Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të veçantë Drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, z. Marc Danzon. Në fillim të takimit, Kryeministri Nano vlerësoi
Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të veçantë Drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, z. Marc Danzon.
Në fillim të takimit, Kryeministri Nano vlerësoi rolin e frytshëm të OBSH-së në kuadër të reformave për zhvillimin e sistemit shëndetësor në vendin tonë, si dhe siguroi për një bashkëpunim të ngushtë të Qeverisë Shqiptare me këtë organizëm në kuadër të përmbushjes dhe konkretizimit të projekteve dhe strategjive të përbashkëta në sistemin e shëndetësisë. "OBSH mbetet një partner i rëndësishëm në hartimin e Politikave dhe Strategjive shëndetësore, si dhe mbështetëse e rëndësishme teknike në zbatimin e tyre", tha zoti Nano.
Kryeministri Nano u shpreh se shëndetësia dhe arsimi mbeten prioritete të programit dhe politikave të ndërrmarra nga Qeveria dhe po hidhen hapat e duhur në drejtim të sigurimeve shëndetësore dhe përgatitjes e zbatimit të një pakete të re reformash në këtë fushë, që do të konkretizojnë strategji efektive dhe moderne në sistemin e shëndetësisë.
Bashkëbiseduesit u ndalën edhe në përpjekjet për rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor në Shqipëri, duke futur konceptet e përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë dhe edukimin e mëtejshëm të stafit mjekësor.
Duke marrë fjalën Drejtori Rajonal i OBSH-së, z. Danzon tha se ne mendojmë se Qeveria Shqiptare është duke ecur në rrugë të drejtë dhe jemi të kënaqur me vizionin e qeverisë si dhe me programet e saj afat-mesme dhe afat-gjata të cilat përkojnë me objektivat e Mijëvjeçarit në fushën e shëndetësisë. " Ne po bashkëpunojmë ngushtë me institucionet tuaja që objektivat e Mijëvjeçarit të mos mbeten një ëndërr e OKB-së por të zbatohen konkretisht dhe të japin efektet e tyre pozitive", tha z. Danzon.
Kontributi kryesor i OBSH-së në sistemin shëndetësor shqiptar është konkretizuar në bashkëpunimin për hartimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit kundër HIV/AIDS, të Sistemit të Surveillances Epidemologjike të Sëmundjeve ngjitëse dhe të sistemit ALERT që e rendit Shqipërinë ndër vendet më të avancuara në Ballkan për shëndetin publik, hartimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Sëmundjet mendore, në Strategjinë Afatgjatë të Zhvillimit të sistemit shëndetësor shqiptar, etj.