E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqe dhe shokë anëtarë të Kryesisë, Po e zhvillojmë këtë mbledhje të Kryesisë të PSSH për të marrë vendime shumë të rëndësishme që lidhen me garantimin e fitores së zgjedhjeve

Shoqe dhe shokë anëtarë të Kryesisë,

Po e zhvillojmë këtë mbledhje të Kryesisë të PSSH për të marrë vendime shumë të rëndësishme që lidhen me garantimin e fitores së zgjedhjeve administrative që do të mbahen në tetorin e këtij viti ne Shqipëri. Pjesë e këtyre vendimeve do të jetë dhe analiza e shqyrtimi i progresit të transformimeve te gjithanëshme e të thella politike, institucionale, ekonomike dhe sociale që vendi po kryen në procesin kompleks të integrimit evropian dhe të realizimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Në këtë analizë, sipas traditës sonë tashmë të konsoliduar, janë në mënyrë të pandryshueshme të ftuar të japin vlerësimet dhe kontributet e tyre të gjithë ata që bashkohen me bindjen tonë se maxhoranca progresiste, që ne socialistët drejtojmë, ka jo vetëm vullnet, por zotëron kapacitete e energji të mjaftueshme dhe të rinovueshme për të përshpejtuar ritmin e reformave në përftimin e rezultateve të prekshme nga shtetasit tanë dhe të vlerësuara nga partnerët ndërkombëtare.

Që në fillim theksoj se progresi i arritur deri tani është garancia më e mirë për fitoren e zgjedhjeve administrative të tetorit 2003. Kjo do të ndodhë nëse angazhimi ynë politik, qeverisës dhe qytetar bëhet më i përgjegjshëm, më aktiv, më konstruktiv, më luajal dhe i koordinuar më mirë përballë zgjedhësve.
Ne do të vazhdojmë t'i qëndrojmë parimit dhe traditës së zgjerimit të bazës së qeverisjes, jo vetëm brenda nesh, por dhe me aleatë të forcave të tjera progresiste në vend. Marrëdhëniet me partnerët tanë tradicionalë të koalicionit "Aleanca për Shtetin", kanë hyrë në një stad të ri për shkak të realiteteve të reja që po përjeton zhvillimi i vendit, por dhe për shkak të ridimensionimit të partneritetit mes nesh. Ndryshimet që pësuan raportet mes partive partnere në koalicion vitin e fundit, u trumbetuan herë si tronditje e herë si krisje të "Aleancës". Koha vërtetoi se PSSH dhe aleatët e saj asnjëherë nuk rrëshqitën në pazare votash, por duke respektuar dimensionin elektoral të çdo partie, duke vlerësuar kapacitetet reale për kontribute dhe përgjegjësi si dhe duke konsideruar prioritet të padiskutueshëm interesat e anëtarësive respektive dhe maxhorancës së zgjedhësve progresistë shqiptarë, ridimensionuan me vullnet te qëndrueshëm raportet dhe konceptet e bashkëpunimit. Ne vazhdojmë të mbetemi të hapur për aleanca parimore e programore me partitë progresiste që garantojnë më mirë zgjerimin e bazës së qeverisjes për reforma, që kontribuojnë drejtpërdrejt në thellimin dhe përshpejtimin e transformimeve integruese dhe rezultateve të tyre në Shqipëri.

Mbyllja sa më parë e negociatave të bashkëpunimit elektoral me aleatët do të na krijojë mundësinë që të përshpejtojmë përgatitjet për të përzgjedhur dhe përcaktuar brenda muajit korrik kandidatët që do të na përfaqësojnë në zgjedhjet administrative të tetorit 2003. Periudha e mbetur është e shkurtër, prandaj si Kryetar i PSSH do të ftoja ju dhe drejtuesit e tjerë, anëtarësinë dhe të gjithë të mandatuarit në forumet dhe institucionet përfaqësuese të angazhohen në solidaritet për të përmbushur kalendarin politik që do të shqyrtojmë edhe sot.

Pa neglizhuar aspak rëndësinë e respektimit të këtij kalendari, theksoj se procesi dhe serioziteti i përzgjedhjes së kandidatëve lidhet drejtpërdrejt me fitoren e zgjedhjeve të tetorit. Në realitetin konkurues ka marrë fund koha kur kandidat i PSSH mund të perzgjidhet sipas mendësisë klienteliste dhe klaniste, se cilido që të kandidojë Partia, do të fitojë. Nëpërmjet këtij procesi përzgjedhës ne duhet të korrektojme mangësite e së shkuarës te cilat në disa bashki dhe komuna na kanë sjelle vështirësi në perfaqësim politik dhe në menaxhim te interesave të komuniteteve dhe të piroriteteve të programit tonë politik dhe elektoral. Kandidatet tanë kanë shansin më të madh për shkak se ne, progresistet, dimë te menaxhojmë ineteresat e komuniteteve në përputhje me rregullat e decentralizimit te pushtetit qe tashme janë, po bëhen realitet dhe duke përcaktuar domosdoshmërinë e një kualiteti të ri të përzgjedhurve. Kjo përzgjedhje do të na sigurojë një qëndrueshmëri në integrimin e interesave të vetë komuniteteve si dhe ndërmjet rajoneve brenda vendit, por edhe me realitete evropiane.

Nga ana tjetër, si Kryetar i PSSH, shpreh bindjen se riorientimi i Kryesisë në detyra politike dhe organizative që përballojnë ritmin e fushatës parazgjedhore dhe zgjedhore do të japë rezultatet e pritshme nga të gjithë. Vetëm neglizhenca apo mungesa e përgjegjësisë në ushtrimin e mandatit përfaqësues do të dëmtonte sadopak arritjen e rezultateve të merituara të PSSH dhe aleatëve tanë në zgjedhjet administrative të tetorit.

Të dashur shokë e shoqe,

Kur njëmbëdhjetë muaj më parë unë pranova të marr përgjegjësitë edhe si Kryetar i qeverisë socialiste, dhamë së bashku një prove tjeter te përgjegjësisë sime dhe tuajës që reformat integruese në Shqipëri të përshpejtoheshin, përgjegjësi të cilat as unë kurrë, as ju kurrë nuk i jemi shmangur, në të mirë, jo vetëm të Partisë Socialiste, por dhe të gjithë Shqipërisë dhe progresit të saj.

Dhe vërtet, gjatë njëmbëdhjetë muajve të fundit të qeverisjes socialiste, qysh kur ju të gjithë vendosët të më mandatoni si Kryeministër të Republikës së Shqipërisë, progresi i vendit është i dukshëm dhe i prekshëm. Ky progres në mënyrë të spikatur është kulmuar me ngjarje të mëdha historike për Shqipërinë. U fillua me mbylljen e trafikut të qënieve njerëzore, vazhdoi me zyrtarizimin e çeljes së negociatave me BE-në që po ecin shumë mirë dhe më tej me forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe veçanërisht me dy shtetet fqinje, anëtarë të BE-së, që kalojnë stafetën e Presidencës për këtë vit, Italinë dhe Greqinë, kur mbetemi të vlerësuar në mënyrë të qëndrueshme dhe nxitëse për politikën e moderuar dhe konstruktive të Shqipërisë në rajon. Nuk është e tepërt të përsëris se edhe në këto aksione të spikatura të veprimtarisë ndërkombëtare kemi qenë nga ju deri te Kryeministri, që kanë determinuar me iniciativa dhe autoritet të përshëndetur krijimin e këtij realiteti të ri. Besoj se të gjitha sa thashë janë fakte dhe jo pjesë e ndonjë demagogjie.

Stabiliteti politik i demonstruar nga qeverisja jone, është provë dhe garanci e përgjegjesisë sonë për të qeverisur vendin në drejtim të Europës së Bashkuar. Ato janë edhe një element i rëndësishëm që ka rritur ndjeshëm efikasitetin e bashkëpunimit dhe partneritetit tonë me institucionet ndërkombëtare dhe me aktorët joqeveritarë të zhvillimit. Kjo është, nga ana tjetër, pjesë e një stabiliteti më të gjerë politik, që erdhi menjehëre pasi i mandatuar nga ju, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, unë nëshkrova dy marrëveshjet e njohura me opozitën që kishin të bënin me reformen zgjedhore, zgjedhjen e Presidentit te Republikës dhe thellimin e reformave institucionale ne pergjithësi. Unë, ndryshe nga sa pretendohet, e konsideroj ende aktive dhe produktive marrëveshjen dhe procesin e bashkëpunimit institucional me opozitën, madje, tashti e konsideroj atë të maturuar për aq kohë sa opozita vepron ne mënyre institucionale dhe reformat vazhdojnë të zbatohen dhe thellohen. Me këtë rast nuk mund të mos permend vlerësimin për punën e shkëlqyer të bërë nga komisioni bipartisan parlamentar në lidhje me reformën zgjedhore, apo edhe punën e një vargu komisionesh te tjerë parlamentarë, pavarësisht tepërimeve dhe deformimeve te shfaqura në ndonjë rast.

Shokë e shoqe,

Kemi arritur te thellojmë një proces të gjithanshëm reformash transformuese të cilat reflektojnë në programin tonë politik dhe qeverisës. Vlerësoj se nuk ka asnjë ekuivok në forumet tona politike për domosdoshmërinë e këtyre reformave që në mënyrë të sigurt do të na integrojnë në BE dhe NATO. Vlerësimi ndërkombëtar për ecurinë e këtyre reformave nuk vjen rastësisht, por në radhë të parë, vjen për shkak të vullnetit konsistent të institucioneve drejtuese të partisë dhe të Qeverisë si dhe të Kryeministrit tuaj që kanë treguar determinizëm dhe kurajo për tranformimet integruese që thellohen dhe duhet të vazhdojnë. Ne arritëm që, brenda një viti të demonstrojmë para shqiptarëve dhe partnerëve euroatlantikë, se jemi në gjendje të krijojmë duke marrë përsipër edhe kostot e nevojshme, stabilitetin politik pa cënuar aspak të drejtat demokratike që gëzon opozita, madje duke i zgjeruar ato; ne demonstruam një angazhim serioz dhe prej një viti nga Shqipëria nuk niset për në bregun tjetër asnje emigrant ilegal, ndërsa është rritur ndjeshëm forca goditëse e strukturave te shtetit ligjor kundër krimit dhe trafiqeve dhe veprimtarive të paligjshme; ne demonstruam se jemi në gjendje të hartojmë dhe implementojmë programe konkrete veprimi dhe strategji afatgjata për zhvillimin e reformave prioritare të europianizimit të vendit.

Për këtë arsye, qysh me ardhjen time në drejtim të qeverisë, me pergjegjesi, për herë të parë në historinë dymbëdhjetëvjeçare të qeverisjes në pluralizëm, ne përpiluam programe pune 35- mujore për të gjitha ministritë e linjës dhe ndërtuam teknologjinë e qeverisjes mbi bazë të matshme matricash që monitorohen. Strategjia e zhvillimit të sektorit të energjisë, të punësimit, të zhvillimit të teknologjisë së informacionit, programet e veprimit për integrimin rajonal krahas atij europian, për reformat në drejtësi, për infrastrukturën rrugore, për rezervat ujore dhe pasurisë minerare etj, besoj se janë shembujt më të spikatur të arritjeve tona. Në këtë mënyrë qeverisja u bë e orientuar dhe afatgjatë dhe preku themelet e proceseve të reformave të një shoqërie, duke synuar kryesisht shërimin e defekteve që ka një sistem në tranzicion.

Krahas këtyre hapave konkrete, po përballojmë edhe sfida të rëndësishme në reformimin e administratës publike, duke e çpolitizuar atë më tej si, duke afruar gjithnjë e më shumë profesionistë dhe kapacitete të shkolluar në perëndim. Me kombësi shqiptare. Kemi arritur më në fund të minimizojmë klanizmat dhe ndërhyrjet politike në emërime duke shtrirë gjerësisht frymën e ligjit "Për statusin e nëpunësit civil" edhe në sektorë të tjerë të administratës, përfshi edhe nivelin e lartë drejtues, ku ndryshe nga disa muaj me parë, tashmë thuajse te gjithë emërimet bëhen në bazë konkursi të hapur.

Ekonomia jonë vazhdon të ketë një ritëm rritjeje të qëndrueshëm, ritëm i cili jep garanci e besueshmëri tek institucionet ndërkombëtare për të vazhduar të mbështesin me donacione dhe financime strukturore thellimin e reformave në ekonomi dhe në treg. Unë kam deklaruar, qysh në programin e qeverisë se, kjo qeveria juaj, është qeveria e luftës kundër informalitetit dhe e konsolidimit të tregut të lirë sipas standarteve europiane, pavarësisht nga reagimi i botës së krimit që më së shpeshti ushqehet pikërisht nga informaliteti dhe nga lidhjet e veta gjithashtu informale me politikën dhe, unë do të vazhdoj përkrah jush, ta denoncoj dhe ëe kërkoj të ndëshkohet institucionalisht ky informalitet që pjell kriminalitet.

Unë nuk kam aspak ndërmend të bëj këtu tirada për arritjet e qeverisë, të cilat, në analizë të fundit janë arritje të vetë Partisë Socialiste dhe janë mjeti më i mirë demokratik për ta mbajtur opozitën në pozicionin që ndodhet prej gjashtë vjetësh. Por gjej me vend të theksoj certifikimin e arritjeve të Qeverisë tonë nga ana e partnerëve tanë euroatlantikë për cështjet më sensitive që monitorohemi, të përfshira në kapitullin "Home and Justice". Këto vlerësime për cështjet kryesore ku kërkohet angazhimi i Shqipërisë dhe institucioneve të saj u shfaqën evidente edhe në Samitin e Selanikut në takimin e BE me vendet e rajonit. Gjithashtu janë të njëjtat lista arritjesh dhe problemesh për t'u zgjidhur që vijnë edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Këto arritje janë pjesë e programit te qeverisë dhe e detyrimeve tona integruese. Më hollësisht:

Ne sektorët e policisë dhe të ndjekjes penale:
Janë shënuar si detyra që kanë realizuar progres,
1 - Ngritja dhe funksionimi i zyrës qendrore të kontrollit të brendshëm për hetimin e rasteve të korrupsionit në radhët e policisë;
2 - Ngritja dhe funksionimi i Drejtorisë të Luftës Kundër krimit të organizuar, trafiqeve drogave dhe krimeve financiare, duke perfshire ketu edhe krijimin e delta forcave përkatëse
3 - Ngritja e njësisë së krimit të organizuar në 29 zyrat e prokurorisë të mbarë vendit;
4 - Eshtë vlerësuar serioziteti i Qeverisë Shqiptare për thelllimin e luftës kundër korrupsionit dhe duke konkluduar në dërgimin për ndjekje penale të zyrtarëve të lartë, duke filluar nga zv/ministri i rendit e deri tek arrestimet e fundit në personelin e aeroportit te Rinasit;
5 - Eshtë vlerësuar legjislacioni i ri i përgatitur nga Qeveria Shqiptare për antitrafikun, antiterrorin dhe pastrimin e parave.

Ne fushën e drejtësisë:

1 – Vlerësohet roli i ekzekutivit në përbërje të Këshillit te Lartë të Drejtesisë për vendosmërinë dhe konsistencen në marrjen e masave disiplinore ndaj gjykatësve.
Ne fushën fiskale:

1 – Vleresohet së tepërmi emerimi i drejtoreshës së re të doganave pa afilacion politik dhe fryma e re që ajo ka sjellë ne administratën e doganave.

Ne fushën e thellimit te reformave në institucione:

1 – Vlerësohet përfundimi i reformes zgjedhore
2 – Miratimi dhe fillimi i zbatimit te ligjit per deklarimin e pasurise
3 – Respektimi rigoroz i ligjit për statusin e nëpunësit civil
4 – Vlerësohet procesi i përgatitjes së ligjeve për konfliktin e interesit, për kontrollin e brendshëm;
5 – Vlerësohet procesi i përgatitjes së projektligjit për kthimin e kompensimin e pronave, për konkurencën.
6 – Vlëresohet strategjia e qeverisë shqiptare për energjinë.

Ne fushën e marrëdhenieve nderkombëtare:
1 – Vlerësohet progresi i Shqipërinë në procesin e Stabilizim Asociimit.
2 – Vlëresohet roli i qeverisë shqiptare për pjesëmarrjen në koalicionin antiterror dhe për çlirimin e Irakut
3 – Nënshkrimi i Marrëveshjes me SHBA për nenin 98 te Traktatit të Romës për gjykatën ndërkombëtare penale.
4 – Nënshkrimi i Kartës së Adriatikut (vetem pardje ky akt u vlerësua edhe nga Kongresi Amerikan).
5 – Vlerësohet bashkëpunimi i ngushtë me SHBA për bllokimin e asseteve dhe personave të lidhur me terrorizmin nderkombëtar.
6 - Vlerësohet qendrimi i matur i qeverisë shqiptare ndaj tendencave ekstremiste te shqiptarëve në rajon.

Nga ana tjetër Kryeministri është i mirëinformuar edhe për pengesat, mosarritjet që ndeshim, për vështirësitë që ende nuk janë kapërcyer dhe që janë pjesë e projekteve tona europianizuese. Dhe kam rastin të vë në dukje këtu se përpara se këto pengesa dhe probleme të evidentoheshin nga raportet e OSBE, apo të BE-së, ka qenë pikërisht Kryeministri juaj që i ka vlerësuar këto probleme në analizat në Qeveri, në grupin parlamentar, në Kryesi, në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues, në seanca parlamentare duke adresuar ato për të percaktuar edhe rrugëzgjidhje dhe veprime të bashkërenduara institucionale.

Tashmë ne të gjithë jemi në prag të një sprove të re: zgjedhjet administrative të vjeshtës. Kjo do të jetë një sprovë, të cilën ne jemi të bindur se do ta kalojmë me sukses, sikundër konfirmohet edhe në seriozitetin me të cilën janë përgatitur dokumentet që kemi miratuar dhe që do të shqyrtojmë edhe sot në institucioneve drejtuese të Partisë Socialiste. Për këtë arsye unë kam udhëhequr investimin tonë të përbashkët një rigjallërim të realizimeve konkrete dhe të prekshme për të gjithë votuesit, sikundër edhe kam vlerësuar, sipas traditës sime 12 vjeçare si Kryetar, solidaritetin e domosdoshëm që na karakterizon dhe bashkërendimin e forcave, gjë që është vlerësuar lart nga elektorati dhe anëtarësia socialiste.

Menjëherë pas zgjedhjeve administrative të vjeshtës ne do të zhvillojmë kongresin tonë të radhës, i cili do të jetë një rast më shumë përmes të cilit sërish do të demonstrojmë se jemi forca më e organizuar dhe më demokratike në vend dhe pikërisht për këtë arsye meritojmë të rivotohemi. Une disa herë e kam thënë dhe gjej rastin të përsëris se në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që ethet kongresuale të dëmtojnë klimën parazgjedhore dhe të dyja sfidat duhet të trajtohen si dy dhe të moskonfondohen me njëra-tjetrën, pasi në këtë mënyrë ato dëmtojnë rezultatet e pritshme edhe qeverisëse edhe elektorale.

Me këtë nuk dua të them se ne do të ndërpresim traditën e shkëlqyer të kultivuar në gjirin e Partisë sonë përsa i përket shprehjes së lirë të memdimit dhe alternativave. Problemi është se jo përherë kjo liri është përdorur për të krijuar dhe mbrojtur alternativat e vërteta, por frymë grupesh dhe interesash më të ngushta se sa programi. Unë gjithashtu i kuptoj dhe i respektoj edhe interesat politike të ndonjë grupimi, por nuk mund të kuptohet që në emër të grupimeve, më se shumti për shkak të humbjes së fitimeve të paligjëshme, të punohet për të krijuar, madje deri në zyrat e shtetit, struktura paralele, [ka rrezikon seriozisht të kthehemi në politikat tradicionaliste dhe të ulim ritmet e reformave dhe të dështojme në qeverisje dhe në zgjedhje. Në këtë mënyrë, pre e qarqeve që kanë humbur tashmë favoret joligjore, duket se grupe të tilla, në një harmoni të habitshme me opozitën, verbërisht dëshiron dhe punon që ne të humbim zgjedhjet, sepse, sikundër shprehen, vetëm në këtë mënyrë mund t'i marrim partinë Fatos Nanos. Këto naivitete primitive kam dymbëdhjete vjet që i dëgjoj dhe i përballoj bashkë me ju siç do t'i përballojme së bashku edhe kësaj radhe.

Unë besoj se ju, si përfaqësues të lartë politikë të PS e ndjeni, ashtu si të gjithë shqiptarët, se unë po krijoj modelin e qeverisjes të matshme me rezultate dhe produkt cilësor dhe jo me afilacione grupazhesh, [ka është vlerësuar edhe nga partnerët euroatlantikë.

Tashmë të gjithë e kuptojnë se shume[ka që është arritur deri më sot, veçanërisht në inicimin e sipërmarrjeve të reformave apo të aktiviteteve dhe marrëdhënive ndërkombëtare të spikatura, është bërë kryesisht nga zyra e Kryeministrit, i cili ka vepruar institucionalisht dhe nuk ka pranuar të tërhiqet në grackën e sherrnajës së kërkuar e provokuar shpesh brenda apo jashtë zyrave të shtetit. Unë jam kryetar i Partisë Socialiste dhe ligjërisht e përfaqësoj këtë parti edhe në qeverisje. Si i tillë unë nuk mund të sillem si ndonjë drejtues fraksioni politik inekzistent, por si përfaqësues i vlerave më të mira të socialistëve bashkë me ju. Unë kam qenë dhe mbetem i bindur se vetëm duke kultivuar vlerat demokratike brenda partisë sonë ne do të jemi në gjendje të përmirësojmë përmes qeverisjes gjithnjë e më të mirë e profesionale, edhe standartet demokratike të mbarë jetës së vendit. Në këtë kuadër unë do të vazhdoj të mbetem kultivues i tolerancës për mendimin ndryshe, pasi vetëm prurja e mendimit ndryshe e gjallëron partinë dhe nuk e lejon të plaket e të bëhet rutinore. Por jo të gjithë janë të përgatitur për ta kuptuar jo si mjet për[ares, por pikërisht si instrument kohezioni këto kategori të bashkëjetesës demokratike.

Këto problematika që shoqërojnë reformimin e pandërprerë të Partise Socialiste do t'i përballojmë së bashku, ashtu si përherë, sepse kemi përpara zgjedhje me anë të të cilave ne do të rikonfirmohemi në qeverisjen vendore dhe do të kandidojmë për fitore për zgjedhjet e 2005. E them këtë sepse gjate kohës në pushtet ne demonstruam se dimë të qeverisim më mirë; sepse ne seriozisht jemi dhe mbetemi të angazhuar për të ngritur standartet dhe kapacitetet funksionuese të institucioneve demokratike të krijuara si dhe gjithë jetës sonë në nivele europerëndimore; sepse ne, me seriozitetin që na karakterizon, po përmbushim reformat integruese; sepse ne, qoftë edhe përmes akteve si ky që po realizojme sot, demonstrojmë para elektoratit se jemi forca kryesore demokratike progresiste dhe se vetëm një forcë me këto standarte demokratike mund të bëhet garant për konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së hapur të tregut dhe të stabilitetit të vendit dhe të rajonit.

Ju faleminderit për vëmendjen.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›