Kryeministri Fatos Nano priti sot pasdite në një takim të veçantë Kryeministrin e Norvegjisë Kjell Magne Bondevik. Në këtë takim dy personalitetet e larta diskutuan mbi nivelin e marrëdhëni
Kryeministri Fatos Nano priti sot pasdite në një takim të veçantë Kryeministrin e Norvegjisë Kjell Magne Bondevik. Në këtë takim dy personalitetet e larta diskutuan mbi nivelin e marrëdhënieve që ekzistojnë mes të dy vendeve tona, proceset integruese rajonale dhe në mënyrë të veçantë integrimin e Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike,etj.
Pas këtij takimi dy Kryeministrat deklaruan përpara medias:
Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano: Kam kënaqësinë të përshëndes Kryeministrin e Norvegjisë, i cili është bashkuar me Inisiativën e Europës Juglindore për të nxitur dialogun ndër-fetar dhe ndër-etnik. Me këtë rast bëmë një identifikim të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, të interesave dhe potencialeve të gjëra, që mund të aktivizohen.
Norvegjia është një vend i respektuar, anëtar i NATO-s, një vend në marrëdhënie të tregtisë së lirë me BE-në, një vend me potenciale ekonomike dhe financiare të njohura, vendi me të ardhurat për frymë më të larta në botë, një vend që ka ofruar asistencë dhe mbështetje financiare për projekte të shoqërisë civile shqiptare dhe projekteve të infrastrukturave të shërbimeve jetike në shoqërinë shqiptare, gjatë viteve të tranzicionit.
Ka ardhur koha që duke intensifikuar dialogun politik,mes dy vendeve tona ne të identifikojmë një kuadër marrëdhëniesh më të gjëra dhe që do të angazhojnë në shkëmbime Dhomat e Tregtisë, sipërmarrësit, më shumë organizata të shoqërisë civile, veçanërisht në fushën e asistencës humanitare, që ndihmon në rritjen e efikasitetit të organizatave të shoqërisë sonë apo të administratës civile, në luftën kundër trafikut të fëmijëve apo në forcimin e kufijve në këtë rajon, ku ende ka shumë hapa për të bërë në përafrimin me legjislacionin dhe standartet e BE-së. Po ashtu e njoha Kryeministrin e Norvegjisë me pergatitjet e Shqiperise per zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vullnetin politik per realizimin e ketij procesi ne perputhje te plote me standartet demokratike.
Kryeministri i Norvegjisë Kjell Magne Bondevik: Së pari dëshiroj të falënderoj Shqipërinë për organizimin e kësaj konference shumë të rëndësishme për dialogun ndër-etnik dhe ndër-fetar të organizuar sëbashku me UNESCO-n.
Lidhur me marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve tona, ato janë të shkëlqyera dhe po zhvillohen gjithnjë e më tej, si nga ana politike ashtu edhe nga aspekti ekonomik. Norvegjia mbetet e angazhuar për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe ne do të mbështesim integrimin e Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike.
Unë e inkurajova fuqimisht Kryeministrin, që të përdorë të gjithë mekanizmat e reformës në Plan-Veprimin për anëtarësimin në NATO. Përpjekjet tuaja lidhur me programin kombëtar vjetor në këtë drejtim kanë qenë impresionuese, dhe ne ju inkurajojmë që të vazhdoni në këtë rrugë. Progresi i vazhdueshëm për integrimin e Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike gjithashtu, varet nga implementimi i reformave në legjislacion.
Në një perspektivë rajonale kam inkurajuar Shqipërinë, si dhe vendet e tjera që bëjnë pjesë në Planin e Veprimit për anëtarësim në NATO këtu në rajon, Maqedoninë dhe Kroacinë, që të vazhdojnë të punojnë edhe në promovimin e integrimit Euro-Atlantik gjithashtu edhe në Serbi dhe Mal të Zi dhe në Bosnje-Hercegovinë. Unë besoj se ky do të jetë një kontribut shumë i madh në stabilitetin e të gjithë rajonit.
Ne besojme në një proces elektoral transparent dhe të rregullt për zgjedhjet parlamentare vitin tjetër në vendin tuaj. Ne e inkurajojmë Kryeministrin të vazhdojë me implementimin e standarteve europiane në ligjet shqiptare dhe dua të theksoj se ne do t'ju mbështesim edhe në planin ekonomik përmes disa projekteve në vendin tuaj, si në sistemin spitalor dhe gjithashtu, në qendra këshillimi për mbrojtjen e fëmijëve dhe të grave kunder trafikimit njerëzor.
Z. Kryeministër dëshiroj t'ju falënderoj edhe njëherë për pritjen tuaj.