E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano priti sot Z. Jean François Terral, Drejtor i Departamentit të Europës Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës. Kryeministri Nano, pasi bëri një

Kryeministri Fatos Nano priti sot Z. Jean François Terral, Drejtor i Departamentit të Europës Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës.

Kryeministri Nano, pasi bëri një ekspoze të gjendjes aktuale shumë të mirë të marrëdhënieve shqiptaro-franceze, theksoi se në Shqipëri dhe në politikën shqiptare Franca ka një vend të pazëvendësueshëm. Marrëdhëniet me Francën janë në progres dhe me perspektivë zhvillimesh të mëtejshme në fushën ekonomike dhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë. Ai shprehu gadishmërinë e qeverisë shqiptare si dhe të të gjitha strukturave kompetente për të krijuar lehtësira maksimale të mundshme ligjore e institucionale për avancimin e këtyre marrëdhënieve. Kryeministri Nano përsëriti dëshirën që biznesi frances të jetë më i pranishëm në Shqipëri.

Duke folur për situatën në rajon, Kryeministri Nano theksoi se Shqipëria dhe vendet e tjera fqinje, në bashkëpunim të ngushtë me aktorët e mëdhenj politikë, po punojnë për transformimin e Ballkanit në një rajon paqeje e sigurie, ku të mos ketë më trafiqe të paligjshme, krim të organizuar dhe në përgjithësi vulnerabilitet, që shpesh shfrytëzohen nga të tjerë në dëm të popujve ballkanikë.

Ai foli gjithashtu edhe për pozitën e Shqipërisë në optikën europiane, si dhe për rolin moderator në zhvillimet përreth saj. Kryeministri Nano përmendi si një arritje të rëndësishme rajonale instalimin e një bashkëpunimi të institucionalizuar midis liderëve të vendeve të rajonit, të konkretizuar në takimet e tyre periodike, në të cilat eksplorohen oportunitetet e zgjerimit të këtij bashkëpunimi, në përputhje me normativat europiane. Ai theksoi se Ballkani duhet të çlirohet nga shpirtërat historikë të konflikteve, nga doktrinat emocionale e nacionaliste që përpiqen t'i ushqejnë ato.

Ai tha më tej se në nivele politike, vendet e rajonit kanë identifikuar dhe po aktivizojnë inisiativa interesante të bashkëpunimit rajonal e nënrajonal, sidomos në fusha të tilla si infrastruktura, transporti, energjia, përdorimi i ujrave të përbashkëta etj. Korridoret e mëdha dhe rrjetet e interkonjeksionit hapin rrugën e zhvillimeve dhe e bëjnë rajonin gjithmonë e më tepër kompetitiv, gjithnjë e më shumë atraktiv për sipërmarrjet europiane. Në këtë mënyrë Ballkani do të shndërrohet në një rajon i lidhur natyralisht me Europën dhe strukturat e saj.

Një vend të posaçëm në bisedë zuri edhe çështja e Kosovës dhe zhvillimet postelektorale në Sërbi. Z. Nano vlerësoi zhvillimet pozitive në Kosovë dhe nënvizoi nevojën e inkurajimit të tyre për përmbushjen e standarteve dhe përcaktimin e statusit të saj.

Duke folur për zhvillimet e brendëshme në vend, Kryeministri Nano foli për reformat e realizuara në të gjitha fushat, të cilat ecin paralel me procesin e negociatave për Marëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, si dhe me përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe të strukturave të tjera të vendit për integrim në BE dhe në NATO.

Ai vuri në dukje gjithashtu investimet e mëdha që janë bërë nga shteti shqiptar për krijimin e një brezi të ri funksionarësh politikë dhe nëpunësish administrativë të pajisur me dije dhe mentalitete bashkohore, të aftë për të vepruar në përputhje me normativat europiane dhe në bashkëpunim të ngushtë institucional me strukturat respektive europiane.

Z. Terral falenderoi Kryeministrin Nano për pritjen dhe vlerësoi zhvillimet në vend, si dhe theksoi perspektivën e qartë europiane të Shqipërisë. Ai tha se ka ardhur koha për një impuls substancial të marrëdhënieve shqiptaro-franceze, të cilat nuk janë zhvilluar me ritmet e dëshiruara, për shkak të ngjarjeve dramatike të viteve të shkuara në Ballkan, të cila konsiderohen si shkaqe objektive. Shqipëria ka hyrë tashmë në vemendjen e biznesit dhe sipërmarrjeve franceze. Ata kanë shfaqur interes për investime si dhe për të marrë pjesë në procesin e privatizimeve.

Përsa i përket rajonit dhe, në përgjithësi Ballkanit, ku tablloja nuk është ende e stabilizuar, Shqiëpria tha ai, ka një rol të madh për të luajtur. Franca, sëbashku me partnerët e tjerë europianë, në konkordancë të plotë edhe me SHBA e konsideon Ballkanin si një rajon, i cili nuk ka alternativë tjetër zhvillimi, veç ecjes në rrjedhën e proceseve integruese rajonale e europiane. Ne, tha ai, do ta inkurajojmë me vendosmëri këtë proces, por duhet të bëhet e qartë se janë vendet e rajonit ato që mund e që duhet t'u japin zgjidhje problemeve me të cilat ndeshen.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›