E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka zhvilluar sot paradite një takim me delegacionin e Zyrës Shtetërore për Minoritetet të Republikës së Hungarisë, të kryesuar nga Presdenti i saj Antal Hei

Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka zhvilluar sot paradite një takim me delegacionin e Zyrës Shtetërore për Minoritetet të Republikës së Hungarisë, të kryesuar nga Presdenti i saj Antal Heizer.

Zëvendëskryeministri Dokle e njohu delegacionin hungarez me përpjekjet e qeverisë shqiptare për përmbushjen e standarteve europiane dhe përmirësimet e vazhdueshme që janë bërë në legjislacionin shqiptar, krijimin e institucioneve dhe masat institucionale që janë ndërmarrë për realizimin e të drejtave dhe lirive të minoriteteve, duke theksuar se ndryshimet demografike në Shqipëri, krijuan një qëndrim dhe vizion të ri të shtetit dhe shoqërisë shqiptare ndaj komunitetit minoritar.

Më tej Zëvendëskryeministri Dokle, duke u ndalur në aspektin legjislativ për minoritetet, nënvizoi se Republika e Shqipërisë ka adoptuar dhe aplikuar një kornizë ligjore që garanton njohjen dhe plotësimin e lirive dhe të drejtave të pakicave. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë u garanton pakicave barazi të plotë përpara ligjit në ushtrimin e lirive dhe të drejtave të tyre dhe u njeh të drejtën për t'u shprehur lirisht, pa u ndalur dhe detyruar, përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare, gjuhësore si dhe të drejtën për t'i ruajtur e zhvilluar ato.

Gjithashtu zoti Dokle, nënvizoi se Republika e Shqipërisë, si anëtare e OKB, OSBE dhe Këshillit të Europës ka nënshkruar dhe ratifikuar pothuajse të gjitha konventat dhe dokumentet bazë që kanë të bëjnë me minoritetet.

Më poshtë Zëvendëskryeministri Namik Dokle i njohu miqtë hungarezë edhe me iniciativat e rëndësishme që ka marrë qeveria shqiptare në funksion të përmbushjes së detyrimeve që lidhen me pakicat në kuadrin e procesit të stabilizim-asociimit dhe të partneritetit europian, duke përmendur se në muajin e kaluar në Planin e Veprimit për Partneritetin Europian që miratoi Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, një kapitull i veçantë i kushtohet masave që do të ndërmerren për përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit për minoritetet, në disa fusha si marrëdhëniet ndërmjet personave të pakicës me autoritetet administrative.

Presidenti i Zyrës Shtetërore për Minoritetet në Republikën e Hungarisë, Antal Heizer, duke falenderuar Zëvendëskryeministrin Namik Dokle për pritjen që i bëri delegacionit u shpreh se përvoja shqiptare për minoritet ishte një shembull mjaft i mirë që do t'u shërbente edhe atyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›