Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të veçantë Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi. Pas takimit, Kryeministri Nano dhe z. Thaçi, gjatë një deklarimi për
Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të veçantë Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi.
Pas takimit, Kryeministri Nano dhe z. Thaçi, gjatë një deklarimi për mediat, u shprehën:
Kryeministri Fatos Nano: Siç e shihni jam këtu me Hashim Thaçin e njohur dhe të dashur për të gjithë ne. Z. Thaçi po më viziton në Tiranë dhe si në traditën tonë tashmë më të gjatë se liria e Kosovës, vazhdojmë të punojmë sëbashku për një të ardhme europiane edhe për Kosovën, për një progres më të theksuar në procesin politik që sjell standarte për Status edhe në Kosovë, për integrimin e të gjithë faktorëve politik shqiptar në dialogun modern për europianizimin e Ballkanit dhe për konsolidimin e lidhjeve të Kosovës dhe të klasës së saj politike me institucionet e Europës dhe të botës euroatlantike, të cilët po na nxisin dhe mbështesin të gjithëve për t'u bërë pjesë e këtyre realiteteve.
Z. Thaçi është si në shtëpinë e vet, është mik i të gjithëve dhe natyrisht për mua është një nder i veçantë si Kryeministër ta pres dhe ta mbështes në iniciativat demokratike që edhe PDK prej vitesh tashmë zhvillon në vëmendje të të gjithëve.
Kryetari i PDK, Hashim Thaçi: Edhe për mua ishte një kënaqësi që të takohesha me Kryeministrin Nano. Kemi punuar bashkarisht për çlirimin e Kosovës dhe besoj në vazhdimësi do të punojmë bashkarisht edhe në respektimin dhe implementimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur, sovran dhe modern. Besoj në angazhimin e sinqertë të shtetit shqiptar për reformat demokratike në rajon, në kuadrin e kësaj, edhe në raportet mes Tiranës dhe Prishtinës. U besoj angazhimeve demokratike konkrete, korrekte dhe shumë të respektuara prej komunitetit ndërkombëtar, të Kryeministrit Nano dhe qeverisë që udhëheq ai për reformat në përgjithësi në rajon.
Sic e dini, Kosova nuk ka ndonjë pretendim territorial ndaj Serbisë, Malit të Zi apo Maqedonisë, por gjithashtu nuk pretendon për ndryshimin e kufijve në mes Kosovës dhe Shqipërisë, por punon për hapjen dhe demokratizimin e tyre. Besoj se edhe më tutje do të ketë lëvizje edhe më të mëdha të njerëzve dhe mallrave mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe do të thellohet bashkëpunimi institucional mes dy vendeve, do të thellohen integrimet kombëtare dhe në të njëjtën kohë, besoj gjithashtu se Shqipëria, siç tha edhe kryeministri Nano gjatw takimit, gjatë kësaj fillim vere do të përmbushë standartin e rëndësishëm të organizimit demokratik të zgjedhjeve të lira. Kwto do t''i kontribuojnë stabilitetit dhë vazhdimit të progresit në Shqipëri.
Pyetje: Z. Kryeministër, a jeni gati të ndërhyni pranë institucioneve ndërkombëtare për të përshpejtuar procedurat e Statusit përfundimtar të Kosovës ?
Kryeministri Fatos Nano: Ne jemi një interlokutor i preferuar i komunitetit ndërkombëtar, përfshi dhe kuintin dhe Grupin e Kontaktit për të ruajtur këtë dinamikë pozitive të afrimit të Kosovës në negociatat e rëndësishme për Status, duke përmbushur standartet prioritare që kërkohen. Ky takim, ashtu si të gjitha marrëdhëniet me Prishtinën dhe me faktorë të tjerë rajonalë, i shërben plotësisht këtij angazhimi dhe ne po hedhim hapa të ndjeshëm përpara për ta sjellë Kosovën edhe në tryezat rajonale dhe ndërkombëtare ku po piqet procesi i Statusit.
Pyetje: Z. Thaçi, si e vlerësoni rolin e Kryeministrit Nano në këtë drejtim?
Kryetari i PDK-së, z. Thaçi: Shumë progresist për gjithë rajonin, jo vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën.
Pyetje: Z. Thaçi, ka nje debat midis Greqise dhe Maqedonise per emrin e Maqedonise. Si e vleresoni kete?
Kryetari i PDK-se, z. Thaçi: Une do te respektoj çdo zgjidhje te kenaqshme qe do te arrihet mes ketyre dy vendeve.