E Diel, 1 Nëntor 2026

-Për të gjithë fermerët që kanë serra ngrohëse në të gjithë vendin karburantet do të jepen pa akcizë- Sot paradite, Zëvendëskryeministri Namik Dokle mori pjesë në ceremoninë e për

-Për të gjithë fermerët që kanë serra ngrohëse në të gjithë vendin karburantet do të jepen pa akcizë-

Sot paradite, Zëvendëskryeministri Namik Dokle mori pjesë në ceremoninë e përurimit të kompleksit të serrave me ngrohje të teknologjisë së lartë, në Porto Romano të Durrësit, realizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit Agron Duka, drejtues të pushtetit vendor, përfaqsësues të agrobiznesit shqiptar etj. Merrte pjesë gjithashtu edhe zoti Hiroaki Isobe, ministër, ambasador i Japonisë për Republikën e Shqipërisë, në Romë.

Ky kompleks serrash, më moderni në vendin tonë, që zë një sipërfaqe prej 24 mijë metra kuadrat dhe që ka kushtuar 1.7 milon USD, 300 mijë nga të cilat janë të grandit të Qeverisë Japoneze, u realizua nga Ministria e Bujqësisë në kuadër të zbatimit të Projektit "Rritja e Prodhimit Ushqimor" 2KR me bashkëfinancim me fondin grand të Qeverisë Japoneze për Qeverinë Shqiptare.

Ky kompleksi serrash ka një rendiment prej 3500-400 kv/ha dhe është pjesë e politikës së Qeverisë Shqiptare për prodhimin e perimeve në serra si një ndër sektorët prioritarë për nxitjen e investimeve, pasi ky sektor ka potenciale të mëdha për rritjen e prodhimit ushqimor. Qeveria Shqiptare synon që brenda një kohe të shkurtër të realizojë një bilanc pozitiv për prodhimin e perimeve në vend dhe përmirësimin e bilancit të eksport-importit. Me masat që ka marrë qeveria nga viti 1997 e deri më sot është përmirësuar dhe zgjeruar ndjeshëm sipërfaqja e serrave dhe është përmirësuar teknologjia e tyre. Me masat e marra prodhimi i perimeve brenda vitit 2005 do të rritet mbi 3000 tonë perime.
Për nxitjen e prodhimit të perimeve Qeveria Shqiptare ka marrë edhe një serë masash të tjera. Ajo ka hequr taksat doganore për importuesit e serrave, TVSH-në, karburantet do të jepen pa akcizë për të gjithë fermerët që kanë serra ngrohëse në të gjithë vendin si dhe shumë zëra në fushën e perimeve eksportohen me tarifa doganore zero në të gjitha vendet e rajonit si rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë. Të gjitha këto masa do të ndikojnë ndjeshëm në uljen e çmimit të perimeve për konsumatorët që llogaritet jo me më shumë se 20 lekë / kg më pak se në rast se perimet do të importoheshin.

Zëvendëskryeministri Dokle, në fjalën e tij, falenderoi Qeverinë Japoneze e cila në mënyrë të vazhdueshme ka ndihmuar bujqësinë dhe sektorët e tjerë shqiptarë, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit dhe Projektin 2KR, i cili ka menaxhuar me mencuri dhe efikasitet këtë donacion japonez, si dhe të gjithë ata që janë të angazhuar në realizimin e këtij investimi. Zoti Dokle nënvizoi se ne tani prodhojmë shumë më tepër, nga sa prodhonim në të kaluarën, kur prodhimet tona shkonin më parë nëpër tregjet e botës, prodhojmë në radhë të parë për tregun shqiptar dhe pastaj prodhojmë edhe për tregun ndërkombëtarë, gjë që me siguri do të shtohet në të ardhmen.

"Mjafton të përmend, vetëm një fakt, tha zoti Dokle se, aq sera sa kishte Shqipëria në kohën e diktaturës, sot i ka vetëm një fshat i Myzeqesë. Pra kemi një përparim të jashtëzakonshëm dhe ne këtë pasuri që po bëhet pasuri kombëtare, por që e menaxhoni ju me vullnetin tuaj, duhet ta shtojmë, ta rrisim, sepse kështu hapim perspektivat e zhvillimit europian të Shqipërisë, nëpërmjet guximit dhe efikasitetit të punës suaj.

Zëvendëskryeministri Dokle pasi ka prerë shiritin e përurimit ka vizituar kompleksin e serrave.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›