E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano, së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, inspektoi sot nga afër punimet e nyjës hyrëse infrastrukturore në kryeqytet (te rruga e Durresit), ku filloi të zbatohet

Kryeministri Fatos Nano, së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, inspektoi sot nga afër punimet e nyjës hyrëse infrastrukturore në kryeqytet (te rruga e Durresit), ku filloi të zbatohet një projekt infrastrukturor modern. Ekspertët e Bashkisë kanë prezantuar këtë projekt të rëndësishëm të këtij aksi rrugor me parametrat dhe standartet e parashikuara në projektin e ri të vazhdimit të rrugës së Durrësit.Ky projekt do të fillojë nga realizimi menjëherë dhe do të përfundojë në 24 Shkurt 2006.

Më pas, Kryeministri Nano mori pjesë në bashkëbisedimin e organizuar nga Bashkia e Tiranës, me rastin e prezantimit të gjithë projekteve infrastrukturore të rrugëve, që po rikonstruktohen në kryeqytet. Gjithashtu, Kryeministri u njoh edhe me strategjinë e re infrastrukturore afatgjatë dhe afatmesme të Bashkisë së Tiranës, e cila parashikon që për një periudhë 9-vjeçare të arrijë standartet moderne europiane.

Në këtë bashkëbisedim, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të kompanive ndërtuese kontraktore të rrugëve që janë në rikonstruksion, drejtues të insitutcioneve dhe kompanive publike, Kryeministri u interesua edhe për ecurinë, afatet konkrete të përfundimit të këtyre punimeve dhe bashkëpunimin midis institucionit vendor të Tiranës dhe strukturave të qeverisë, në funksion të realizimit në kohë të të gjithë infrastrukturës që po ndryshon kryeqytetin.

Gjatë këtij prezantimi, Kryeministri Nano, duke iu drejtuar përfaqësuesve të Bashkisë, u shpreh:

"Ju, bashkë me ekipin tuaj na mundësuat sot që të qartësojmë akoma më tej skemën dhe produktin e bashkëveprimit të qeverisë me pushtetin vendor të kryeqytetit dhe administratave përkatëse, që në esencë shpreh dhe presionin pozitiv reciprok, për të dinamizuar gjithë zbatimin e programeve ambicioze të rikonstruksionit dhe të ndërtimit të infrastrukturave dhe mjediseve të një kryeqyteti të standarteve moderne dhe europiane.

Kjo është pjesë e rëndësishme e punës së qeverisjes dhe është një nga modelet më shprehëse të ndërthurjes së strategjive kombëtare me ato rajonale, të bashkëpunimit recipriok për të përmirësuar legjislacionin, jo vetëm në funksion të përshpejtimit të reformave të decentralizimit dhe të delegimit të autoritetit dhe të resurseve që administrohen nga njësitë e qeverisjes vendore, por edhe për të identifikuar së bashku hapësira dhe instrumenta të reja që aktivizojnë tregun e imobiliarit, tregun financiar dhe që sjellin impute te reja në investimin publik, në dobi të përmirësimit të mjedisit dhe të jetës së komuniteteve me shërbime të standarteve të kohës, duke forcuar sidomos hapësirën, normimin dhe funksionimin e partneriteteve publik-privat. Në këtë të fundit është e rëndësishme të krijohet një mjedis i qartë funksionues, pra që krijon dhe garanci të plota për pjesëmarrjen e donatorëve, të bankave, të instituteve financiare vendase apo të huaja, pra të krijohet një pasqyrë e qartë legale edhe për titujt e pronësisë dhe për titujt e portofoleve financiare që duhet të shlyen, apo të qarkullojnë normalisht si letra me vlerë.

Kjo na çon në një nxitje të mëtejshme për të perfeksionuar dhe harmonizuar më mirë instrumentet e bashkëveprimit midis nesh. Fjala është veçanërisht për të bërë një arsyetim të përbashkët për përmirësimin e legjislacionit për urbanistikën, apo për kontrollin e territorit në tërësi, për përcaktimin dhe harmonizimin e kompetencave qeverisëse apo vendimmarrëse midis njësive të qeverisjes vendore që veprojnë në territor, në një proces që po na sjell natyrshëm tek shtrimi për zgjidhje i çështjes së reformës administrative dhe territoriale të vendit. Pra, është një nga standartet e integrimit të Shqipërisë në Europë, gjithashtu zmadhimi i juridiksionit, territorit, i komunitetit që administrohet në mënyrë autonomi nga pushteti vendor. Për pasojë, riorganizimi i hartës, i kufijve administrativ dhe i raporteve dhe ekuilibreve në hapësirë, midis pjesëve të urbanizura, apo vijave të verdha, brenda vijave të verdha dhe pjesëve ku zhvillimi rural nuk bie ndesh me zhvillimin urban, nuk bie ndesh me zhvillimin e turizmit, me zhvillimin e infrastrukturave të lëvizjeve nacionale, pra nuk bie ndesh me parametrat dhe objektivat për një zhvillim të qëndrueshëm perspektiv.

Ne këtë gjë po e bëjmë më të lehtë, sepse po punojmë me ekipe të përbashkëta ekspertësh dhe përfaqësuesish. Ajo që vjen natyrshëm si konkluzion edhe i takimit të sotëm, është që traseja është e shtruar, që strategjitë janë të hartuara me një konsensus dhe transparencë të gjerë publike dhe sociale, që ekspertët dhe përfaqësuesit kanë një raport partnerial që, jo vetëm ngrihet mbi garanci dhe mbrojtje reciproke të pavarësisë dhe performancës së tyre, por që nxit edhe ushtrimin e pushtetit politik të mos dhunojë identitetin dhe të mos ndërhyje në mënyrë klienteliste në parametrat dhe arsyetimet për efikasitet që ndërtojnë stafet e projektuesve, apo stafet e realizuesve, përballë ekzigjencave buxhetore, apo finacimeve me huamarrje nga institucione të pavarura, pra nga buxhete të tjera të pavarura.

Unë besoj se ne mund të konkludojmë për nevojën e bashkërendimit më të mirë dhe të plotësimit të programit të veprimeve të përbashkëta që, në përputhje dhe me ritmin me të cilin ju doni të punoni, të jemi më të bashkërenduar në afate më nxitëse dhe më presuese edhe për legjislativin, edhe për ekspertizën e qeverisjes qendrore, për ndërhyrjet e munguara, apo për përshpejtimin e përfundimit të veprimeve që do të përmirësojnë dhe aktivizojnë përfundimisht legjislacionin mbi urbanistikën, mbi kontrollin e territorit, rolin e policisë ndërtimore, kthimin funksionues realisht të tregut të tokës dhe të pasurive imobiliare, plotësimin e legjislacionit për financimet publike, duke u dhënë akses edhe bashkive, duke u dhënë juridiksion dhe profil legal edhe bashkive për t'u sjellë si subjekte huamarrëse dhe përfituese kredish nga institucione financiare, apo bankare private vendase dhe te huaja dhe më në fund, për të punuar së bashku.

Tirana vazhdon të mbetet sot dhe në perspektivë, një nga struktura qeverisëse administrative, ekonomike të ekspertizës dhe të sipërmarrjes, që është model dhe krijon nëpërmjet pilotimit, përvoja për shtrirjen e këtij zhvilllimi të standarteve moderrne në të gjithë territorin. Pra, duke synuar që së bashku të ndërtojmë koherencën e strategjive kombëtare të integrimit, me ato të moderrnizimit dhe të zhvillimit të territoreve, apo resurseve që administroni ju dhe bashkitë e tjera.

Unë ju falënderoj për bashkëpunimin, si dhe për mundësitë që sot krijuam së bashku për të zhvilluar transparencën publike për ndërhyrjet serioze që po përmirësojnë zhvillimin e kryeqytetit dhe jetën e banorëve të tij".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›