Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Presidenten e Wester Union, znj. Christina Gold. Wester Union është një kompani shumë prestigjoze, e cila është prezent në tregun botëror që
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Presidenten e Wester Union, znj. Christina Gold. Wester Union është një kompani shumë prestigjoze, e cila është prezent në tregun botëror që prej mbi 30 vjetësh dhe sot renditet ndër 50 bizneset më të suksesshme në Amerikë.
Znj. Gold, në fillim të këtij takimi, i ka bërë prezent Kryeministrit Nano aktivitetin që zhvillon kompania e Wester Union në përgjithëse, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në ambiciet e kësaj kompanie për zhvillimin e këtij biznesi në Shqipëri. Në këtë drejtim, znj.Gold u shpreh se tashmë shërbimeve të transfertave që ofrohen për tregun shqiptar do t'i shtohen edhe shërbime të tjera cilësore si parapagesat e biznesit dhe pagesat e faturave për klientët, shërbime këto që i vijnë në ndihmë si klientëve ashtu edhe institucioneve të ndryshme qofshin këto shtetërore apo edhe private. "Jemi shumë të kënaqur nga suksesi i deritanishëm i biznesit tonë në Shqipëri. Vitet e fundit tregu financiar që ofron vendi juaj ka njohur progres të dukshëm dhe paraqet siguri dhe interes shumë të madh për ne", tha znj. Gold.
Në këtë takim, Kryeministri Nano theksoi se Qeveria Shqiptare është e angazhuar në zbatimin e një sërë programesh dhe reformash që mbështesin biznesin e huaj dhe serioz në Shqipëri, si dhe për krijimin e kushteve të favorshme që garantojnë suksesin dhe sigurinë e këtyre bizneseve. Këto hapa, - tha Kryeministri Nano, - i shërbejnë krijimit të një baze të qëndrueshme për investitorët e huaj, të cilat rrisin parametrat e tregut tonë financiar, që po integrohet me standartet e botës moderne.
Gjithashtu znj. Gold u shpreh se kjo marrëdhënie e krijuar me Shqipërinë do të zgjerohet edhe më tej, duke përmendur në këtë drejtim edhe sponsorizimin e bërë nga Wester Union të skuadrës sonë kombëtare të futbollit në ndeshjen Shqipëri-Greqi.