E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot në praninë e Kryeministrit Fatos Nano, është nënshkruar memorandumi i Mirëkuptimit për krijimin e Task Forcës së Posacme mbi Krimin e Organizuar nga Ministri i Shtetit pranë Kryeministr

Sot në praninë e Kryeministrit Fatos Nano, është nënshkruar memorandumi i Mirëkuptimit për krijimin e Task Forcës së Posacme mbi Krimin e Organizuar nga Ministri i Shtetit pranë Kryeministrit Blendi Klosi, Ministri i Rendit Luan Rama dhe Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku.

Në këtë ceremoni morën pjesë gjithashtu edhe Zv/Ambasadorja e SHBA në Tiranë znj. E. Shelton si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Bajram Ibraj.

Me këtë rast Kryeministri Fatos Nano ka përshëndetur nënshkrimin e këtij Memorandumi duke u shprehur:

Më lejoni të shpreh kënaqësinë time të vecantë që jam bashkë me përfaqsues të insitucioneve të shtetit ligjor për të lançuar një projekt kaq të rëndësishëm të luftes institucionale kundër krimit të organizuar.

Në programin e Qeverisë, por edhe në aksionet tona të përditshme mbeten në qendër të vëmendjes konsolidimi i institucioneve dhe forcimi i bashkëpunimit mes tyre për të goditur krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme në dobi të ritmeve të zhvillimit normal të shoqërisë dhe perspektivave të saj europiane.

Memorandumi që nënshkruhet sot midis përfaqsuesve të Qeverisë dhe të Prokurorisë duke krijuar strukturën e re të quajtur ,"Task Forca e Posacme për Krimin e Organizuar", i shërben harmonizimit e veprimit të institucioneve për të nxitur aksione më të koordinuara të përbashkëta ekzekutive dhe ligjore. Angazhimi politik dhe ekzekutiv i Qeverisë Shqiptare në këtë mënyrë do të mbështetet më mirë nga Prokuroria dhe Institucionet e specializuara të drejtësisë për të bllokuar dhe ndëshkuar në mënyrë të vecante trafikantët e qenieve njerëzore, të drogës dhe korrupsionin administrativ në tërësi.

Gjatë njëmbëdhjetë muajve të fundit ne i kemi dhënë goditje decizive trafiqeve dhe rrjeteve të korrupsionit që kanë shoqëruar tranzicionin kaotik të shoqërisë shqiptare. Boshllëqet institucionale e ligjore të krijuara pas rrëzimit të regjimit të vjetër, krizat sociale dhe ekonomike të kaluara, dobësia e natyrshme e institucioneve të reja të krijuara, kanë bashkejetuar pa u pajtuar me fenomenet negative të tranzicionit. Tashmë kemi arritur në një pike kur ky ballafaqim i papajtueshëm duhet fituar nga shteti si domosdoshmëri jetike për zhvillimin, progresin dhe integrimin europian të vendit. Unë jam i bindur se tani i kemi të gjitha kapacitetet dhe instrumentet për të luftuar dhe goditur me efikasitet dhe në mënyrë të koordinuar të gjitha shfaqjet dhe elementet që i ushqejnë këto tendenca kriminale, në shoqëri dhe ekonomi, në politike dhe administrimin publik, në marrëdhëniet e brendëshme dhe ato me botën.

Hapat që po ndërmerr qeveria për t'i dhënë fund këtyre plagëve rikonfirmojnë vendosmërinë e saj për ta fituar këtë lufte. Ne e mbështesim këtë bindje tek krijimi i strukturave të qëndrueshme dhe trainimit të ekipeve të afta për të garantuar zbatimin e ligjit dhe ndëshkimin e mbartësve të veprimtarisë kriminale. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtare të cilët gjej rastin t'i falenderoj sërish për kontributin dhe asistencën e çmuar. Krimit tashmë me tipare ndërkombëtare do t'i kundërvihemi me veprimtarinë të bashkërenduar të strukturave antikrim të institucioneve tona në bashkërendim institucional edhe me partnërët dhe fqinjët tanë.

Nismat e fundit që kemi ndërmarrë për forcimin e bashkëpunimit në rajon edhe më gjërë janë konfirmim i vendosmërisë për të konsoliduar më tej progresin e regjistruar edhe në raportin e fundit të Departamentit amerikan të shtetit duke mbyllur ciklin e ndëshkimit ligjor të cdo akti kriminal.

Përballë krimit të organizuar ne do të veprojmë me forcën goditëse të drejtësisë së organizuar.

Ju faleminderit dhe suksese!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›