Kryeministri Fatos Nano është takuar sot pasdite në selinë e Këshillit të Ministrave me Kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumi dhe delegacionin që e shoqëron. Fillimisht, Z, Nano dhe z. Kosum
Kryeministri Fatos Nano është takuar sot pasdite në selinë e Këshillit të Ministrave me Kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumi dhe delegacionin që e shoqëron. Fillimisht, Z, Nano dhe z. Kosumi zhvilluan një takim të veçantë (tet-a-tet) dhe më pas, u zhvilluan bisedimet zyrtare midis dy delegacioneve.
Pas këtij takimi dy Kryeministrat dolën përpara medias në një konferencë për shtyp, ku u shprehen:
Kryeministri Fatos Nano: Kam kënaqësinë t'i uroj edhe publikisht mirëseardhjen për të parën herë në Shqipëri, Kryeministrit tjetër shqiptar, Bajram Kosumit, që mori detyrën me të njëjtin formacion të një koalicioni qeverisës të drejtuar prej Ramush Haradinaj, të 100 ditëve të sukseshme të punës së tij, të cilët e çuan natyrshëm edhe në respektimin e njërit prej standarteve të demokracive bashkëkohore të bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, krahas vendeve të tjera që po ndihmojnë edhe Kosovën të arrijë statusin europian, edhe gjithë Ballkanin të afrohet për t'u integruar në Bashkimin Europian.
Pra, Bajram Kosumi vjen në drejtim të Qeverisë së Kosovës në një periudhë shumë të rëndësishme historike dhe prandaj edhe vizita e tij e parë në Tiranë merr një rëndësi të veçantë historike për të ardhmen e Kosovës dhe të të gjithë kosovarëve, për të ardhmen e marrëdhënieve tashmë të gjera dhe që po dinamizohen mes Tiranës dhe Prishtinës. Unë shfrytëzova këtë rast të marr informacionin më të freskët dhe më vjen mirë të vlerësoj edhe para jush se, z. Kosumi po ruan qysh në javët e para ritmin, dinamikën dhe performancën e qeverisë me të njëjtat parametra të z. Haradinaj dhe kjo është shumë e rëndësishme për ta përshpejtuar gjithë procesin e reformave që sjellin standarte dhe status për Kosovën. Kjo është një arritje që ndihmon edhe Shqipërinë të jetë gjithnjë e më aktive në bashkëpunimin rajonal dhe në promovimin si faktor rajonal të çështjes së Kosovës dhe të raporteve midis 7 kryeqyteteve në 5 shtete të Ballkanit që po europianizohet.
Qeveria e Shqipërisë, ju e dini që e ka mbështetur publikisht dhe me realizëm qëndrimin kurajoz të Ramush Haradinaj dhe prandaj mbështetja që ne i japin Bajram Kosumit në detyrën e Kryeministrit është e vërtetë dhe është një investim politik i njëjtë me të gjithë iniciativat që ne zhvillojmë në marrëdhënie me Prishtinën, në marrëdhënie me rajonin, në marrëdhënie me komunitetin ndërkombëtar, që përcjell dhe nxit proceset e afrimit dhe të anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian dhe në NATO.
Unë dëgjova me vëmendje informacionin më të freskët qe solli Kryeministri i Kosovës, për ritmet e punës, për programet dhe projektet konkrete në fusha prioritare të arritjes së standarteve për reformat e decentralizimit, që do ta konsolidojnë skemën e institucioneve të vetqeverisjes, të një demokracie multietnike në Kosovë, për vullnetin dhe përparimin që po arrin qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me administratën e UNMIK-ut dhe me z. Petersen, edhe në çeshtjet teknike që mbeten për t'u shqyrtuar me Beogradin, që lidhen që nga formalizimi dhe zgjidhja e çështjes së të zhdukurve, apo të humburve, deri tek çeshtjet e tjera të dokumentimit të pronësisë apo identitetit të qytetarëve , që edhe pse me përkatësi të ndryshme etnike, kanë rolin e vet në Kosovën e re.
Unë ndoqa me vëmendje vizionin europian të z. Kosumi për reformat e qeverisjes së mirë, për garantimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut në Kosovë, për integrimin dhe respektimin e minoriteteve në Kosovë, të cilat bashkë me decentralizimin, duket se janë çeshtje kyçe për avancimin edhe të çeshtjes së Statusit, për zhvillimin e një shoqërie të qëndrueshme, demokratike, të begatë, shumë etnike dhe sidomos funksionale në Kosovë. Z.Kosumi më krijoi bindjen e patundur se është jo vetëm për stabilitetin dhe normalitetin e Kosovës, por edhe për dinamizimin e të gjitha reformave dhe angazhimeve, që do ta bëjë krejt të sigurt çeljen e negociatave për Statusin në periudhën e afërt të parashikuar.
Statusi i papërcaktuar i Kosovës eshte nje çështje qe është shtruar për zgjidhje tashme. Ne jemi për të mbështetur dhe për të nxitur zgjerimin e konsensusit ndërkombëtar për një zgjidhje të shpejtë dhe me dimensione europiane të Statusit të Kosovës. Ne jemi për ta zhvilluar me të njëjtën ritmik dhe dinamik dialogun me Beogradin, siç zhvillojmë dialogun mes nesh, apo dialogun politik me kryeqytete të tjera të Ballkanit që janë faktor i rëndësishëm dhe në diskutimin rajonal, apo ndërkombëtar për qetësimin dhe qartësimin përfundimtar të dimensioneve europiane. Ne e konsiderojmë decentralizimin, ashtu siç shfaqi edhe z. Kosumi vullnetin e qeverisë së tij, një nga prioritetet dhe element shumë të rëndësishëm për standartet europiane të Kosovës, që do të nxisë nga ana tjetër zhvillimin ekonomik, shoqëror, kulturor të komunave, duke i afruar komunitetet jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me standartet e qeverisjes demokratike në një shoqëri të hapur dhe të pavarur .
Ne ndajmë të njëjtin mendim me z. Kosumi dhe me aktorët e tjerë në Kosovë se, Kosova nuk ka kthim prapa, se Kosova nuk mund të copëtohet, se në Kosovë asnjë strukturë paralele, përvec institucioneve vetqeverisëse dhe të administratës ndërkombëtare, nuk mund të përmbushë funksione praktike apo ligjore, jashtë kuadrit te qeverisë së Kosovës.
Ne pra do të shfrytëzojmë këtë raport të shkëlqyer midis dy qeverive, raportet tona shumëfunksionale me qeveritë e tjera të vendeve të rajonit, marrëdhëniet tona të partneritetit strategjik me kryeqytetet dhe qeveritë e rëndësishme të komunitetit ndërkombëtar, që janë edhe pjesë e grupit të kontaktit, për ta nxitur dhe mbështetur këtë stabilitet, këtë progres dhe këtë zgjidhje europiane që po shfaq qeveria e z. Kosumi dhe gjithe zhvillimi i ngjarjeve të kohëve të fundit në Kosovën e re dhe demokratike.
Mirë se erdhe i dashur Kryeministër:.
Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi; Faleminderit z. Kryeministër. Më lejoni t'u shpreh kënaqësin time që sot jam këtu në Tiranë si mysafir i Kryeministrit të Shqipërisë, z. Fatos Nano. Kisha kënaqësinë që në takim me Kryeministrin Nano të shkëmbej informacionet për rrjedhën e procesit muajin e fundit në Kosovë dhe të shkëmbejmë informacionet për muajt e ardhshëm që janë gjithsesi muaj shumë të rëndësishëm për procesin që do të ndodhë në Kosovë.
Vizita ime e parë si Kryeministër i Kosovës në Tiranë është fillimi i një programi tim të punës që do të mundohem ta zbatoj në të ardhme, duke kontaktuar shtete të tjera të rajonit dhe shtete të tjera europiane dhe më tej, drejt krijimit të një strategjie të përbashkët për Statusin final të Kosovës, drejt krijimit të një mundësie që ky proces të ecë sa më shpejt dhe të ecë sa më lehtë dhe të jetë sa më i mirëpranueshëm në rajon dhe më gjerë dhe që ky proces, bashkë me shtetin e Kosovës të jetë faktor i stabilitetit të rajonit dhe më gjerë. Ky është vizioni për të cilën punoj unë dhe qeveria që udhëheq unë, një Kosovë e lirë, demokratike, një Kosovë europiane ku të gjithë qytetarët e saj, pa dallim gjuhe, bindje politike e prejardhje racore, janë sovranë të vërtetë të vendit.
Më lejoni t'u them se muajin që kaloi ne kemi pasur disa prej ditëve më të vështira për proceset në Kosovë, që nga përfundimi i luftës dhe këtej. Prej momentit kur është bërë aktakuza kundër kryeministrit të mëparshëm, z. Haradinaj, me të vërtetë kemi kaluar në një proces shumë të vështirë, që ka qenë një sfidë në radhë të parë për popullin, e kosovës, për udhëheqësit politk, për institucionet e Kosovës, por ka qenë një sfidë edhe për bashkësinë ndërkombëtare, e cila është prezente dhe ka investuar aq shumë në Kosovë. Mirëpo, në fund të këtij muaji të vështirë, unë jam shumë optimist, pavarësisht prej dhimbjeve për kryeministrin e mëparshmë, z. Haradinaj, jam shumë optimist se kosova e ka mbyllur këtë muaj me lajme të mira, me një pozicion shumë më të mirë ndërkombëtar dhe me një pjekuri shumë më të madhe të qytetarëve përballë ligjeve, përballë ligjeve të vendit dhe ligjeve ndërkombëtare, edhe atëherë kur besojnë se u është bërë padrejtësi.
Kosova sot është në një pozicion më të mirë, më të favorshëm dhe ka treguar se është e aftë për të menaxhuar të gjitha situatat e mundshme të krijuara dhe Kosova është e kthyer ne normalitetin e vet. Ky është faktori numër një, i cili na duhet ne, në hapat e mëtejshëm për krijimin e shtetit të Kosovës dhe është treguesi numër një se ne jemi në gjendje të vazhdojmë me tej. Qeveria që do të udhëheqë unë, do të ketë 3 ceshtje themelore; do të fokusohet në realizimin e standarteve, të cilat përbëjnë disa nga parimet themelore të demokracisë dhe të lirive themelore ne Kosovë, në zhvillimin ekonomik dhe në bisedat për krijimin e shtetit të Kosovës, të cilat duhet të fillojnë nga fundi i këtij viti dhe besoj do të përmbyllen nga mesi i vitit të ardhshëm.
Unë me Kryeministrin Nano biseduam edhe për raportet që do t'i vazhdojmë mes dy vendeve tona, Kosovës dhe Shqipërisë, për nevojën e madhe që kemi ne tani në këtë proces, që të kemi pranë nesh Qeverinë e Shqipërisë dhe popullin tonë të dashur në Shqipëri, popull i cili ka ndarë bashkë me ne, vuajtjet, dhimbjet dhe jam shumë i sigurt se do të ndajë bashkë me ne edhe fitoret, që muajt e ardhshëm edhe më fuqimisht, të angazhojmë bashkërisht gjithë mekanizmat, gjithë energjitë tona, që me të vërtetë procesi i krijimit të Kosovës të jetë i sukseshëm dhe të jetë i mirëpritur nga të gjithë.
Faleminderit z. Kryeministër!
Pyetje: Zoti Nano, keni patur nje axhende te ngjeshur diplomatike kohet e fundit si, psh me Kryeministrin turk dhe homologun tuja grek.Po ashtu dhe me autoritet me te larta te Keshillit te Atlantikut te Veriut si degjohet zeri Tiranes zyrtare ne kete drejtim pra per Kosoven dheÇ'fare do te beje ne t e ardhmen?
Kryeministri Fatos Nano: Unë po gjej interlokutoret e rendesishem me te cilet punon Tirana dhe Prishtina, pra qeveri dhe zëra kryesor diplomatik të komunitetit ndërmkombëtar, i cili është angazhuar edhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pra si dhe procesit të përafrimit dhe anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE, një konsensus gjithnjë e më të gjerë rreth kontureve të formulës europiane të statusit të Kosovës, të një formule që i jep fund paradoksit të 7 kryeqyteteve për 5 shtete në Europën Juglindore, një formule që statusin e Kosovës e shikon gjithnjë e më të lidhur me mekanizmin e stabilizim-asociimit me BE dhe me vazhdimin e reformave të proceseve që arrijnë standartet e një vendi kandidat për t'u anëtarësuar në të ardhmen, të një formule dhe konsensusi që e sheh Kosovën si një partner dhe kryeqytet me rëndësinë e vet, me iniciativat e bashkëpunimit rajonal, të sigurisë rajonale, të luftës kundër krimit të organizuar, të trafiqeve transkufitare, apo që përshkojnë rajonin tonë për shkak të hapjes ndaj realiteteve globale, veçanërisht si një interlokutor politik që, duke u shfaqur me pjekurinë dhe aftësinë demokratike të institucioneve vetqeverisëse me partneritetin e konsoliduar, me administratën ndërkombëtare që punon, me institucionet vetqeverisëse të Kosovës ,veçanërisht kohët e fundit, po fiton gjithnjë e më shumë simpati dhe besimin në komunitetet e aktorëve kryesorë ndërkombëtar që do të moderojnë problemet dhe negociatat për statusin e Kosovës, si një garanci për zgjidhjen e tij në një te ardhme që nuk është e largët.
Pyetje:Ç'platformë ka qeveria e Kosovës për të siguruar mbështetjen e plotë të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kososvës?
Kryeministri i Kosovës, z. Kosumi: Unë jam shumë i lumtur që edhe qendrat e vendosjes nderkombëtare çdo ditë e më tepër flasin për shtetin e Kosovës, sovranitetin e saj si e vetmja zgjidhje e mundshme për të qetësuar jo vetëm Kosovën por për të stabilizuar të gjithë rajonin. Mendoj se në radhë të parë kjo është një e drejtë demokratike e qytetarëve të Kosovës për të vendosur për fatin e vet, por natyrisht edhe e bashkësisë ndërkombëtare, të asaj pjese të saj, e cila ka investuar aq shumë në Kosovë gjatë luftës dhe pas luftës. Kjo që është sot në Kosovë është vepër e popullit kosovar dhe vepër e bashkësisë ndërkombëtare që ka investuar aq shumë në Kosovë. Natyrisht kjo vepër do të përfundojë, do të kryhet në radhë të parë nën ndikimin e këtyre dy faktorëve, pra popullit të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare që ka investuar në këtë rajon.
Mendoj se bashkësia ndërkombëtare, në radhë të parë SHBA e pastaj edhe Unioni Europian kanë filluar të krijojnë një kornizë, brenda së cilës do të diskutohet për statusin final të Kosovës. Ju besoj se jeni në dijeni për tre qëndrimet e Unionit Europian, pra atë për formulën se nuk ka kthim prapa, s'ka coptim të Kosovës dhe nuk ka bashkim me ndonjë vend tjetër, është një bazë e mirë nga ku mund të nisim.
Mendoj se duhet ende kjo kornizë të ngushtohet qe te mos leme hapesire per cfare do spekulime sh te mundshme rreth unionit Serbi Mali i Zi. Pra duhet qe kjo kornize te ngushtohet ende qe te lihet mundesia pastaj te bisedohet per parvaresine e Kosoves. Dua te them qendrimin tim dhe te qeverise time se, ne fund te vitit 2005 do te filloje bisedat per pavaresine e Kosoves per shtetin sovran demokratik dhe te pavarur te Kosoves .
Ndersa lidhur me viziten time ne Beograd, une jam i kenaqur qe ‘ti viizitoj te gjitha qendrat pa asnje dileme dhe natyrisht edhe Beogradin. Jane disa rrethana te cilat veshtiresojne mundesine per pasjen e takimeve tona me Beogradin. Ne nuk na veshtiresojne, por veshtiresojne Beogradin, Politikanet e Beogradit ende nuk jane te gatshem qe te ballafaqohen me proceset ne Kosove, ende nuk jane te gatshem qe te takohen me ne. Mua me vjen keq qe ndodh keshtu, une jam i gatshem qe te takohem dhe te bisedoj te gjitha problemet qe egzistojne mes dy vendeve dhe te bisedoj per zgjidhjen e atyre problemeve . Por jo vetem per problemet, jam shume i interesuar te bisedoj edhe per çeshtje te tjera, qe te rrisim bashkepunimin, si dhe marredheniet mes dy vendeve. Vetem nje çeshtje nuk mund te bisedohet me Beogradin, fati i popullit i Kosoves, pavaresia e Kosoves eshte e drejta jone demokratike ate do ta vendosim vete.