Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura dhe të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, ku u diskutua për këto çështje:
Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura dhe të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, ku u diskutua për këto çështje:
1- Forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe partneritetit institucional me sindikatat.
2- Masat e marra nga qeveria për zbutjen e efektit të refomave që kanë çuar në rritjen e disa çmimeve dhe të tarifave të konsumit në treg.
3- Reformën në fushën e sigurimeve shoqërore.
4- Garantimin e funksionimit normal të sindikatave në mjedise publike pune, sipas ligjit në fuqi.
Nga diskutimi i zhvilluar bashkëbiseduesit mirëkuptuan nevojën për vazhdimin e reformave standarte të tregut si rruga e vetme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Përfaqësuesit e sindikatave deklaruan mbështetjen e tyre për reformat si dhe kërkuan forcimin e masave për zbutjen e efekteve sociale të tyre. Në këtë kuadër u ra dakort si vijon;
1- Vlerësojnë marrëveshjen e bashkëpunimit të lidhur më datë 5.05.2003, ndërmjet përfaqësuesve të sindikatave dhe Këshillit të Ministrave, si instrument i rëndësishëm ligjor për forcimin e bashkëpunimit dhe partneritetit. Kryeministri dhe përfaqësuesit e sindikatave vlerësuan se respektimi i kësaj marrëveshje shërben drejtpërsëdrejti për forcimin e dialogut social të punëmarrësve me qeverinë, veçanërisht për çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe përmirësimin e nivelit të jetesës. Kryeministri garantoi angazhimin e tij për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me sindikatat në rrugë ligjore, përfshi edhe vlerësimin e konsolidimin e marrëveshjes ekzistuese të partneritetit të qeverisë me to. Në këtë funksion Kryeministri mbështet nismën për nëshkrimin e një dokumenti të përbashkët, nëpërmjet qeverisë dhe partnerëve socialë, që do të bëhet nesër, më datë 05.02.2004.
2- Të thellohet më tej angazhimi i qeverisë për zbutjen e efekteve të reformave të domosdoshme që lidhen me rritjen e çmimit të energjisë, të telefonisë fikse, etj. përfshi edhe frenimin e spekulimeve në treg me çmimin e bukës. Në këtë funksion Kryeministri u angazhua për përmbushjen e menjëhershme të angazhimeve ligjore për indeksimin e pagave dhe pensioneve, si dhe për ushtrimin e presionit fiskal mbi spekulimin tregëtar.
3- Të thellohet më tej angazhimi i përbashkët për zbutjen e efekteve të reformës në fushën e sigurimeve shoqërore, që lidhen në mënyrë të veçantë me rritjen e moshës së daljes në pension. Ministria e Punës dhe eÇështjeve Sociale në bashkëpunim me sindikatat, angazhohet të ngrejë një grup të përbashkët pune për vlerësimin e zgjidhjeve më efikase për këtë qëllim.
4- Kryeministri, në emër të qeverisë, u angazhua për garantimin e funksionimit normal të veprimtarisë së sindikatave, duke ofruar asistencë ligjore nëpërmjet Avokaturës së Shtetit dhe Ministrisë së Drejtësisë, për zgjidhjen e konfliktit që ka lindur për shkak të vendimit gjyqësor, që detyron lirimin e mjediseve të punës publike së sindikatave.
Në përfundimin, bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e dialogut dhe bashkëpunimit në mbështetje të reformave, që janë të nevojshme për integrimin e vendit në BE.