E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në inagurimin e fillimit të punimeve të spitalit Kirurgjikal për Okulistikën, ORL, dhe kirurgjinë Maxillo-Faciale, i cili kap vlerën prej më shumë

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në inagurimin e fillimit të punimeve të spitalit Kirurgjikal për Okulistikën, ORL, dhe kirurgjinë Maxillo-Faciale, i cili kap vlerën prej më shumë se 5 milionë euro.
Kryeministri Nano fillimisht ka zhvilluar një takim me Ministrin e Shëndetësisë Mustafa Xhani, Drejtorin e QSUT-së Mihal Tase dhe përfaqësues të tjerë të kësaj Qëndre Spitalore.
Në këtë takim Kryeministri është njohur me situatën e përgjithshme në sistemin spitalor shqiptar, si dhe është interesuar mbi mbarëvajtjen e punëve në institucionin më të madh spitalor në vend QSUT "Nënë Tereza".
Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe Ambasadori francez në Shqipëri, Ministri i Shtetit pranë Kryeministrit Blendi Klosi, Ministre e Punës dheÇështjeve Sociale Valentina Leskaj, Prefekti i Tiranës Artan Nelaj si dhe një pjesë e personelit të QSUT-së.
Kryeministri Nano ka përuruar fillimin e punimeve të këtij spitali të ri që do të ngrihet në ambientet e QSUT-së "Nënë Tereza" në Tiranë duke mbajtur edhe një fjalë përshëndetëse.

"Të nderuar pjesëmarrës,
I nderuar Z. Ambasador i Francës !

Kam sot kënaqësinë të marr pjesë në ceremoninë e inaugurimit, për fillimin e punimeve të spitalit më të ri në vendin tonë, atë të spitalit Kirurgjikal për Okulistikën, ORL, dhe kirurgjinë Maxillo-Faciale, i cili do të kapë vlerën prej më shumë se 5 milion eurosh. "Kurojmë" sot një mungesë, të cilën prej vitesh e vuanim, dhe kjo falë dhuratës bujare dhe të paçmuar të Qeverisë Franceze, e të taksapaguesve francezë. Ky spital do të simbolizojë respektin e Francës për qëndrimin e popullit dhe Qeverisë Shqiptare në periudhën e vështirë të krizës së Kosovës.

I prezantuar fillimisht nga Z. Bernard Kushner në vitin 1999 me cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë të Francës, pas kapërcimit të shumë vështirësive të karakterit tekniko-burokratik, ne asistojmë sot në fillimin e punimeve të tij. Kështu, pranë spitalit të vetëm Universitar të vendit, zë fill ndërtimi për një godinë të re të niveleve perëndimore dhe pas saj, vinë inaugurimet në spitalet e Durrësit, Shkodrës, Korçës, etj, provë kjo se programi i Qeverisë i cili ka për qëllim prioritar përmirësimin rrënjësor të shërbimeve dhe afrimin e tyre me standartet Europiane po implementohet me ritmin e duhur.

Qeveria, në zbatim të programit të saj të reformave, do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht progresin në sektorin publik shtetëror që ka të bëjë me perfeksionimin e menaxhimit, informatizimin, futjen e konceptit të kostos për çdo shërbim, që do të sjellë një rritje të kontrollit dhe cilësisë së shërbimeve, zgjerimin e gamës së ndërhyrjeve, që ende duhet të kryhen në vendin tonë.

Spitali Universitar, "Nënë Tereza" me një varg shërbimesh unikale, është fytyra e Shëndetësisë Shqiptare, "stacioni i fundit" ku pacientët shqiptarë mund të gjejnë shërim për sëmundjet e tyre, ndaj ne nxisim ndryshimin e koncepteve menaxheriale dhe përafrimin e tyre me konceptet dhe praktikat bashkëkohore. Qendra Spitalore Universitare përveç synimit për një menaxhim bashkëkohor nuk duhet të jetë vend ku mund të "vegjetojë" mediokriteti.

Me këtë përurim punimesh ne shënojmë njëherësh një hap të ri në modernizimin e mjekësisë shqiptare. Objektivi i saj, duhet të jetë ulja e numrit të atyre qindra shqiptarëve që kërkojnë trajtim mjekësor jashtë shtetit, me pasoja të rënda e shpesh herë të papërballueshme ekonomike, psikologjike e të gjithanshme, nëpërmjet rritjes së cilësisë së shërbimit, krahas një politike për inkurajimin e shërbimit komplementar privat. Krahas shumë projekteve të tjera, projekti 10-vjeçar I Bankës Botërore, i cili vetëm në fazën e parë do të kapë shifrën prej 4 milion dollarësh, do të jetë një ndihmë e drejtpërdrejtë për këtë sektor në shërbim të publikut.

Uroj dhe një herë, që krahas rinovimit fizik të ambjenteve, QSUT "Nënë Tereza", të kthehet në "maternitetin" e reformave shkencore në Shëndetësinë Shqiptare, me rrezatim në të gjitha spitalet e tjera të vendit.

Ju uroj punë të mbarë !

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›