Kryeministri Fatos Nano priti në një takim të veçantë sot paradite Prokurorin kombëtar të Antimafias Italiane, z. Pier Luixhi Vinja. Kryeministri Nano, në fillim të këtij takimi, ka shpr

Kryeministri Fatos Nano priti në një takim të veçantë sot paradite Prokurorin kombëtar të Antimafias Italiane, z. Pier Luixhi Vinja.
Kryeministri Nano, në fillim të këtij takimi, ka shprehur vlerësimet për mbështëtjen dhe asistencën e deritanishme të Prokurorisë së Antimafias italiane dhe bashkëpunimin në shumë çështje, duke i konsideruar si partnerë të përgjegjshëm në skemat e përbashkëta të luftës kundër aktiviteteve kriminale.
"Ne jemi maksimalisht të angazhuar për të thelluar këtë bashkëpunim në funksion të nxitjes dhe aplikimit të instrumentave ligjorë dhe institucionalë të cilët do të ndihmojnë në një luftë më efikase kundër krimit të organizuar", tha Kryeministri, duke shtuar se jemi duke punuar për të konsoliduar drejtësinë e organizuar kundër krimit të organizuar.
Kryeministri është shprehur se për këtë qëllim janë ngritur struktura të posaçme siç është dhe task forca për Krimin e Organizuar, e cila harmonizon veprimet e institucioneve të drejtësisë për të bllokuar, ndëshkuar dhe goditur trafikantët, që nga ata të qënieve njerëzore dhe drogës, deri tek korrupsioni administrativ.
Ndër të tjera, Kryeministri Nano veçoi domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe intensifikimit të kontakteve mes strukturave homologe të të dy vendeve tona, me qëllim goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve.
Nga ana e tij Prokurori i Antimafias Italiane, z. Vinja, u shpreh mjaft i kënaqur për nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit me palën shqiptare, duke theksuar vullnetin për ndërrmarrje të aksioneve të përbashkëta kundër aktiviteteve kriminale.
Z. Vinja vlerësoi gjithashtu dhe angazhimin e Qeverisë Shqiptare për të plotësuar kuadrin e duhur ligjore për të goditur krimin e organizuar, pastrimin e parave ashtu dhe për krijimin e gjykatës së krimeve të rënda.