• Kryeministri prezanton Prefektin e ri të Qarkut të Korçës, Niko Peleshi Kryeministri Fatos Nano ka prezantuar sot Prefektin e ri të Qarkut të Korçës, z. Niko Peleshi, gjatë një takimi
• Kryeministri prezanton Prefektin e ri të Qarkut të Korçës, Niko Peleshi
Kryeministri Fatos Nano ka prezantuar sot Prefektin e ri të Qarkut të Korçës, z. Niko Peleshi, gjatë një takimi të zhvilluar me intelektualë të këtij Qarku. Në takim merrte pjesë edhe Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Ben Blushi, deputetë të zonës, autoritete vendore, etj.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast tij, Kryeministri u shpreh:
"Sot është një rast për të ndarë edhe emocione, dhe vlera së bashku në Korçë edhe unë vij me kënaqësi për t'u motivuar nga tradita, jeta dhe ritmet e zhvillimit të këtij qyteti dhe komuniteti dhe për të integruar dhe bashkërenduar më mirë programet dhe projektet e zhvillimit prioritar që drejton edhe qeveria.
Është e natyrshme që në Korcë, si rrallë në vend të tjetër termat modernizim dhe integrim vijnë të natyrshme dhe të strukturuara mirë me tërësinë e aktorëve që përfaqësojnë sipërmarrjen, shoqërinë e hapur dhe natyrisht të aktorëve që thithin kompetenca më të gjera në kuadrin e reformave të decentralizimit dhe të harmonizimit të veprimeve përfaqësuese dhe qeverisëse me autoritetet legjislative dhe ekzekutive qendrore. Sot natyrisht celebrojmë një ngjarje, nuk besoj se është nje eveniment i përditshëm, apo kaq i kudondodhur ende, si shndërrimi i Niko Peleshit nga një sipërmarrës i lirë në një sipërmarrës dhe përfaqësue publik. Ky është një shembull, sepse zhvillimi i Shqipërisë ka sjellë më shumë garanci për sipërmarrjen private, në emër të së mirës së përbashkët të qytetit, Qarkut, qytetarëve.
Unë dua ta ndaj me ju, ta festoj me ju këtë produkt të ri të politikës së hapjes së Qeverisë, të partneritetit me shoqërinë civile, me sipërmarrjen legjitime, me protagonistët e programeve dhe projekteve që krijojnë ritme të larta të rritjes së qëndrueshme ekonomike, me botën e profesionistëve, ekspertëve, pse jo edhe të universitarëve, akademikëve, e cila do të vazhdojë të ftohet gjithnjë e më shumë, përvec oportuniteteve që zgjerohen, në projekte dhe programe zhvillimi, partneriteti dhe qeverisjeje të proceseve dhe reformave të integrimit të Shqipërisë në botën moderne.
Si kryeministër dhe kryetar i mazhorancës që prej 8 vjetësh udhëheq reformat në Shqipëri, unë kam kam disa javë që po zhvilloj kontakte në të gjithë vendin dhe dua të davaris cdo ekuivok se me veprime si ky që sjellin një përfaqësues të sipërmarrësve të shoqërisë civile në funksionet e rëndësishme të përfaqësuesit të qeverisë ne qark, Prefektit, apo në raste të tjera, unë nuk synoj të rekrutoj mercenarë politikë për partinë time. Mua po më shërbejnë këto kontakte me protagonistët dhe aktorët e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, për të verifikuar drejtëpërsëdrejti dhe së bashku me përfaqësuesit e komuniteteve, ecurinë e reformave, efektet që ato krijojnë, saktësinë e politikave për të menaxhuar kostot e tyre dhe për të programuar më mirë ritmet e zgjidhes së problemeve, kapërcimit të sfidave që po shtohen për shkak të konkurencës që sjell hapja dhe integrimi në rajon, duke iu përafruar standarteve të BE-së, apo të NATO-s.
Më vjen mirë që në këto kontakte po identifikoj më shumë partnerë, që ashtu si Prefekti i ri, sakrifikojnë një pjesë të interesave private dhe marrin përgjegjësi të cilat i ndajnë me përfaqësuesit e tjerë, në funksion të konsolidimit të strukturës dhe të ritmeve të rritjes së qëndrueshme të vendit. Duket se po bëhet imponuese në të gjithë nivelin e administrimit publik, që pa djemtë dhe vajzat që përdorin Soft Wer dhe Hard-Wer të botës moderne, të asaj që po shtrihet edhe tek ne si "new economy" me ekspertizën përkatëse, është e pamundur dhe do të viheshin në rrezik ritmet e larta të zhvillimit,apo ristrukturimi i aftësive konkuruese të shqiptarëve në hapjen dhe integrimin në tregjet globale.
Kur e bëj këtë vlerësim kam në vëmendje edhe vlerësimet gjithnjë e më ekzigjente te partnerëve ndërkombëtarë, qofshin qeveri, organizata shumëpalëshe, apo donatorë, edhe indikacionet që jep edhe për forcën politike që unë drejtoj, rezultati i zgjedhjeve të fundit bashkiake në Korcë. Pra veprime si këto nxisin bashkëveprimin horizontal mbipartizan, ose shumëpartizan të të gjithë përfaqësuesve dhe të mandatuarve, legjitim që dalin nga elektorati apo që dalin natyrshëm nga organizimet e lira të sipërmarrjes, të shoqërisë civile, për shkak se interesat themelore të vendit do të cenoheshin pa kontribuet e të gjithë këtyre grupeve të interesit, këtyre aktorëve dhe protagonistëve të rritjes së vendit në integrim .
Unë nuk jam aq naiv sa të mendoj se gjithë e ardhmja e Korcës do varet vetëm nga kompjuterat e Prefektit të ri, por jam shumë i bindur se me shembuj si ky ne forcojmë realitetet dhe mesazhet e partneritetit me gjithë shoqërinë, duke bërë të mundur edhe racionalizimin e projekteve dhe të programeve të financuara në nivel qëndror apo local për zhvillimin e Korcës dhe për hapjen e Qarkut me eksperiencën pozitive dhe shembullore që ai jep, në të gjithë territorin, në tregun ndërkombëtar, sepse këtu jemi në kufij me vende anëtare apo kandidate për anëtare të BE-së.
Korca ka një terren të tillë ku mund të strukturohen më mirë këto iniciativa dhe projekte ndërpartneriale zhvillimi, sepse ka një inftrastrukturë të rritjes ekonomike pak a shumë të avancuar dhe të qëndrueshme, në raport me qytete apo qarqe të tjera. Mjafton të kujtoj se jeni qyteti i parë me 24 orë ujë të pijshëm, në cdo banesë apo në dobi të sipërmarrjes, jeni i veti qytet ende në Shqipëri që e ka tërësisht të strukturuar, të modernizuar sistemin e furnizimit me energji elektrike. Nuk besoj se ky është ndonjë privilegj, sepse ne ecim më shpejtë aty ku ka aftësi thithëse locale, natyrisht dhe shlyerje të detyrimeve të produkteve të tilla të rëndësishme, që gjithashtu komercializohen në kushtet e tregut sic është energjia, uji, etj. Pra Korca është një shembull që meriton investime, dhe vazhdimin e programeve të financimit, në dobi të konsolidimit të kësaj strukture që prodhon rritje ekonomike me ritme të larta.
Korça i meriton këto projekte dhe financime për shkak se ka dhe kapacitete të administrimit të tyre, të thithjes së tyre, kaq partnerë lokalë që janë në gjendje t'i kthejnë në produkte, shërbime, një volum më të madh të ardhurash të përgjithshme apo fiskale, të gjitha investimet që qarkullojnë. Më rezulton se në tre vitet e fundit 2002-2003-2004 edhe financimet e huaja për projekte të financimeve urbane sidomos, në Korçë kanë nisur mirë dhe madje janë edhe më shumë më të mëdha relativisht se financimet me burim buxheti të shtetit apo të ardhurat e vetë bashkisë. Kjo është një provë që sikur të bashkohen dhe harmonizohen mirë aftësitë profesionale me përkushtimin qytetar të drejtuesve apo të të zgjedhurve, duket se nuk reziston dot ndonjë qeveri, ndonjë buxhetues apo ndonjë financim, (për financimet buxhetore ju e dini se konkurohet me projekte tashmë), për të mos u bashkuar me investimin e partnerëve lokalë.
Pra vazhdimi i ritmeve të larta të zhvillimit të qëndrueshëm në Korçë për shkakun tuaj gjithashtu është i garantuar. Ju korçarët, më rezulton se dini t'i shfrytëzoni mirë dhe efektet e hapjes, të globalizimit të ekononisë dhe të integrimit të shoqërisë shqiptare. Më rezulton kjo edhe nga numri i projekteve, me të cilat aplikoni dhe prandaj financoheni direkt nga qeveria apo nga partnerët ndërkombëtar. Ndoshta kjo është edhe arsyeja që shumë korçarë vazhdojmë t'i marrim edhe në Tiranë për t'i shërbyer gjithë vendit. Megjithatë nuk besoj se largimi i trurit ndjehet si më parë në Korçë.
Më lejoni t'ju jap një pasqyrë se çfarë efekti kanë krijuar investimet buxhetore apo procesi i përshpejtimit i delegimit të kompetencave, të fondeve dhe të pronës publike për shkak të reformave të decentralizimit në bashkinë dhe në komunat e qarkut të Korçës.në tre vitet e fundit në këtë territor dhe këtë komunitet të qarkut të Korçës ëshntë ndërhyrë në bujqësi në 144 objekte, në arsim në 133 objekte, në in frastrukturë urbane dhe komunale në 123 objekte, në shëndetësi në 89 objekte, në mjedise pune dhe infrastrukturë të tregut në 82 objekte, në infrastrukturën rrugore të kategorisë së parë në 59 objekte, në institucione social-kulturore në 29 objekte. Këtu nuk përfshihet ujësjellësi i qytetit, nënstacioni i Zëmblakut dhe superstradën Korçë-Kapshticë. Më rezulton që investimi, sidomos 7 vjeçar për Korçën ka prodhuar disa avantazhe evidente dhe të krahasueshme me pjesë të tjera të vendit.
Për shkak se janë sjellë në standart modern, infrastrukturat bazë kjo ka nxitur si karakteristikë kryesore të sipërmarrjes private zgjerimin e aktivitetit nga tregtia në industri, bujqësi dhe agropërpunim. Vetëm në përpunimin industrial me lëndë të para porositësi, Korça numëron 27 sipërmarrje private. Investimet private në qarkun e Korçës kapin shifrën e 17 milion dollarë dhe janë orientuar kryesisht në prodhimin që e konsolidojnë dhe e riciklojnë apo shumëfishojnë rritjen ekonomike, që nga materialet e ndërtimit, agropërpunimi, përpunimi i drurit, metaleve etj. Natyrshëm ky raport edhe public me aktorë dhe protagonistë kryesorë të komunitetit që ju përfaqësoni i shërben dhe qeverisë ëpr të saktësuar strategjitë dhe prioritetet e financimeve për zhvillim. Prandaj unë e mirëpres kontributin dhe vlerësimin tuaj për të bërë të mundur që ky qytet dhe gjithë kjo zonë e njohur për potenciale dhe kapacitete pune dhe sipërmarrjeje konsum-konkuruese do të duhet të vazhdojnë të ruajnë traditat e veta më të mira dhe të krijojnë e të thithin trendet e ekonomisë së re, në të cilën po përfshihet Shqipëria.
Ka ardhur koha që Korça të përcaktojë dhe rolin e vet, pse jo e liderit dhe mbështetësit edhe për turizmin në këtë rajon, që është një rajon shumë interesant dhe me specifika që e bëjnë shumë konkurues në tregun turistik, që nga liqeni i Pogradecit deri tek eurorajoni i Prespës. Besoj se edhe rektori i Universitetit të Korçës i pranishëm këtu, mund të arsyetonte sëbashku me qeverinë, prefektin dhe me autoritete të tjera të qarkut nëse këtë funksion të integrimit, të sipërmarrjes suaj, me resurset dhe natyrisht kapacitetet shumë dinamike të zhvillimit të Pogradecit, mund të shtrihej prezenca e fakulteteteve të universitetit edhe në qytetin fqinj, e kam fjalën veçanërisht për fakultetin e turizmit. Tani është trend m odern i kohës nxitja dhe mbështetja e profesorëve shëtitës edhe nga bota. Më vjen mirë që profesorë nga Pogradeci vijnë edhe në universitetin e Korçës. Atëherë ku do ta bëjnë praktikën studentët? Me furgona do t'i çojmë vetëm për të pushuar pranë liqenit? Mund të ishte një ide që mund ta strukturonim sëbashku, ju, autoritetet e Pogradecit, autoritet e Korçës dhe sigurisht qeveria, Ministria e Arsimit gjithashtu.
Besoj me këto iniciativa që përfshijnë gjithë qarkun, të mos hezitojmë më - eurorajonin, duhet të strakturojmë parametra dhe inisiativa që kapin konkurim të suksesshëm me Prespëm dhe Kosturin, apo të strukturojmë një terminal të rëndësishëm nacional në këtë trevë në raport me korridorin 8-të dhe me bregdetin e Egjeut të Greqisë, me Selanikun gjithashtu. Ne do të vazhdojmë të investojmë me programe buxhetore dhe donacione ndërkombëtare per të strukturuar më mirë tregun e tregtinë në Korçë, me tregje të grumbullimit të prodhimeve bujqësore dhe me infrastruktura të tjera që shoqërojnë afrimin e bankave tek prodhuesit e tregtarët.
Këtë duhet ta bëjmë sepse duam ta ridimensionojmë fenomenin e denigrimit dramatik nga fshati në vitet e trazicionit spontan, në shumë zona deri 80% e popullsisë, në një kohë kur duket se bujqësia në prodhimin kombëtar ka arritur parametra të zhvillimit të qëndrueshëm dhe ku resurset që ka territori rural dhe potenciali agrobiologjik i vendit, për më shumë prodhime bujqësore, duhen nxitur për t'u konsoliduar për tregun e brendëshëm dhe për eksport.
Nëse segmenti i parë i tranzicionit dhe kurbës së urbanizimit na dha këto efekte, ne duhet të këmbëngulim tani se duke disiplinuar dhe kuruar zhvillimet spontane të konsolidojmë strategjinë e zhvillimit të fshatit dhe bujqësisë më me pak forca pune, nuk mund të vazhdojmë t'i dorëzohemi importeve për shkak të tokave djerrë të mbetura nga largimi i njerëzve drejt parave më të lehta apo më të kapshme që kanë qendrat urbane.
Mësova me kënaqësi se aktualisht fermerët korçarë pretendojnë për shkak dhe mbështetur në investimet e kryera në këto bite në pemtari, Brenda vitit 2008 të plotësojnë nevojat e tregut vendas me mollë e të dalin në eksport. Këtu kam parasysh flukset e qëndrueshme dhe jo iniciativat sporatike. Ky është një lajm tjetër i mirë që ia vlen ta diskutojmë sëbashku e ta stimulojmë. Dhe jam këtu për t'u njohur dhe mbështetur më mirë këto realitete dhe transformime me të njëjtën karakteristikë që kam strukturuar në vite të eksperiencës politike dhe ekzekutive për të kërkuar më shumë nga vetja dhe partnerët lokalë e në dobi të komuniteteve përkatëse.
Le të analizojmë një fushë tjetër prioritare, që është edhe prioritet i strategjisë kombëtare të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit, fusha e dijes dhe arsimit, fusha më pak e kontestuar për më shumë pretendime të përbashkëta. Nuk kam fjalën për të neglizhuar efektet e më shumë se 7 milion dollarëve të shpenzuar për sistemin arsimor në qarkun tuaj, por kërkoj sërish më shumë partneritet nga qarqet universitare dhe rektori që i përfaqëson, për të kapërcyer një farë vonese që më rezulton në krijimin e një fizionomie specifike të universitetit tuaj. Korça duhet të konkurojë edhe në arsimin e lartë, të vendosë një autoritet në këtë treg dhe fushë që i përshtatet traditës dhe emrit të saj si vatër e kulturës dhe qytetërimit shqiptar në shekuj. Kjo është e vlefshme jo vetëm për tregun kombëtar por edhe për tregun rajnonal. Nuk e di se sa degë të Universitetit do të duheshin për të krijuar dhe mbështetur të gjithë nikoqirët e sipërmarrjes korçare, por të mos hezitojmë për t'i hapur ato sëbashku.
Këtë nuk e kam thjesht një adresë kritike, por ju ftoj të gjithëve të ndihmojmë më shumë universitetin, rektorin, senatin dhe petagogët për të kuptuar dhe vendosur se cila duhet të bëhet instrumenti bazë apo arma sekrete e konkurimit të Korçës në fushën e prodhimit të trurit të kualifikuar, pa të cilin shumë gjëra do të vonoheshin. Kam parasysh nevojën që shtron stadi akttual per një integrim më të qartë midis programeve të zhvillimti ekonomik, programeve arsimore, investimeve dhe donacioneve në të dy fushat që mund të lidhen me më shumë kujdes e energji me burime financimi ,për t'u adresuar në fushën e kërkimit shkencor dhe teknologji që mbështet ritmet e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Ka mjaft sfida të tjera që mund t'i rreshtonim sëbashku, por besoj se jemi qetësisht racionale kur arsyetojmë se nuk ka gjë që nuk kapërcehet dot. Realitetet vazhdojnë të transformohen në dobi të të gjithëve, të qytetit, në dobi të të mandatuarve qendrorë apo vendorë, në rast se do të vazhdojmë të vëmë dashurinë mbi urrejtjen, përkushtimin në vend të hileve justifikuese, projektet në vend të debateve shterpë me akuzat politike apo mediatike, përgjegjisitë ligjore natyrisht përballë apo mbi urdhrat e verbër partiakë.
Unë dua të përgëzoj përfaqësuesit e maxhorancës në këshillin bashkiak të Korçës që kanë arritur të strukturojnë një bashkëpunim me kryetarin Damo për të votuar akte të rëndësishme si buxheti dhe do t'i nxisja të dy palët t'i konsolidojnë më tej këto veprime të partneritetit institucional dhe ligjor.
Z.Kryetar ju vazhdoni të pretendoni se mungojnë apo janë ngrënë 410 mijë USD apo 41 milion lekë nga qeveria qendrore. Është një rast për t'i trajtuar kontestet publikisht. Më rezulton se nuk mund të ndodhë kjo gjë. Prandaj dhe nuk është lejuar të ndodhë, aq më pak për një ndëshkim electoral. Sivjet buxheti i shtetit harxhon 2 miliard dollarë në tërësi. Prandaj kjo shumë është e dimensionuar me autoritetet fiskale qendrore dhe vendore. Më rezulton se është krijuar një hendek (gap) i justifikueshëm për shkak të humbjes së pak kohe në lubrifikim mekanizmash politikë në bashkinë e re në mbledhjen e të ardhurave fiskale prej gati 700 mijë USD. Unë besoj se ky është preokupacioni që duhet të na afrojë më shumë në bashkëpunim për të identifikuar burimet që e mbyllin këtë gap.
Besoj se me përshpejtimin vitin e ardhshëm në kuadrin e ushtrimit të ri buxhetor, të disa iniciativave që delegojnë më shumë autoritet dhe fonde në shërbimet publike në dobi të bashkive, ne mund të gjejmë instrumentat e zgjerimit të autoritetit dhe juridiksionit fiskal që do t'ju bënte të mos kishit më vrima të zeza nëpër këmbë. Sepse nuk më vjen mirë që Korçës t'i mungojnë 700 mijë dollarë investime apo shërbime. Prandaj besoj se edhe Prefekti me atributet ligjore të tij, me përvojën e vet sipërmarrëse dhe kompjuterike, sëbashku me kryetarin e bashkisë dhe këshilltarët bashkiakë do të jenë partnerët e qëndrueshëm të qeverisë për të absorbuar dhe per të mos krijuar më defiçite të dëmshme për buxhetin bashkiak dhe për realizimin e funksioneve të bashkisë. Unë ju nxis dhe ju mbështes që edhe nëpërmjet prefektit të ri të pranoni si bashki të luani rolin e liderit në projektin prej 17 milion euro e pastrimit dhe trajtimit të mbetjeve të ngurta.
Të dashur miq, ju ftoj sinqerisht dhe në mënyrë afatgjatë t'i shkatërrojmë sinoret që pengojnë një zhvillim rajonal e kombëtar të qëndrueshëm dhe t'u japim njerëzve më shumë hapësira dhe oportunitete për punësim dhe iniciativa të lira. Korçarët i kanë dhënë të gjithë shqiptarëve historikisht mesazhe të aftësive dhe të kulturës së integrimit. Ka ardhur koha që këto përvoja dhe këto vlera të kulturës dhe sipërmarrjes kombëtare t'i bëjmë tabanin e qëndrueshëm të zhvillimit dhe të integrimit të të gjithë vendit.
Solemnisht më lejoni t'ju them në emër të qeverisë që janë të mirëpritur të gjithë përfaqësuesit, aktorët, sipërmarrësit, punëdashësit që janë të gatshëm të kontribuojnë më shumë dhe të ndajnë më shumë përgjegjësi për zhvillimin e qarkut dhe për zgjerimin e influencës korçare në tregun kombëtar e më gjërë. Ju ftoj për këtë angazhim misionar që na bashkon, ta bëjmë shtetin gjithnjë e më funksionues në shërbim të komuniteteve.
Punë të mbarë!"