E Diel, 1 Nëntor 2026

Të nderuar prefektë, Ju thirra të ndaj me ju prioritetet e aksionit qeverisës për vitin 2004. Shqipëria ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme të zhvillimit të reformave të integr

Të nderuar prefektë,

Ju thirra të ndaj me ju prioritetet e aksionit qeverisës për vitin 2004. Shqipëria ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme të zhvillimit të reformave të integrimit dhe për arritjen e objektivave që na përafrojnë me standartet e BE-së. Kjo kërkon edhe nga ju, si përfaqësues të Këshillit të Ministrave në 12 qarqe të vendit kontribute aktive dhe rezultate të sigurta. Reformat nga njëra anë janë bërë edhe më komplekse; nga ana tjetër rezultatet e tyre nuk mund të mos ndihen në çdo njësi të qeverisjes vendore dhe në çdo territor të Republikës.

Në vitin 2003 Institucioni i Prefektit është konsoliduar ndjeshëm për shkak të rritjes së kapaciteteve zbatuese të Ligjit të ri "Mbi Prefektët" dhe ka ndihmuar t'i jepet fund variacioneve organizative dhe funksionale të gjithë dekadës së periudhës së tranzicionit. Treguesit e përgjithshëm të reformave transformuese si dhe ritmet larta të rritjes së qëndrueshme të sipërmarrjes, nivelit të shërbimeve publike ndaj shtetasve etj, tashmë flasin për një bashkërendim më të mirë dhe institucional mes prefektëve si përfaqësues të pushtetit ekzekutiv qëndror në qark dhe autoriteteve apo institucioneve vendore të zgjedhura a administrative.

Por sfidat kombëtare të zhvillimit modern të vendit që të përballohen me sa më pak kosto dhe kohë, me sa më shumë përfitime në dobi të komuniteteve të shtetasve në çdo komunë e bashki, kërkojnë një angazhim të koordinuar mes institucioneve qëndrore dhe vendore, pra një angazhim krejtësisht të ri edhe të Prefekturave me drejtuesit dhe stafet e tyre të nëpunësve civilë.

Qeveria ka përparësi të sanksionuara tashmë në një numër strategjish zhvillimi dhe ato janë objekti kryesor i punës suaj të përditshme. Detyra juaj ligjore është jo thjesht dhe vetëm transmetimi i këtyre prioriteteve në njësinë territoriale ku ju kryeni detyrën, por veçanërisht ndjekja kontrolli dhe zbatimi i tyre për zhvillim real dhe të qëndrueshëm në çdo sektor të aktivitetit në punën tuaj. Suksesi i punës suaj përcaktohet drejtpërdrejt nga fakti se si ju bashkërendoni veprimet tuaja ekzekutive ndërmjet ministrive apo dikastereve qendrore me autoritetet vendore.

Për më tej, zgjedhjet vendore të fundvitit të kaluar sollën një hartë politike më të larmishme se më parë. Kjo situatw, që unë e vlerësoj normale politike, në radhë të parë ju obligon juve për të përmirësuar nivelin e bashkëpunimit midis autoriteteve në çdo njësi të qeverisjes vendore, pavarësisht ngjyrës politike që përfaqësojnë administratat e reja. Kjo duhet bërë në mënyrë që Strategjitë Kombëtare të zhvillimit dhe integrimit, të zbërthyera tashmë në programe rajonale të gjejnë zbatim konkret në terren, i cili mund dhe duhet bërë një terren i kompeticionit të aftësive dhe të kapaciteteve edhe të grupimeve të ndryshme politike në dobi të reformave.

Siç edhe konkluduam në analizën e qeverisë, para pak ditësh, zbatimi i strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social, në çdo cep të Shqipërisë, mbetet ende përparësia kryesore e punës së qeverisë. Ky prioritet reflekton jo vetëm faktin se ka ende zona ku zhvillimi nuk është strukturuar siç duhet, por ai gjithashtu është i lidhur drejtpërdrejt me ritmin dhe kostot e reformave që kemi ndërmarrë për t'ju përqasur standarteve europiane. Ju duhet të dini dhe tu shpjegoni autoriteteve vendore dhe publikut atje se reformat janë të domosdoshme, të pashmangshme dhe se për këto ka edhe një kosto e faturë, që më shumë sesa politike është sociale. Për më tej, duke nisur që nga kriteret e rekrutimit të stafeve tuaja, ju duhet të shndërroheni në promotorë të thithjes dhe angazhimit të kapaciteteve njerëzore më të mira në qark për të njohur dhe menaxhuar resurset e aktorëve dhe faktorëve të zhvillimit, si dhe grupeve të interesit gjithashtu. Nuk keni asnjë pengesë ligjore, përkundrazi e keni për detyrë, të konsultoheni me aktorët lokalë të shoqërisë civile dhe për t'i integruar inisiativat e projektet e tyre në dobi të reformave dhe të menaxhimit të kostove të tyre për komunitetet vendore. Nuk keni asnjë pengesë institucionale të organizoni takime pune me ekspertë dhe profesionistë lokale, për zbërthimin dhe zbatimin sa më të mirë të Strategjive Kombëtare të zhvillimit dhe integrimit. Keni të gjitha atributet ligjore gjithashtu që punën e përfaqësuesve politik të institucioneve vendore ta shkëpusni nga propaganda dhe zhurma shterpë, që shpesh fshehin paaftësinë për të vepruar dhe qeverisur, dhe t'i kanalizoni kontributet në angazhime të koordinuara mes pushtetesh në dobi të shtetasve dhe komuniteteve vendore.

Në këtë kontekst, institucioni i Prefektit dhe Prefekturës duhet të marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë ligjore dhe qytetare për garantimin e realizimit të reformave në çdo njësi të qeverisjes vendore dhe jo të mbetet në nivele transmetimi kërkesash dhe ankesash nga lart poshtë apo anasjelltas. Përmbushja me kapacitet maksimal e funksioneve tuaja ligjore do mundësojë të c'rrënjoset njëherë e përgjithmonë mendësia se për gjithçka që ndodh fajin e ka shteti apo çdo dështim i pushtetit vendor apo spekulim në treg i faturohet qeverisë qendrore.

Ne kemi nisur edhe në vëmendjen dhe detyrën tuaj dhe po thellojmë një proces kompleks të deçentralizimit të pushtetit, pronave, financave dhe shërbimeve publike. Kjo nuk bëhet për të shkarkuar Qeverinë nga përgjegjësitë përballë shtetasve, por pwr të shtuar aktorët dhe faktorët e progresit, si dhe për të menaxhuar më mirë në dobi të komuniteteve çdo resurs dhe inisiativë vendore. Aq më pak këtë proces deçentralizimi ne nuk e kemi bërë për t'u krijuar mundësi disa drejtuesve lokalë të pasurohen duke abuzuar me pushtetin.

Reforma e decentralizimit fiskal është një nga prioritetet e deçentralizimit. Ajo ka dhënë në përgjithësi rezultate shumë pozitive. Por ende ka kryetarë bashkish dhe komunash që vazhdojnë të kërkojnë fonde të paargumentuara nga buxheti qendror, nga qeveria, jashtë formulës ligjore të ekualizimit. Kjo do të thotë se paaftësinë e tyre për të mobilizuar resurse apo kontribute fiskale vendore, kërkojnë t'ia faturojnë buxhetit të shtetit. Prefektët duhet të jenë barriera e parë dhe e pakapërcyeshme kundër këtyre kërkesave ilegjitime, shpesh herë të politizuara. Prandaj ju duhet të bëheni inicuesit e punës për identifikimin dhe mobilizimin e kontributeve fiskale vendore, për shkak edhe të rolit tuaj të pazëvendësueshëm koordinues.

Unë e kuptoj se kapacitetet administrative në njësitë e qeverisjes vendore në territory nuk janë të gjitha të pamjaftueshme. Por kjo përgjegjësi nuk mund të vazhdojë t'i faturohet qeverisë, sepse minimalisht qeveria nuk i imponohet apo detyron asnjë autoritet vendor të përzgjedhë personel apo të krijojë struktura administrative. Pra, ajo që po them, është se roli juaj, sidomos në prefektuarat e Kukësit, Lezhës, Shkodrës dhe Dibrës, mbetet jo i ndjeshëm në këtë funksion. Në Prefekturat e tjera u arrit jo vetëm realizimi i të ardhurave nga taksat vendore, por edhe u tejkalua parashikimi me 500 milionë lekë më shumë. Kjo dëshmon se ne kishim të drejtë që e filluam deçentralizimin fiskal, në një kohë ku shumëkush mendonte se ishte ende e parakohshme, pavarësisht mungesës së planifikuar të kapaciteteve vendore dhe në bashkëpunim me administratën fiskale qendrore identifikuam dhe volëm detyrimeve fiskale ligjore dhe siguruam një administrimin më të mirë të të ardhurave, ku natyrisht dhe ju keni luajur rolin tuaj.

Në këtë hartë performance të ndryshme që përmenda, duhet bërë përfundimisht e qartë se sasia dhe cilësia e shërbimeve publike të deçentralizuara tashmë, varen direkt nga kontributi fiskal i shtetasve dhe sipërmarrjeve në çdo njësi të qeverisjes qëndrore. Ndaj dhe Prefektët nuk duhet të tolerojnë asnjë institucion vendor që kërkon në vend të detyrës të bëjë politikë elektorale në dëm të cilësisë së jetës të komuniteteve vendore.

Qarqet që kanë realizime të ulëta, mund të kërkojnë të justifikohen me fenomenin e përqendrimit të varfërisë, por ky nuk është argument. Varfëria si plagë e trashëguar nga tranzicioni i një pjese të shoqërisë shqiptare kurohet dhe mund të eleminohet vetëm me ndryshime, me reforma që kërkojnë angazhim, profesionalizëm dhe kurajo, që kërkojnë koordinim mes pushteteve, që kërkojnë një rol determinues të Prefektëve në integrimin e pjesëve të tregut vendor dhe të administratës vendore në të njëjtin proces transformimesh për zhvillim. Pra, nuk ka arësye që varfëria në disa zona të kthehet në pengesë të zbatimit të reformave, e aq më pak të kthehet në alibi për justifikimin e paaftësisë së ndonjë autoriteti vendor apo të ndonjë prefekti në këtë funksion. Mund të mirëkuptoj, deri në një farë mase prefekturat e zonave malore, por aspak ato të zonave të ulëta e bregdetare.

Ju duhet të konkretizoni përgjigje të argumentuara ndaj pyetjes kryesore: cila është përgjegjësia juaj për moszbatimin e detyrimit ligjor të kontributeve fiskale që janë deçentralizuar, veçanërisht të pagesës së taksës mbi banesat dhe imobiliarin në bashkitë kryesore të vendit? Njësitë vendore janë përballë nevojave gjithnjë e në rritje për fonde për kryerjen e funksioneve të tyre, veçanërisht për ato shërbime që janë deçentralizuar. Këto nevoja në rritje nuk mund të realizohen vetëm me rritje të taksave dhe tarifave vendore, por me zgjerim të bazës së kontribuesve fiskalë. Neglizhimi i mbledhjes së kësaj takse apo i asaj mbi tokën bujqësore krijon tre probleme:
a. diskriminim të kontribuesve legjitim,
b. kufizim të fondeve për përmirësimin e infrastrukturave dhe shërbimeve publike,
c. rrit presionin e paarsyetuar të njësive vendore mbi fondet publike të shtetit.

Gjithashtu është krejtësisht e pajustifikuar që çdo aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje është nisur nga lart, nga qeveria, Kryeministri apo ministri përkatës dhe jo nga prefektët që e kanë detyrë funksionale.

Prefektët e zonave bregdetare dhe turistike çfarë duhet ti kërkojnë qeverisë, më shumë sesa burimet e natyrës që keni në dispozicion dhe që duhet t'i menaxhoni sipas programeve të zhvillimit të Turizimit të integruar apo të Ekonomisë në tërësi? Kërkuat struktura të posaçme që të merren me turizmin dhe jua miratuam. Por nuk e kuptoj ende se sa të dobishme janë zyrat e zhvillimit të Turizmit të ngritura pranë jush, kur edhe evidencat vijnë të pasakta apo mungojnë fare. Ndërkohë, qëllimi i ngritjes së këtyre strukturave ishte mbledhja dhe koordinimi i resurseve lokale dhe nacionale për të hartuar dhe zbatuar programet më të përshtatshme të zhvillimit të turizmit në Shqipëri.

Në analizën e qeverisë, theksova se matja e nivelit të varfërisë mbetet ende problematike. Kjo vjen, jo rrallë herë për shkak të pasivitetit apo indiferencës së prefektit në zonat më sensitive, ndërkohë që vetëm për vitin 2003 qeveria ka miratuar rreth 80 vendime për mbështetje financiare të investimeve të komunave të zonës veriore e verilindore. Ndjekja dhe zbatimi i vendimeve të qeverisë është detyrë thuajse rutinë e juaja. Ajo që presim nga ju janë nismat për programe rajonale zhvillimi, të cilat u kthejnë besimin njerëzve për të vazhduar të jetojnë dhe punojnë në vendin e vet. Në këtë funksion, jeni ju prefektët ata që siguroni zbatimin e programeve të qeverisë për tregun e produkteve bujqësore, për të stimuluar dëshirën dhe leverdinë e shqiptarëve për të aktivizuar tokën dhe pronën e tyre.

Natyrshëm marrëdhëniet tuaja me qeverinë qendore nuk mund të jenë lidhje vasaliteti, por bashkëveprimi ndërdikasterial sipas ligjit. Ashtu siç keni për detyrë të informoni qeverinë, duhet edhe qeveria t'ju informojë më mirë. Në këtë mardhënie ligjore kam vërë re mangësi të patolerueshme si nga ana e prefektëve dhe nga ana e ministrave. Siç e shihni në këtë takim kam thirrur edhe ministra të sektorëve të rëndësishëm që janë këtu për të perfeksionuar komunikimin me ju për çështje të programeve të zhvillimit të sektorëve që ata mbulojnë dhe që reflektojnë prioritetin e qeverisë. Në këtë funksion, ne po programojmë takime të përmuajshme të ministrave dhe prefektëve për të diskutuar dhe vendosur çështje të programimit të politikave dhe programeve me aspektet e nevojshme të zbatimit të legjislacionit të fushës. Ministria e Pushtetit Vendor dhe Deçentralizimit, do të vazhdojë të jetë zyra e koordinimit të punës suaj me ministri të veçanta sektoriale. Ju jeni pjesë e ekipit tonë qeverisës dhe si të tillë kostot dhe përgjegjësitë i kemi të përbashkëta.

Reforma e decentralizimit të autoritetit, është pjesa më thelbësore e reformave integruese të shtetit dhe shoqërisë sonë. Si e tillë ajo kërkon vëmendje të vazhdueshme nga të zgjedhurit dhe të emëruarit vendorë. Për të konsoliduar rezultatet e kësaj reforme, puna juaj për 2004 duhet të përqendrohet në këto drejtime kryesore;
1- Në nxitjen dhe asistencën e bashkive dhe komunave në miratimin dhe vjeljen e taksave vendore. Në mënyrë të veçantë i duhet kushtuar vëmendje vjeljes së taksës bujqësore dhe mbi pasuritë e tjera të patundëshme
2- Në koordinim më të mirë të punës midis administratave qendrore me ato vendore.
3- Në harmonizimin e prioriteteve të qeverisë me ato të vendimarrjes lokale.
4- Në zbatimin rigoroz të kërkesave të ligjit të urbanistikës, jo vetëm për kontrollin e territorit por edhe për zhvillimin e turizimit dhe të zbatimit të planeve urbanistike, duke monitoruar vendimet e KRT-ve lokale në këtë funksion.
5- Në ndjekjen dhe realzimin e projekteve rajonale të investimeve të buxhetit të shtetit dhe të fondeve të donatorëve.
6- Në kontrollin e rreptë financiar mbi përdorimin e fondeve publike.

Të nderuar prefektë,

Siç edhe e theksova në fillim, viti 2004 është viti i reformave të thella transformuese që na përafrojnë dhe asociojnë me BE-në. Ne synojmë këtë vit të nënshkruajmë marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në. Dhe kjo sigurisht nuk mund të jetë një dhuratë nga pala tjetër, por kërkohet punë dhe rezultate transformuese të aktorëve vendas. Në këtë funksion u krijua edhe koalicioni për integrim, i cili ka në themelin tij mbështjetjen politike më të gjerë për reforma. Në radhë të parë lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, mbetet në themelin e qeverisë sonë. Roli juaj në këtë luftë është i pazëvendësueshem. Ju jeni struktura qendrore në qark që koordinoni dhe monitoroni efektet e drejtësisë së organizuar kundër krimit dhe trafiqeve të organizuara në terren. Kjo nuk do të thotë, monitorim vetëm të Policisë së Shtetit në qark, si detyra më e lehtë për një prefekt që është pjesë e ekzekutivit. Ju duhet të siguroni bashkëveprim institucional midis organeve të shtetit të së drejtës edhe në qark. Ju duhet të protestoni ligjërisht edhe ndaj vendimeve të padrejta të gjyqësorit, apo veprimeve të parregullta të hetuesve të Prokurorisë së Shtetit, ashtu siç duhet të denonconi çdo shfaqje të krimit të organizuar, trafiqeve apo korrupsionit në nivele lokale.

Ju nuk mund të merreni vetëm me zbatim politikash që ideohen dhe miratohen në qendër, por ju duhet të prodhoni zgjidhje dhe formula adekuate vendore që i përafrojnë standartet e jetetës së komuniteteve në territorin ku ju veproni me standartet më të përparuara në vend dhe në botën moderne ku po integrohemi. Në këtë funksion, integrimi apo binjakëzimi i qarqeve ku drejtoni me qarqe apo rajone të vendeve fqinje mbetet një ndër objektivat tuaja parësore.

Realizimi i këtyre detyrave dhe prioriteteve, kërkojnë reforma të thella edhe në nivel lokal, të cilat duhet të fillojnë nga rikonceptimi i rolit ligjor të prefektit dhe nënprefektit. Administrata e nënprefektit, në mënyrë të veçantë u krijua për të ruajtur parimin e subsidaritetit, ose të pranisë së pushtetit sa më pranë qytetarit. Në këtë funksion unë kërkoj që 144 punonjësit e këtyre nënprefekturave, të jenë model i nëpunësit të shtetit që kujdeset për nevojat e shtetasve, ashtu edhe për zhvillimin e reformave në nivelet vendore. Kjo do të thotë se nga administrata juaj, kërkohet shumë më tepër sesa mbajtja e zjarrfiksave apo e strukturave të emergjencës civile, të cilat megjithë përmirësimet janë ende të pamundura për sigurimin e jetës dhe pasurisë nga fatkeqësitë natyrore. Ju duhet të jeni në gjendje të adresoni shqetësimet qytetare që shfaqen si kosto të reformave, ashtu siç duhet të dalloni qartë lëvizjet politike anti reformiste të opozitës Shqiptare, e cila duhet përfundimisht të tregojë se ç'është në gjendje të bëje për integrimin kombëtar në reforma dhe jo për frenimin e tyre atje ku ajo qeveris.

Ju duhet të jeni në qendër të reformave që po ndërmarrim dhe një nga modelet e koordinimit të punëve për reforma është paketa Shengen për përmirësimin e shërbimit të gjendjes civile, të rregjistrimit të pasurisë publike e private, si dhe në standartizimin e dokumentave të identitetit të shtetasve. Në mbledhjen më të parë të radhës, një grup ministrash do të komunikojnë me ju për t'ju dhënë detyrat përkatëse edhe në këtë funksion.

Në përfundim, duke ju uruar punë të mbarë për vitin 2004, ju ftoj të bëheni realisht protagonistë të reformave të programuara të integrimit në vend.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›