Sot paradite Kryeministri Fatos Nano priti në një takim të veçantë Ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Italisë në Shqipëri, Masimo Iannuci. Midis të tjerave
Sot paradite Kryeministri Fatos Nano priti në një takim të veçantë Ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Italisë në Shqipëri, Masimo Iannuci.
Midis të tjerave ambasadori e informoi Kryeministrin në lidhje me politikat që ka ndjekur dhe ndjek shteti italian në lidhje me studentët shqiptarë që regjistrohen çdo vit në universitetet e Italisë, numri i të cilëve arrin në 10 mijë vetë, për të cilët shteti italian shpenzon çdo vit 7 milion e 360 mijë euro, nga të cilat 5.5 milion euro shkojnë për rreth 1000 bursa studimi në favor të studentëve shqiptarë në Itali. Tashmë studentët tanë në Itali gëzojnë po ato të drejta ligjore që i njeh shteti edhe studentëve italianë.
Në lidhje me zhvillimet e fundit, ambasadori Iannuci e informoi Kryeministrin se konsullatat në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë kanë përballuar 2877 kërkesa për viza studimi në Itali. Për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të gjuhës janë refuzuar 14.2% të kërkesave.
Ambasadori shpjegoi se të gjithë këtyre personave u është dhënë motivi i refuzimit të vizës. Pala italiane sqaroi se pas rishikimit të listave dhe dokumentacionit përkatës një numri të caktuar studentësh u është njohur e drejta për të shkuar në Itali.
Ambasadori sqaroi gjithashtu se ambasada italiane në Shqipëri, si pasojë e marrëdhënieve të shkëlqyera politike dhe partneritetit të ngushtë me Qeverinë Shqiptare, ka ardhur gjithnjë duke e rritur numrin e vizave që lëshon për shtetasit shqiptarë. Ajo tashmë zbaton një regjim të liberalizuar veçanërisht për interesa studimi, për kategori biznesi, për punësim etj.
Nga ana e tij, Kryeministri Nano, pasi i shprehu falenderimet e rastit, e siguroi Ambasadorin Iannuci se miqësia strategjike mes dy vendeve dhe qeverive tona nuk do të mund të dëmtohet nga incidente të ushqyera nga segmente të caktuara me interesa që i kundërvihen ndjenjave të thella të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe forcimit të pandërprerë të partneritetit në kuadër të reformave dhe proceseve integruese dhe bashkëpunimit euroatlantik.