të Garancive Statutore të marrë një dimension të ri real, përtej praktikave dhe rregullave të sotme që e detyrojnë këtë institucion të shenjtë të demokracisë sonë partiake të jetë thjeshtë në pozita pritëse.
Në partitë moderne socialdemokrate perëndimore Institucioni i Garancive Statutore çertifikon cdo vendim të forumeve që mbulon, duke marrë realisht atributet e garantit të rregullave, të karrierës, të përfaqësimit, të rezultatit që buron prej tyre. Pra sipas modelit që lartpërmenda, janë Institucionet e Garancive që çertifikojnë deri dhe në propozimet e anëtarësisë apo forumeve për kandidaturat ballafaquese që synojnë përfaqësimin në administratën publike qëndrore apo vendore, apo ballafaqime elektorale. Hymë në një moment kur Sekretari i Përgjithshëm i partisë ka mbyllur takime me drejtuesit e strukturave të partisë në rrethe dhe te hartimi i listave elektorale të zgjedhjeve administrative të tetorit.
Duke ndalur te këto lista, jemi në prag të zgjedhjeve vendore që pritet të mbahen në tetor të këtij viti. Kryetari Nasufi në emrin tuaj më ka dhënë garanci se nëse zgjedhim dhe mbështesim kandidatura të goditura, socialistët kanë shanse që të përtërijnë mandatin e tyre në 10 komunat dhe 2 bashkitë e rrethit. Nga përvoja e viteve të shkuara kemi mësuar se edhe në strukturat e bazës ka doza të trafikut të votave për të futur në listat elektorale përfaqësues sipas kritere tarafesh e miqësish që duke dhunuar parimet e meritokracisë pakësojnë shanset për rezultat. Ne e zhvillojmë këtë arsyetim së bashku, për zgjedhjet e këtij viti, pasi sic e dini ka një vendim unanim të KPD që listat përfundimtare t'i miratojë Kryesia e PSSH, pikërisht për të shmangur trafikun e votës në nivel lokal. Duket si një zgjidhje emergjence, por më duhet të pranoj se një praktikë e tillë nuk është normale dhe nuk mund të vazhdojë gjatë. Në procesin kongresual që kemi përpara kur janë ngritur grupe institucionale që po studiojnë nevojën e përmirësimit të programeve dhe Librit të Rregullave, jam i prirur të shoh mundësinë e krijimit të një modeli të ri më funksionues të menaxhimit të burimeve njerëzore brënda partisë, së bashku me strukturën apo institucionin përkatës. Nuk mund të lejohet më që një pseudosocialist që del nga dera e Partisë apo institucioneve shtetërore me motivacione të certifikuara për moskryerje të detyrës, mosushtrim të mandatit dhe për më tej abuzim apo korrupsion, të riciklohet sërish nga dritaret që krijon mungesa jonë e vëmendjes apo trafiku i votës në nivele të ndryshme. Kryesia e partisë do të bëjë seleksionimin përfundimtar të vlerësimeve tuaja, por nuk besoj ta ketë të lehtë të bëjë detyrën e gardianit ndaj bartësve të fenomeneve negative. Por kjo gjë bëhet shumë thjeshtë nëse angazhohen struktura apo institucione të posacme partiake vendore. Gjykoj se ka ardhur momenti që Partia jonë të nisë me transparencë të krijojë e të plotësojë kartelën personale të secilit anëtar, e vecanërisht të zgjedhurve nëpër forume apo përfaqësuesve tanë në administratë e qeverisje. Meritokracia duhet lexuar në sytë e njeri- tjetrit dhe publikut. Ajo është konkrete, ndaj kërkon dhe një dokumentin të saktë të veprimtarisë politike dhe përfaqësuese të secilit prej nesh që do të jetë data base që bëhet pronë e anëtarëve të partisë dhe publikut të gjerë vecanërisht. Vetëm mbi baza dhe vlerësime dokumentare do i hiqet mundësia, qoftë edhe Fatos Nanos të "falë" një apo disa herë individë që Partinë e shohin vetëm si trampolinë përfitimesh të pamerituara apo të paligjshme.
Më vjen mirë që mendojmë njëlloj në të njëjtën kohë e në të njëjtin proces dhe po e shpreh me këto fjalë atë që dëgjova në përsëritur nga drejtues e struktura të tjera në rrethe për kontradiktën politike të pazgjidhur midis përfaqësuesve dhe zgjedhësve, midis partisë dhe administratorëve në ushtrimin e mandatit, kontradikta që ka marrë kudo emrin kthim kurrizi ndaj zgjedhësve dhe Partisë. Ose e thënë ndryshe meqë po flisnim për financierët, shëndoshje përfaqësuesish dhe varfërim financash të Partisë. Nuk paguajnë kuota deri ato që marrin rroga të majme.
Menaxhimi i burimeve njerëzore duhet parë dhe në funksion të zgjerimit dhe hapjes së mëtejshme të Partisë, si me anëtarë të rinj, por dhe me partnerë të rinj nga komuniteti i sipërmarrësve, ekspertëve dhe profesionistëve që nuk mungojnë as në Shqipëri dhe as në Berat. Nuk janë të pakta rastet kur unë e përdor firmën time sic e përdora sot, se nuk më ka qëlluar rallë që firmën time e kanë marrë e kanë bërë hatanë me të.
Sot pata kënaqësinë t'u jap teserën e Partisë 40 anëtarëve të rinj këtu në Berat, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin pikërisht nga shtresat që sipërpërmenda, me mesatare moshe më të re se ajo e partisë, një kampion që unë e vlerësova si model i gjithë tranzicionit tonë. Pra kishte të rinj që sot mbyllën tranzicionin nga FRESSH në PSSH, nga jopartiak në anëtar partie. Ndërkohë që partia është në tranzionin që në vjeshtë mbyll ciklin e anëtarësimit në Internacionale Socialiste, edhe Shqipëria mbyll tranzicionin në fund të vitit duke mbyllur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimin me BE. Janë të gjitha tranzicione progresiste. Përballë, duke mos qënë possesivë ne transformojmë mjedisin politik në tërësi dhe rregullat e konkurrimit apo administrimit publik. Por nuk mund të marrim përsipër transformimin e gjithckaje dhe të gjithëve. Përballë tranzicioneve tona progresiste, politike dhe kombëtare, partiake dhe shtetërore, ka gjëra të tjera që stonojnë apo kanë tranzicione regresiste. Duket se ky tranzion progresist edhe i PSSH, duke u zgjeruar e pasuruar me anëtarë të rinj, duke shtuar nivelin e ekspertizës të anëtarësisë dhe duke ulur moshën mesatare në tërësi. Mesazhi kryesor që sinqerisht ju thashë të porsaanëtarësuarve: Duket se keni aftësi konkurruese dhe po hyni në një mjedis konkurrencial. Ne kemi ndërtuar një demokraci ku konkurrohet përgjithsisht ndershëm në PSSH. Ne do ta ruajmë e zhvillojmë këtë mjedis konkurrencial brenda nesh që të jemi konkurrues edhe në tregun politik e elektoral të brëndshëm, në tregun ku po integrohet vendi për meritë të institucioneve të udhëhequra nga mazhoranca e udhëhequr prej nesh.
Nuk ka rrugë tjetër përvecse të zgjerojmë hapësirat e përfshirjes dhe integrimit të intelektualve, të militantëve ekspertë, të të rinjve që e duan kulturën e informacionin, sipërmarrjen në radhët e partisë, në radhët e përfaqësuesve, në forumet drejtuese e vendimmarrëse dhe listat e kandidatëve për fitore elektorale dhe qeverisëse. Nuk besoj se kjo bie ndesh me kërkesat e mëdha të paplotësuara të militantëve e anëtarëve aktualë për punë e vënde pune, për privilegje të ligjshme. Njerëzit me imunitet përvec kostove e sakrificave kanë edhe privilegje të ligjshme me të cilat nuk duhet abuzuar.
Kërkesat për vende pune apo privilegje të ligjshme e militantëve tanë të mrekullueshëm nuk duhet të pengojnë integrimin e elementit të ri brenda dhe pranë Partisë edhe këtu në Berat. E theksova në mbledhjen e KD të Tiranës pak javë më parë se në cdo rreth duhet të gjallërojmë dhe krijojmë (atje ku mungojnë) organizatat dhe klubet e profesioneve. Vetëm kështu ne do arrijmë të mbajmë pranë vetes pjesën më progresiste dhe profesionale të shoqërisë, duke zgjeruar njëkohësisht aktorët dhe faktorët projektues për të përshpejtuar ritmet e reformave dhe shkurtojnë afatin e integrimit të plotë të Shqipërisë në Evropë.
Lidhur me Institucionin e Financierit, shpesh në mbledhjet që si Kryetar zhvilloj me drejtuesit e Partisë në rrethe më ngrenë shqetësime lidhur me financimet e partisë. Dua të nënvizoj se më shqetëson fakti se gjatë këtyre 4 viteve të zbatimit të Librit të Rregullave nuk di asnjë rast të jetë votbesuar apo shkarkuar Financiari për paaftësi në kryerjen e detyrës së mandatuar nga Konferenca e rrethit. Kryesia dhe KPD-së nuk janë thes pa fund që derdh para dhe donacione. Ka financime legale, buxhetore dhe kuotore dhe ndonjë sipërmarrje të vockël të partisë. Modeli ynë i decentralizimit nuk mund të mbetet një maket mbi tryezë, por një skemë moderne e shfrytëzimit të burimeve njerëzore materiale dhe financiare në të gjithë territorin. Ndryshe do të vazhdojmë të prodhojmë me tesera pa kuota mandate, vende pune me rroga, kostume që largojnë të zgjedhurit nga partia dhe nga administrimi efikas në bazë të ligjit, të detyrave e fondeve publike. Unë po jap mdolin që të shihni me precedencë zbatimin dhe rezultatet e mandateve të përfaqësimit
Ky model nuk jep tituj nderi që në të shumtën e rasteve janë keqpërdorur për të kapur një vend të mirë pune, por mandat veprimi dhe rezultatesh konkrete në shërbim të Partisë dhe reformave tona integruese. Kërkoj që në analizat tuaja këtu në Berat dhe në të gjithë Shqipërinë të shihet me precedencë zbatimi i mandateve të përfaqësimit që Partia ka dhënë, për të mos lejuar më që ato të përdoren thjeshtë si bonuse përfitimi.
Shoqe dhe shokë!
Duke shprehur bindjen se reformimi i PSSH do jetë një proces i pandërprerë dhe dinamik, kërkoj angazhimin tuaj maksimal që zgjedhjet administrative të tetorit të mbyllen me sukses të plotë. Fitorja e këtyre zgjedhjeve është shumë e rëndësishme për vazhdimin e thellimit të reformave dhe përshpejtimit të integrimit evropian të vendit. Modeli i qeverisjes që ne socialistët krijuam duke rritur eficiencën e bashkëpunimit të pushtetit qëndror dhe atij vendor, kanë dhënë rezultate të paimagjinueshme më parë. Psh lulishtja që inaguruam para kësaj mbledhje është e denjë për t'u vendosur në cdo shesh të Tiranës apo qyteteve të tjera evropiane. Kthimi në identitet i qendrës së Beratit i ka rikthyer qytetit shumë nga tradita e vet për mikpritjen e turistëve. Natyrisht që ka ende shumë probleme për t'u zgjidhur, por rikthimi sivjet i turistëve në Berat, pas një mungese të gjatë kohe, është dëshmi e gjallë e ndryshimit pozitiv të realitetit.
Investimet publike në shkallë kombëtare sivjet llogariten në 400 milion dollarë, ose më të lartat e 12 viteve të fundit, nga të cilat Berati përfiton një pjesë të konsiderueshme. Këtu nuk llogariten investimet që kryejnë koorporatat publike si KESH, Telekom etj, që gjithashtu kanë volume të konsiderieshme dhe arrijnë në mbi 200 milion dollarë të tjerë. Këto burime financimi janë fryt i prekshëm i reformave që Qeveria ka ndërmarrë në grumbullimin dhe administrimin e të ardhurave publike, në luftën kundër evazionit fiskal, kontrabandës, trafiqeve etj. I nënvizova këto fakte për të kuptuar së bashku rëndësinë e reformave të cilat nuk janë abstrakte, por prodhojnë benefice për të gjithë dhe i shtojnë ato. Kjo përvojë pozitive kërkon që reformat të shtrihen edhe në nivel vendor, vecanërisht në shfrytëzimin e resurseve të vetë komunitetit. Sivjet ka nisur nga zbatimi decentralizimi fiskal dhe është në proces rregjistrimi i pasurive publike në nivel vendor. Përfitimi nga këto dy reforma do të jete tepër i dukshëm nëse autoritetet vendore do të largojnë sytë nga "Teqeja" e Tiranës dhe do të angazhohen për të thithur çdo resurs lokal në dobi të komunitetit.
Duke rivlerësuar edhe njëherë punën e strukturave të Partisë këtu në Berat dhe drejtuesit tuaj shokut Fadil, shpreh bindjen se aksioni ynë politik dhe qeverisës, deri në zgjedhje, do të na garantojë fitoren e 100% të komunave dhe bashkive në Qarkun e Beratit.
Punë të mbarë dhe suksese.