E Diel, 1 Nëntor 2026

Të nderuar Deputetë, E vlerësoj shumë këtë debat parlamentar, pasi në thelbin e tij ai shpreh shqetësimin, ndonëse jo të mbështetur në motive parimore dhe ligjore, të një pjese të p

Të nderuar Deputetë,

E vlerësoj shumë këtë debat parlamentar, pasi në thelbin e tij ai shpreh shqetësimin, ndonëse jo të mbështetur në motive parimore dhe ligjore, të një pjese të përfaqsuesve të lartë të legjislativit Shqiptar për ballafaqimin e shtetit me krimin. Dua të theksoj, që në fillim dhe pa ekuivok se për mua, jeta e humbur apo e cënuar nga veprimtaria kriminale, është e çmuar për çdo shtetas, pavarësisht nëse është qytetar i lirë, bisnesmen apo punonjës i policisë.

Këtë mocion për debat, e vlerësoj të nxituar dhe rrejshëm, pasi nuk mund asesi të motivohet, që pas çdo ngjarje kriminale të thirret qeveria në parlament për debat. Unë nuk besoj se ndonjëri këtu e konsideron Kuvendin si rajon policie apo zyrë hetuesie. Natyrisht nuk jam kundër debatit parlamentar që përcakton përgjegjësi politike dhe zgjidhje afatgjata, por në rastin konkret nuk vlerësoj se janë rrethana për të vepruar në panik, pavarësisht sjelljes në panik elektoral të opozitës.

Kam ngarkuar Ministrin e Rendit të raportojë këtu me fakte dhe të dhëna konkrete për luftën efikase të shtetit ndaj krimit, për tendencat në rënie të kriminalitetit gjatë muajve të veprimit të Qeverisë që unë drejtoj si dhe për kapjen e autorëve dhe proçedimin e tyre. Por, në radhë të parë dëshiroj të tërheq vëmendjen e iniciatorëve të këtij debati, se nëse e doni realisht këtë vend, nëse doni ta integrojmë atë në botën moderne, nëse vërtet shqetësoheni për mbrojtjen e bisnesit, atëherë merrni përgjegjësi institucionale përballë dhe jo përkrah krimit, edhe ju si pakicë opozitare, duke hequr dorë nga spekulimi mediatik për arësye të politikës së ditës. Ky abuzim i juaji nuk bën gjë tjetër veçse, fsheh kriminelët dhe shton faktorët e rrezikut për jetën e oficerëve të policisë dhe të ligjit. Këtë qëndrim, të nderuar opozitarë, nuk mund ta lejoni të degradojë në bashkëpunim me krimin e organizuar apo atë të rrugës. Më keq akoma, mbetet ende e pakuptueshme, se si opozita jonë historike riciklohet gjithmonë me të njëjtat deklarata publike që me histeri politike akuzojnë qeverinë, Kryeministrin, Ministrin e Rendit, Prokurorin e Përgjithshëm, "për pjesëmarrje" në krimin e radhës. Kjo ju ka bërë qesharakë të dashur kolegë përfaqësues. Kjo pozitë retrograde e juaja është e ç'vlerësuar në mënyrë të pakthyeshme nga opinioni publik.

Si Kryeministër dhe Kryetar i maxhorancës vlerësoj çdo debat dhe kontribut konstruktiv që synon përmirësimin e mëtejshëm të klimës dhe sigurisë së sipërmarrjes së lirë dhe të ligjshme në Shqipëri. Angazhimi prioritar i Qeverisë si dhe rezultatet më të spikatura po shfaqen dukshëm në nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike, të investimeve publike e private, të zgjerimit të tregut të punës etj, duke luftuar me vendosmëri informalitetin në ekonomi. Por teksti i mocionit për debat propozuar sot nga opozita dhe mbështetur në formë letrare nga ndonjë përfaqësues i maxhorancës nuk ka asnjë lidhje me realitetet reformuese dhe integruese që po përjeton vendi, në veçanti sipërmarrja e ligjshme, për shkak të transformimeve pozitive që po pësojnë marrëdhëniet e qeverisë me biznesin dhe për shkak të gotditjeve efikase që qeveria po u jep tentakulave të zgjatura të krimit dhe korrupsionit në politikë.

Më lejoni t'ju bëj me dije që në fillim se për vitin 2003 investimet e brendshme në ekonominë shqiptare kapërcejnë 1 miliard dollarë, pa përmendur rreth 200 milionë dollarë investime të huaja direkte të angazhuara vetëm në këta 5 muaj në infrastruktura të rëndësishme me karakter kombëtar dhe rajonal. Sipërmarrja private vendase që ju e konsideroni "të terrorizuar", ka rritur për 5 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2002 me 33% investimet në makineri e pajisje, duke dhënë kështu garanci të pakundërshtueshme dhe të pamanipulueshme se klima e sotme për sipërmarrje dhe rezutatet e pritshme janë dinamike dhe premtuese për rritje të qëndrueshme ekonomike. Dua gjithashtu t'ju bëj me dije se në dosjet e punës së institucioneve publike, sipërmarrësit privatë shqiptarë kanë paraqitur vetëm muajin e fundit aplikime dhe kanë kërkuar autorizime për të kryer më shumë se 200 milionë dollarë të tjera investime kapitale në sektorë të infrastrukturës kombëtare dhe degëve prioritare të ekonomisë, të cilat padyshim që do të nisin së shpejti.

Kjo klimë e re dhe shumë e favorshme për zhvillimin e ekonomisë kombëtare dhe sipërmarrjes private të ligjshme erdhi për shkak të kombinimit nga ana e Qeverisë të politikave të stabilitetit makroekonomik me ndërhyrjet ekzekutive dhe ligjore që po kufizojnë ekonominë informale, që po marxhinalizojnë monopolet dhe konkurencën e paligjshme, që po thjeshtojnë bashkëpunimin mes përfaqësuesve të biznesit dhe institucioneve e agjensive publike për zhvillim. Vetëm në 5 muajt e parë të këtij viti janë regjistruar në organet tatimore 5 mijë subjekte më shumë se gjithë viti 2002. Kjo shifër ka tendenca të qarta rritje për shkak të rezulateve që po jep decentralizimi i autoritetit fiskal i aktivizuar këtë vit. Kjo shifër po vjen ende në rritje edhe për shkak të lindjes së qindra sipërmarrjeve të reja, të cilat mesa duket nuk e gjykojnë njësoj si opozita e vjetër mjedisin ekonomik dhe legal të sipërmarrjes në Shqipëri dhe, ç'është më e rëndësishmja, nuk stepen nga "shashkat" e zhurmshme që lëshon ajo.

Ky progres e bind më shumë Qeverinë dhe partnerët e saj vendas e të huaj për efektin e reformave që kemi ndërmarrë dhe na stimulon më shumë që të përshpejtojmë veprimet e programuara për të arritur sa më shpejt standartet e tregut të integruar dhe të sigurisë sipërmarrëse që konsolidojnë aftësinë konkurruese të operatorëve ekonomikë brenda vendit dhe në tregjet rajonale e globale. Gjej rastin t'ju them se sot p.sh. çmimet e dosjeve të referencës në dogana aplikohen vetëm për 22% të importeve, që do të thotë se administrata doganore përfundimisht po gjen një ekuilibër ligjor dhe real mes luftës kundër evazionit dhe respektit ligjor ndaj transaksioneve transparente të sipërmarrjeve vendase dhe të huaja. Për më tej, angazhimi i Qeverisë për të eleminuar përfundimisht arbitraritetin e trashëguar të administratës fiskale (tatimore dhe doganore) ndaj sipërmarrjes na çoi në hartimin dhe shqyrtimin e projektligjeve të standarteve evropiane "Për Arbitrazhin", "Për ndërmjetësit e konflikteve tregëtare", "Për Konkurrencën" etj. Këto instrumente janë pjesë e një pakete të plotë aktesh normative dhe nënligjore që Qeveria po përgatit në bashkëpunim me komunitetin e sipërmarrjes dhe partnerët ndërkombëtarë, për t'i dhënë një nxitje të mëtejshme investimeve në ekonomi, përfundimit të proçesit të privatizimeve, rritjes së të ardhurave dhe zgjerimit të punësimit. Nga kjo paketë dua të veçoj përmirësimet në ligjin "Për shoqëritë Tregëtare", përmirësime në legjislacionin e liçensimeve dhe barrierave administrative me qëllim minimizimin e tyre, projektligjin "Për parandalimin e pastrimit të parave" etj.

Duhet nënvizuar se ka një rritje spektakolare të kapaciteteve zbatuese të ligjeve dhe vendimeve të gjykatave. Vetëm në 5 muajt e fundit ekzekutimi i vendimeve gjyqësore nga ana e institucionit të Përmbarimit është rritur 120% krahasuar me një vit më parë. Objektiv i Qeverisë që unë drejtoj është që deri në fund të mandatit ky nivel të arrijë në 100% të vendimeve të marra nga gjykatat.
Kjo të nderuar deputetë është klima ekonomike dhe ligjore mbi të cilën po funksionon, zgjerohet dhe integrohet sipërmarrja shqiptare që nxiti Qeverinë shqiptare dhe Komisionin Evropian në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të nisin brenda këtij viti negociatat për një Marrëveshje të Tregëtisë së Lirë, krahas rrjetit të këtyre marrëveshjeve që kanë nisur të zbatohen me vendet e rajonit.

Bëra këtë ekspoze të realitetit të ekonomisë dhe investimeve për të qartësuar ju dhe publikun pa ju shmangur thelbit të kërkesës për debat të opozitës, por për të ardhur natyrshëm në njohjen e nivelit aktual të sigurisë së sipërmarrjes në veçanti dhe, të lëvizjes së lirë të shtetasve në përgjithësi. Në tërësi, në 5 muajt e parë të vitit 2003 janë kryer 50% më pak krime me vrasje, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Në janar – maj 2003 kanë ndodhur 5 rrëmbime të cilat rezultojnë të zgjidhura tërësisht prej forcave të policisë së shtetit, duke dërguar të gjithë autorët dhe bashkëpunëtorët para drejtësisë. Veçanërisht rastet e krimit dhe dhunës ndaj sipërmarrësve janë trajtuar me prioritet nga ana e Qeverisë dhe institucioneve të vartësisë, duke zbuluar 100% autorët ose duke i dorëzuar drejtësisë rrëmbyesit. Angazhimi i Qeverisë për një ekonomi ligjore të tregut të lirë, si dhe rritja e bashkëpunimit të komunitetit sipërmarrës për të luftuar së bashku informalitetin dhe krimin në ekonomi, evazionin fiskal, ekonominë CASH, konkurencën e paligjshme etj, janë faktorët bazë që do të rrisin nivelin e sigurisë së sipërmarrjes si dhe parandalimin e akteve të dhunës spontane ndaj kësaj shtrese.

Natyrisht që Qeveria është e shqetësuar për kriminalitetin që në mënyrë krejtësisht sporadike është drejtuar edhe mbi sipërmarrësit, por vlerëson se nuk ka asnjë motiv për të dhënë alarme false dhe aq më pak për të kërkuar kapital informal politik duke trembur kapitalin ekonomik dhe financiar të ligjshëm. Unë ju këshilloj, zotërinj opozitarë, të mos vazhdoni të tentoni pastrimin e titukve tuaj elektoralë të ç'vlerësuar në kurriz të sipërmarrësve të ndershëm. E rëndësishme për mua si Kryeministër është se gjithnjë e më mirë krimi i organizuar po goditet nga një sistem drejtësie më i organizuar. Dua të përmend se në 5 muajt e parë të këtij viti, gjykatat superiore kanë prishur vetëm 48% të vendimeve të gjykatave më të ulëta, ndërkohë kur ky koeficient në Evropën e Bashkuar është sot 38%. Megjithëse numri i krimeve për këtë vit ka rënë siç e theksova me 50% më pak se një vit më parë, ka ardhur në rritje numri i çështjeve që gjykatat marrin në shqyrtim nga organi i Prokurorisë. Pavarësisht nevojës për ritme më të larta në reformimin e sistemit të drejtësisë, arritjet janë tepër inkurajuese. Ky progres ka ardhur për shkak të respektimit dhe nxitjes nga ana e Qeverisë dhe maxhorancës të pavarësisë dhe bashkëveprimit kushtetues të organeve dhe institucioneve të drejtësisë, ndryshe nga opozita e vjetër që duke tentuar të ndërhyjë deri në përcaktimin e figurës së krimit, po dëshmon se nuk është e aftë të heqë dorë nga mendësia dhe praktikat e gjykatave speciale dhe prokurorive politike. Në këtë funksion, sot nëshkruam marrëveshjen ndërinstitucionale për krijimin dhe funskionimin e task forcës për luftën kundër krimit të organizuar, e cila synon goditjen e tij frontale nga një sistem drejtësie të organizuar.

Të nderuar deputetë,
Më duhet të pranoj se ka një ndryshim nuancor, por të përmbajtur, të qëndrimeve të opozitës ndaj ekonomisë dhe sipërmarrjes shqiptare. Ndërsa jo larg në kohë i bënte thirrje biznesit vendas dhe të huaj të mos investonte në Shqipëri (shyqyr Zotit që nuk vuri veshin kush), ndërsa sot po përpiqet t'a trembë duke tentuar të mbjellë psikozën e pasigurisë dhe terrorit. Një opozitë e përgjegjëshme dhe me shqetësime reale e parimore nuk bën demagogji dhe aq më pak mashtron me ekonominë dhe sipërmarrjen kombëtare, por inicion aksione ligjore që përmbysin realitetet e pretenduara negative.

Ne po abzorbojmë kaosin dhe informalitetin ekonomik të trashëguar, evazionin fiskal, abuzimin në treg, korrupsionin dhe kioskëzimin e bizneseve, fenomene këto që regjimi i Berishës mbolli në Shqipëri. Ne po i integrojmë bizneset në tregun kombëtar, rajonal dhe atë global mbi bazën e kritereve ligjore dhe institucionale standarte të tregut të lirë dhe jo mbi bazën e përkatësisë politike sic i shpartalloi sistemi Berisha. (Zoti Berisha krijoi Shoqatën e biznesmenëve Demokratë dhe po më këtë mendësi, duke abuzuar me ngjarje sporadike negative krejt të veçuara, u bën thirrje bisnesmenëve të marrin teserën e PD-së). Mbi të gjitha, sukseset e spikatura të qeverisë që unë drejtoj, në luftë kundër informalitetit, evazionit dhe korrupsionit, nuk janë të bazuara në arrestime masive dhe plaçkitje pa gjyq të sipërmarrësve, siç bëri zoti Berisha dhe rregjimi i tij.

Si Kryetar i maxhorancës dhe Kryeministër i saj shpreh keqardhjen që opozita deri tani po i shfrytëzon hapësirat për bashkëpunim e konsensus politik për zhvillim e integrim vetëm për reformën zgjedhore apo për të fituar ndonjë karrike në institucionet kushtetuese të vendit, ndërkohë kur ne do të mirëprisnim pa rezerva kontributin e saj total për reforma të thella, që luftojnë varfërinë, krimin dhe trafiqet dhe konsolidojnë e përshpëjtojnë zhvillimin e integruar të ekonomisë dhe administrimit të shërbimeve publike dhe sipërmarrjes private në proçesin europian të vendit.

Faleminderit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›