E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të veçantë Ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, znj. Marcie Ries. Në fillim të këtij takimi, Kryeministri Na

Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të veçantë Ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, znj. Marcie Ries.

Në fillim të këtij takimi, Kryeministri Nano i uroi znj. Ries mirëseardhjen dhe punë të mbarë në misionin e saj në Shqipëri. Me këtë rast zoti Nano shprehu vlerësimet mbi rolin që luajnë SHBA-të në zhvillimin dhe demokratizimin e rajonit të Ballkanit, duke rikonfirmuar edhe njëherë faktin se Shqipëria i konsideron si partnerë strategjikë Shtetet e Bashkuara në rrugën e saj integruese drejt zhvillimit.

Nga ana e saj znj. Ries shprehu kënaqësinë që do të punojë në Shqipëri, "në këtë vend me të cilin kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe një bashkëpunim shumë të ngushtë".

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin opinion lidhur me faktin se ky është një moment shumë i rëndësishëm për rajonin tonë dhe se Shqipëria është një vend me një potencial të jashtëzakonshëm. Në këtë kuadër zonja Ries çmoi rolin e Shqipërisë në rajon, si dhe shprehu vlerësimet për pjesëmarrjen dhe angazhimin e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe rreshtimin në krah të SHBA-së në koalicionin botëror kundër terrorizmit.

Gjithashtu, Ambasadorja e re e SHBA-së në Tiranë vlerësoi qëndrimin e mbajtur nga ana e Kryeministrit Nano lidhur me zhvillimet më të fundit në Maqedoni dhe mesazhin për paqe drejtuar të gjithë faktorëve politike në vendin fqinj, duke e konsideruar si mjaft të rëndësishme implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në këtë vend.

Në këtë takim Kryeministri Nano dhe zonja Ries diskutuan edhe për progresin e bërë nga Shqipëria në drejtim të reformave të gjithanshme në fushën e ekonomisë, rritjes së standarteve të administrates publike, mbrojtje, shëndetësi, arsim etj. Kryeministri Nano rikonfirmoi angazhimin maksimal të Qeverisë Shqiptare dhe strukturave të specializuara të saj, në luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar duke përfshirë edhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë në këtë drejtim.

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë znj. Ries shprehu kënaqësinë që Shqipëria është në grupin e vendeve që përfitojnë nga programi Millenium Challenge Account

Lidhur me procesin e ardhshëm elektoral në Shqipëri, Kryeministri Nano siguroi se standartet e këtyre zgjedhjeve ne i konsiderojmë më të rëndësishme se sa vetë rezultati i tyre. "Duhet të zhveshim procesin zgjedhor nga konfliktet politike", tha zoti Nano.

Bashkëbiseduesit në këtë takim u ndalën në mënyrë të veçantë në procesin e integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë. Zonja Ries e siguroi Kryeministrin Nano se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbështesin Shqipërinë në këtë proces integrues si dhe në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe demokratizimit të jetës së vendit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›