E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim të veçantë me Ambasadorin e Komisionit Europian në Tiranë z. Lutz Salzman. Në këtë takim Kryeministri Nano i ka dorëzuar Ambasadorit Salzma

Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim të veçantë me Ambasadorin e Komisionit Europian në Tiranë z. Lutz Salzman. Në këtë takim Kryeministri Nano i ka dorëzuar Ambasadorit Salzman dokumentin e Plan-veprimit për zbatimin e prioriteteve të Partneritetit Europian.
Pas takimit Kryeministri Nano dhe Ambasadori Salzman kanë dalë përpara medias me një deklaratë.

Kryeministri Fatos Nano: "Sot pata nderin e veçantë t'i dorëzoj Ambasadorit Salzman të Komisionit Europian në Shqipëri, Planin e Veprimit dhe të prioriteteve të Dokumentit shqiptar të Partneritetit Europian me BE-në.

Ky dokument angazhues i Qeverisë Shqiptare dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë është fryt i një pune intensive 4- mujore, dhe rezultat i bashkëveprimit i të gjitha institucioneve të shtetit dhe ai u miratua në qeveri pak ditë më parë.

Ky dokument është shprehja e nivelit të ri të angazhimeve dhe të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Komunitetit Europian. Me këtë ceremoni të thjeshtë që sapo kryem, përmes ambasadorit Lutz Salzman, ne i dorëzojmë institucioneve të Bashkimit Europian shprehjen e vullnetit politik dhe të angazhimeve të programuara për procesin e reformave të integrimit, për forcimin e institucioneve demokratike dhe të kapaciteteve të administrimit, për garantimin e zgjedhjeve demokratike, për forcimin e mëtejshëm të parametrave të ekonomisë së hapur të tregut në procesin e integrimit, për angazhime konkrete dhe institucionale, që duke luftuar dobësitë e sistemit në tranzicion trafiqet dhe krimin e organizuar dhe duke forcuar autoritetin e ligjit e sjellin Shqipërinë më afër me standartet e BE.

Dokumenti i Partneritetit Europian është një instrument i ri, stimulues që i ofron BE vendeve të Stabilizim- Asociimit dhe ngre më lart, në një stad më të avancuar, marrëdhëniet e partneritetit me Komisionin.

Këto janë gjithashtu instrumente të rëndësishme të monitorimit për vendet që sipas përvojës së krijuar tashmë kanë aderuar në BE dhe ne na gëzon fakti që kuadri i Komunitetit Europian për Shqipërinë, i hartuar në bashkëpunim me komisionin, është mjaft realist dhe pasqyron në substancë nevojat dhe kërkesat e sakta të Shqipërisë në prioritete aftashkurtra (12-24 muaj) dhe ato afatmesme (3-4 vite) për përafrim dhe integrim.

Më lejoni të theksoj edhe njëherë se ky dokument ka rëndësi për ecurinë e mëtejshme të marrëdhënieve BE-Shqipëri dhe vecanërisht për vazhdimin e zhvillimit të frytshëm të dialogut midis Qeverisë dhe Grupit të negociatorëve të RSH dhe delegacionit apo Misioneve të Kopmisionit për zbatimin e reformave dhe të angazhimeve sektoriale të programuara. Ky Plan-veprimi do të shërbejë për ne si instrument bazë i monitorimit dhe i vlerësimit të progresit dhe ne na gëzon fakti që produktet e tij do të jenë pjesë e raportit të ardhshëm të BE-së për Shqipërinë.

Momentet kryesore që do të sillja në vëmendjen për këtë dokument dhe procesin e përgatitjes së tij janë:

Sinergjia e krijuar midis politikave dhe strategjive kombëtare në funksion të integrimit europian.

Janë të gjitha rekomandimet që kanë dalë nga Takimet me Task-Forcave të Brukselit, nga grupet e punës që kemi përfshirë si pjesë e dokumentit dhe për vazhdimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabizilim- Asociimit.

Një element shumë i rëndësishëm dhe i programuar me shumë përgjegjësi janë burimet financiare dhe mbulimi i nevojave për financim që mbështesin procesin e reformave për integrim dhe që janë përfshirë edhe në projekt-buxhetin afatmesëm të Republikës së Shqipërisë.

Më në fund ne kemi arritur me këtë përgatitje serioze të identifikojmë dhe të vëmë në dispozicion stafet më të kualifikuara dhe ekspertët më të mirë të Ministrisë së Integrimit, të Qeverisë dhe të institucioneve të tjera shtetërore, duke bërë interlokutorë dhe përgjegjës kryesorë të skemës operacionale të punës zv/ministrat në cdo dikaster që ndjekin me përgjegjësi nominale hartimin e dokumentit dhe vazhdimin e zbatimit të tij.

Ky Dokument tashmë do t'i nënshtrohet një procesi shumëplanësh bashkëpunimi dhe monitorimi. Qeveria do të këtë nën vëmëndjen e saj parësore këtë proces. Parlamenti nga ana e tij ka mundësinë me një dokument angazhimesh shtetërore të kontrollojë qeverinë dhe institucionet e tjera që varen nga Kuvendi, ky dokumenti i është vënë në dispozicion parlamentarëve, që në muajin Korrik 2004 dhe ata kanë qenë të përfshirë nëpër të gjitha fazat e përgatitjes së dokumentit.

Ne jemi të gatshëm që nga ky moment këtë dokument të përgatitur tia vëmë në dispozicion edhe shoqërisë civile dhe publikut të gjerë dhe grupeve të interesit, në mënyrë që edhe ata të identifikojnë hapësirat dhe të luajnë rolin e tyre në procesin e monitorimit por edhe të zbatimit të reformave që transformojnë gjithë shoqërinë.

Pra ky angazhim për transparencë do ta bëjë dokumentin e Partneritetit një mjedis ndërveprimi dhe shpresojmë një terren ku spekullimet nuk ngjisin. Që nga ky moment ky dokument është në website-in e Ministrisë së Integrimit Europian në adresën përkatëse (www.mie.gov.al )

Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë Lutz Salzman: "Besoj se sot ne duhet të festojmë dy ngjarje të rëndësishme në Shqipëri. Sot është ndeshja e futbollit që do të mbahet në mbrëmje mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe tjetra është dorëzimi sot nga ana e Qeverisë Suaj, i Plan-veprimit për BE-në. Besoj se të dy ngjarjet do të jenë një kontribut i mirë për integrimin e Shqipërisë në BE.

Dorëzimi dhe hartimi i Plan-veprimit Kombëtar të Shqipërisë është një vazhdim logjik i Samitit të Selanikut. Besoj se ju kujtohet se në këtë Samit BE i ofroi Europës Juglindore idenë e partneritetit. Këtë partneritet i'a kemi ofruar edhe vendeve të reja të BE-së. Ky partneritet do t'u japë mundësinë vendeve të Europës Juglindore të përfitojnë nga një numër programesh, sic është pjesëmarrja në një program Komunitetesh të 25 vendeve, për të cilën u bë Marrëveshja e Mirëkuptimit para dy ditësh.

Por përvec kësaj, siç vuri në dukje edhe Kryeminstri, ky është një plan-veprimi për të dy palët, për të cuar më përpara procesin e integrimit. Ai përcakton me hollësi të gjitha planet e veprimit që do të realizojë Shqipëria me afat të mesëm dhe të shkurtër. Duhet të vihet në dukje se ky planveprimi u është ofruar vendeve të Europës Juglindore, duke përfshirë edhe Shqipërinë, edhe pse ato nuk janë bërë ende anëtare të BE-së. Por kjo demostron angazhimin politik të BE-së për të mbështetur Shqipërinë në procesin e saj të integrimit.

Ky plan-veprimi do të ndihmojë Shqipërinë të përcaktojë më mirë dhe të prioritarizojë reformat, të përcaktojë më mirë objektivat dhe burimet financiare dhe njerëzore për t'i realizuar ato. Qëllimi eventual është përfarimi i ligjeve të Shqipërisë me ato të BE-së, në fusha të tilla si, drejtësia, punët e brendshme, ekonomia e tregut dhe institucionet demokratike. Shpresojmë që ky plan-veprimi do të jetë një dokument i efektshëm, për të koordinuar përpjekjet që nevojiten për integrimin, përpjekjet e të gjitha organizmave të qeverisë dhe institucioneve të saj.

E kam të qartë se Parlamenti do të luajë një rol kyc në këtë proces dhe ne e kemi mirëpritur përfshirjen e tij në hartimin e këtij plan-veprimi kombëtar. Në bazë të përvojës së suksesshme të atyre vendeve që janë futur në BE kohët e fundit, ka rëndësi që objektivi i integrimit të përfshihet jo vetëm për të gjithe institucionet, por edhe nga shoqëria civile. Dua të pergezoj rolin që ka luajtur Ministria e Integrimit për të kordinuar punën e ministrive të linjës, gjithashtu edhe ministritë e linjes kanë treguar dedikim dhe angazhim në këtë detyrë.

BE do ta ndjekë me vëmendje zbatimin e këtij planveprimi kombëtar, vecanërisht në fusha të tilla sic është ajo e funksionimit të institucioneve demokratike, zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm, luftën kundër krimit të organizuar, të cilat gjithashtu mbeten fusha të një preokupimi të vecantë për BE.

Dua edhe një herë të falënderoj Kryeministrin për këtë punë të madhe dhe t'ju uroj suksese në zbatimin e planveprimi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›