E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të veçantë Kryeadministratorin e ri të UNMIK-ut në Kosovë, zotin Soren Jessen Petersen. Menjëherë pas takimit të dy personalitetet deklaruan p

Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të veçantë Kryeadministratorin e ri të UNMIK-ut në Kosovë, zotin Soren Jessen Petersen. Menjëherë pas takimit të dy personalitetet deklaruan përpara medias:

Kryeministri Fatos Nano: Kam nderin të dal para jush me Kryeadministratorin e ri të Kosovës, z. Soren Jessen Petersen, të cilin e urova dhe e sigurova gjithë mbështetjen për kryerjen me sukses të detyrës si Përfaqësues i Posacëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Drejtuesi më i lartë i UNMIK-ut në Kosovë. Vlerësoj edhe publikisht përvojën e tij jashtëzakonisht të çmuar si njohës i mirë i realiteteve dhe i marrëdhënieve ndëretnike në rajonin e Ballkanit, kontributin e tij si diplomat në kryeqytetet e rajonit tonë.

Qeveria dhe shteti shqiptar do të vazhdojnë të përkrahin politikën e zbatimit të standarteve me prioritetet e forcimit të institucioneve demokratike, të bashkëjetesës dhe të qeverisjes së mirë në Kosovë. Roli i UNMIK dhe i KFOR në këtë ceshtje janë të pazëvendësueshëm.

Ne do të vazhdojmë politikën tonë konstruktive, ndikimin pozitiv për moderacionin dhe bashkëpunimin, zhvillimin e dialogut dhe të iniciativave rajonale mes forcave politike në Kosovë, midis kryeqyteteve të vendeve të ndryshme të rajonit, iniciativa që konsolidojnë procesin e përafrimit të rajonit dhe integrimit euroatlantik të qeverive legjitime të vendeve të Ballkanit.

Kosova është pjesë e kësaj axhende dhe unë përshëndeta qëndrimin e qartë të zotit Petersen për të dinamizuar dhe përshpejtuar punën për realizimin e standarteve dhe forcimin e angazhimeve europiane në Kosovë dhe në rajon.

Ne do të vazhdojmë të respektojmë dhe të mbështesim zbatimin me rigorozitet të Rezolutës 1244 te Keshillit te Sigurimit te OKB-se, si dhe të forcojmë bashkepunimin dy dhe shumëpalesh për të bërë të mundur që çështja e standarteve të shoqërohet natyrshëm me diskutimin e statusit europian të Kosovës njëlloj si për vendet e tjera të Ballkanit.

Tashmë statusi përfundimtar i Kosovës nuk mund të mos lidhet me më shumë stabilitet, paqe, siguri, zhvillim dhe prosperitet ekonomik, me mirebesim te ndersjelle, mbrojtje të lirive dhe të drejtave themelore të të gjithë shtetasve dhe sidomos të pakicave, për t'i hapur përfundimisht rrugën edhe Kosovës, ashtu si edhe vendeve të tjera të Ballkanit, për integrim në strukturat europiane dhe euroatlantike.

Ne do të dëshironim dhe e ndjekim me interes në këtë funksion, që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të tetorit në Kosovë, të përmirësojnë frymën e bashkëjetesës, të dialogut politik dhe të angazhimeve të të gjithë spektrit shqiptar dhe serb në Kosovë, për konsolidimin e institucioneve të qeverisjes dhe për arritjen e standarteve të integrimit rajonal dhe europian.

Masat e ndërmarra nga autoritetet kosovare në këtë funksion, ne i konsiderojmë të rëndësishme për ruajtjen dhe konsolidimin e atmosferës demokratike për zhvillimin e një procesi te hapur e te suksesshem zgjedhor.

Ne jemi gjithashu të bindur se roli i organizatave nderkombetare krahas UNMIK, OSBE, dhe KFOR, i Paktit të Stabilitetit dhe përfaqësitë e BE-së në Kosovë dhe në rajon janë të pazëvendësueshme, për të konsoliduar procesin demokratik, për të garantuar zgjedhje të lira dhe paqësore edhe në Kosovë dhe për të forcuar punën për implementimin e standarteve të integrimit.

Qeveria Shqiptare e ka mbështetur dokumentin "Standartet për Kosovën" të miratuar nga BE, i cili rikonfirmon angazhimet pozitive të bashkësisë ndërkombëtare për konsolidimin e institucioneve dhe të standarteve europiane në Kosovë. Zgjerimi dhe konsolidimi i procesit të bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh në këtë funksion, lehtësimi i mëtejshëm i lëvizjeve të lira, hapja e mëtejshme e tregjeve dhe gjenerimi i iniciativave ekonomike, që lëvizin në kufijtë e një tregu rajonal, ne i konsiderojmë si fenomenet e së ardhmes, që duhet të dominojnë konfliktet e së kaluarës dhe të garantojnë më shumë mirëqënie dhe mbrojtje ligjore për shtetasit në të dyja anët e kufirit, në të gjithë rajonin, gjithashtu.

Ne pershendesim dhe vleresojmë axhendën e reformave që po vazhdon dhe do të intensifikohet pas zgjedhjeve në Kosovë edhe në fushën e delegimit të pushtetit dhe të krijimit të një autonomie më të kristalizuar të qeverisjes vendore, të pushteteve lokale, pa shmangur kontrollin dhe vijën vertikale të pushtetit, pa cënuar autoritetin qëndror apo territorin e Kosovës. Prandaj ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me autoritetet e UNMIK-ut për të gjeneruar edhe më shumë iniciativa, që sjellin më shumë zhvillim ekonomik dhe më shumë kontakte sociale dhe kulturore mes qytetarëve në të dyja anët e kufirit, ashtu edhe më shumë prosperitet për banorët e komunave vecanërisht në rajonet kufitare.

Ne vlerësojmë se përmirësimi i mëtejshëm dhe kapërcimi i pengesave që kanë bllokuar përkohësisht dialogun mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës është hapi i parë që do të siguronte një zhvillim të pandërprerë dhe më të plotë të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Ne besojmë se askush nuk duhet të qëndrojë jashtë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë, vecanërisht serbët e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme kanë shansin të konsolidojnë institucionet vetëqeverisëse demokratike dhe të krijojnë sëbashku me komunitetin shqiptar garancitë e integrimit dhe të realizimit të plotë të të drejtave dhe të lirive të tyre themelore në Kosovën europiane.

E ardhmja europiane e Kosoves është për qeverinë e Shqipërisë,- dhe më vjen mirë që nuk ka kundërshti në spektrin politik të Shqipërisë në këtë opsion,- alternativa më e qartë dhe pa konkurues. Ne vazhdojmë të mbështesim filozofinë dhe iniciativat politike që e bëjnë terminalin e fundit edhe për Kosovën ashtu si per te gjitha vendet e rajonit, Brukselin europian. Ne do të vazhdojmë të marrim pjesë dhe të luajmë rolin tonë pozitiv në të gjitha iniciativat rajonale dhe europiane që i shërbejnë përshpejtimit të procesit të përafrimit, të asociimit, të Kosovës.

Ne natyrshëm ndamë angazhime të reja në mbështetje të zgjerimit të lëvizjeve të qytetarëve dhe të flukseve ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë, produktet e reja që po shtohen në zbatim të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, iniciativa të përbashkëta për të përshpejtuar punën e ndërtimit të infrastrukturave të komunikimit, veçanërisht të rrugës Durrës-Kukës apo të segmenteve që duhen rikonstruktuar, që lidhin Gjakoven me Qafe- Prushin, si dhe linjat e tensionit të lartë për të cilat janë aprovuar termat e referencës në kuadrin e Memorandumit të Mirëkuptimit për tregun rajonal energjetik, për të lidhur Vaun e Dejes me Prizrenin me linjën 400 Kilo Volt si dhe për të përshpejtuar studimet e fizibilitetit dhe identifikimin e financimeve me mbështetjen e Bankës Boterore për të gjitha interkonjeksionet e nevojshme.

Ju e dini që aktualisht në vijen kufitare me Kosoven funksionojnë 5 vendkalime dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim hapjen e vendkalimeve të reja, si dhe ndërtimin e infrastrukturave që lehtësojnë lëvizjet e lira, rrugët, pikat doganore, postat kufitare dhe procedurat administrative në funksion të intensifikimit të marrëdhënieve dhe të shkëmbimeve.

Jam i lumtur gjithashtu, që vizita e zotit Petersen në Tiranë cel një javë europiane. Nesër do të kemi Presidentin Rugova dhe tashmë edhe liderët e partive politike të ligjshme në Kosovë janë në rrugën e kontakteve me të gjithë spektrin politik të Tiranës zyrtare.

Kryeadministratori i Kosovës z. Soren Jessen Petersen: Z. Kryeministër ndau me ju shumë nga pikat që ne diskutuam bashkë. Ne patëm një diskutim mjaft të mirë dhe unë jam dakort me të gjitha ato që tha Kryeministri.

Ne u përqendruam mjaft në dimensionin rajonal. Unë jam mjaft i kënaqur që jam këtu. Kam rreth 15 vitet e fundit që jam përfshirë shumë në çështjet e rajonit tuaj. E dimë të gjithë që për shkak të konflikteve të dhimbshme ky rajon ka humbur mjaft kohë, ndërkohë që vende të tjera në veri dhe në jug të tij ose janë futur në Bashkimin Europian ose janë në procesin e futjes. Por ndërkohë është e qartë për te gjithë vendet e BE-sw dhe Ballkanit Perëndimor se e ardhmja e kwtij rajoni është në Europë.

Perspektiva europiane e rajonit u konfirmua më së miri në Samitin e Selanikut një vit më parë. Meqenëse kam qenë i dërguari i posacëm i BE-së në Maqedoni e di më së miri se e ardhmja e rajonit qëndron në BE, demokratizimi, bashkëpunimi ekonomik dhe ardhma e rajonit është vetëm aty. Por e di gjithashtu se kjo gjë nuk mund të realizohet në qoftë se nuk arrijmë të normalizojmë, të stabilizojmë rajonin dhe në këtë kontekst edhe Kosovën. Kosova është pjesë e rajonit padyshim dhe në këtë kuptim është edhe pjesë e perspektivës Europiane.

Sic tha edhe Kryeministri duhet patjetër të përshpejtohet realizimi i standarteve. Këtë gjë unë do ta theksoj me forcë sepse vetëm nëpërmjet përshpejtimit të realizimit të standarteve do të mundemi të shkojmë në fazën e bisedimeve për Statusin përfundimtar gjë që është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës padyshim por dhe në interesin e të gjithë qytetarëve dhe shteteve të rajonit.

Kosovën e presin disa prova të rëndësishme dhe ajo që është më e afërta janë zgjedhjet që do të mbahen së shpejti. Të jesh një anëtar i Europës duhet të jesh anëtar i një shoqërie multietnike prandaj edhe Kosova duhet të jetë një shoqëri e hapur multietnike. Të gjithë duhet ta ndjejnë veten të sigurt, të gjithë duhet ta ndjejnë se kanë një të ardhme në Kosovë, të gjithë duhet të marrin pjesë në ndërtimin e institucioneve demokratike, duke përfshirë edhe zgjedhjet.

Unë kam nxitur me forcë dhe do të vazhdoj ta bëj këtë gjë edhe në ardhmen, që serbët e Kosovës, dhe shpresoj që edhe Beogradi do ta përkrahë këtë gjë, - të marrin pjesë në ndërtimin e proceseve demokatike dhe vecanërisht në zgjedhjet që do të mbahen së afërmi.

Në përfundim dua të shpreh kënaqësinë time për marrëdhëniet mjaft të forta bilaterale të bashkëpunimit që ka mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kryeministri foli për disa iniciativa të ndërmarra dhe shumë të tjera që do të ndërmerren në ditët e ardhshme. Jam shumë krenar që gjithashtu, me kontaktet që janë vendosur dhe po kërkojmë mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Kosovës. Që nga dita ime e parë në punë kam kërkuar dhe po punoj për forcimin e kontakteve me institucionet e Kosovës. Dje, diskutova me ta për vizitën time në Shqipëri dhe në Maqedoni, gjithashtu pres të gjej nga partnerët e mi në Shqipëri një raport përmbledhje që do të mbahet në ditët e ardhshme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›