E Hënë, 2 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi sot në mbledhjen e tij disa vendime dhe projektligje; • Këshillli i Ministrave miratoi sot vendimin "Për lejimin

Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi sot në mbledhjen e tij disa vendime dhe projektligje;

• Këshillli i Ministrave miratoi sot vendimin "Për lejimin e Ministrisë së Shëndetësisë të nisë procedurat për furnizimin e disa spitaleve me pajisje të Hemodializës".

Një vendim i tillë është shumë i rëndësishëm për faktin se bën të mundur përballimin e situatës për të sëmurët që kanë nevojë për trajtim me Hemodializë,faktor vendimtar për jetën e këtyre të sëmurëve. Një vendim i tillë bën të mundur rritjen e kapacitetit aktual të trajtimit te pacientëve dhe përballimin e shumë rasteve, të cilët janë trajtuar deri tani jashtë vendit.

Përmes këtij vendimi, Ministria e Shëndetësisë do të përdorë fondin limit prej 624 040 (gjashtëqind e njëzet e katër mijë e dyzet) euro, per pajisjen me 28 makina të Hemodializës të kompletuara.

Këto pajisje do të shpërndahen brenda një kohe shumë të shpejtë, përkatësisht 8 copë në Shërbimin e Hemodializës në QSU, Tiranë, 8 copë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës dhe 5 copë në spitalin rajonal të Elbasanit të Hemodializës. Ndërkohë, aktualisht ky shërbim ofrohet në spitalet rajonale, përkatësisht në Shkodër permes 5 makinerive te tilla dhe në Elbasan me 2 cope, si dhe në Tiranë me 12 copë.

Ky fond do të përballohet nga buxheti i vitit 2005, miratuar për ministrinë e Shëndetësisë.

Ndërkohë që qeveria shqiptare synon që në një perspektivë afatmesme të realizojë zgjidhjen e plotë të trajtimit të të gjithë pacientëve shqiptarë me këto nevoja, përmes krijimit të partneriteteve publike e privat në fushën e shëndetësisë.

• Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Marrëveshjen për Nxitjen e Respektimit të Masave Ndërkombëtare të Menaxhimit dhe të Ruajtjes së Burimeve nga Anijet e Peshkimit, në det të hapur".

Në këtë marrëveshje përcaktohen;

- Fushat e aplikimit që janë anijet e peshkimit që operojnë në det të hapur
- Përgjegjësitë e shtetit flamurmbajtës
- Detyrimi për mbajtjen e regjistrave të anijeve të peshkimit
- Bashkëpunimi ndërkombëtar (global, rajonal apo bilateral) për realizimin e objektivave të kësaj marrëveshjeje,
- Shkëmbimin e informacionit,mbi bazën e matricave të FAO-s
- Vendimet dhe mënyra e marrjes së tyre, si dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve.

Gjithashtu, në kuadrin e procesit të stabilizim-asociimit, marrëveshja plotëson kuadrin ligjor në përputhje me kërkesat e përafrimit të legjsilacionit me atë të BE-së.

• Po ashtu, u miratua në parim "Marrëveshjen, ndermjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar në projektin "Shkarkimi i ujrave të zeza, Korçë, III".

Sipas marrëveshjes, qeveria gjermane do të financojë me një fond grant prej 5 000 000 euro projektin për shkarkimin e ujrave të zeza në Korçë. Ky projekt i një rëndësie prioritare do të sigurojë përmirësimin e sistemit të kanalizimeve të ujrave të zeza.

Projekti përfshihet në kuadrin e programit "Infrastruktura ujore bashkiake", i cili operon në pesë qytete kryesore të Shqipërisë, Durrës, Fier, Lezhë, Sarandë dhe Korçë dhe mbështetet nga donatorë të ndryshëm si Banka Botërore, Lux-Development, KfW dhe BEI. Financimi total i këtij programi arrin në 73.2 milion euro.

• U miratua vendimi "Për normat e lejuara të shkarkimeve të lëngëta dhe kriteret e zonimit të mjediseve ujore pritëse".

Ky vendim synon të parandalojë, të zvogëlojë dhe të shmangë ndotjen e mjediseve ujore pritëse nga substancat e rrezikshme, që shkarkohen në to përmes ujërave të ndotura, duke përcaktuar normat e lejuara të shkarkimeve të lëngëta.

Ky vendim merret në kuadër të plotësimit të legjislacionit mjedisor në fushën e trastimit mjedisor të ujërave të ndotura dhe të përpjekjeve për harmonizimin e tij me legjislacionin europian në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Normat e lejuara të shkarkimeve të lëngëta janë instrumenti kryesor që mbështesin zbatimin e ligjit "Për administrimin mjedisor të ujërave të ndotur" që mundësojnë kontrollin e zbatimit të tij nga Inspektoriati i Mjedisit dhe organet e tjera të ngarkuara me parandalimin e ujërave sipërfaqsore për shkak të derdhjes në to të ujrave të ndotura urbane dhe industriale.

Vendimi parashikon kriteret për identifikimin e zonave të mjediseve ujore pritës. Vendimi parashikon gjithashtu që veprimtaritë e reja industriale do të respektojnë kërkesën e tij që nga dita që fillojnë aktivitetin. Ato nuk do të pajisen me lejen mjedisore, nëse nuk kanë të instaluar paraprakisht impiantin e trajtimit të ujërave që ndotin.

• Këshilli i Ministrave miratoi në parim "Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2003, në projektin "Furnizimi me energji elektrike në Shqipërinë e Jugut - Bistrica II – financim i përzier".

Në këtë marrëveshje, qeveria e Republikës Federale Gjermane i mundëson qeverisë shqiptare levrimin e financimit me vlere 1.5 milion euro, për realizimin e projektit "Furnizimi me energji elektrike në Shqipërinë e Jugut Bistrica II-financim i përzierë".

• Këshilli i Ministrave miratoi në parim edhe "Marrëveshjen, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 1999, në projektin "Shtesë fondesh për projektin furnizimi me energji elektrike në Shqipërinë e Jugut-Bistrica II-financim i përzier".

Në këtë marrëveshje, qeveria e Republikës Federale Gjermane i mundëson qeverisë shqiptare levrimin e financimit me vlere 1.79 milion euro për realizimin e projektit "Furnizimi me energji elektrike në Shqipërinë e Jugut Bistrica II-financim i përzierë".

• U miratua vendimi "Për shpronësimin për interes publik të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga ndërtimi i nënstacionit 110/6 kV, Mamurras".

Me anë të këtij vendimi bëhet shpronësimi për interes publik të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga nga ndërtimi i nënstacionit 110/6 kV Mamurras me një vlerë prej 2.233 100 lekë, i cili përballohet nga fondi i KESH.

• U miratua vendimi "Për miratimin e kufijve dhe rregullores së administrimit të parqeve arkeologjikë të Shkodrës, Lezhës,Kepi Rodonit Apolonisë, Bylisit, Amantias, Orikumit, Antigonesë, Butrintit".

Ky vendim ka për qëllim miratimin e kufijve dhe rregullores së administrimit të parqeve arkeologjikë të Shkodrës, Lezhës,Kepit te Rodonit, Apolonisë, Bylisit, Amantias, Orikumit, Antigonesë dhe Butrintit, duke përcaktuar rregullat dhe strukturat përgjegjëse që ngarkohen me administrimin e këtyre parqeve.

Nëpërmjet këtij vendimi synohet, jo vetëm mbrojtja, ruajtja, menaxhimi dhe administrimi në një shkallë më të lartë të vlerave arkeologjike dhe kulturore të këtyre parqeve, por edhe orjentimi i tyre drejt një turizmi kulturor elitar me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe bërjen e tyre të vizitueshme për publikun. Qytetet antike dhe rrethinat e tyre përbëjnë vlera të patjetërsueshme arkeologjike të vendit tonë, të cilat të ndërthurura me ambjentin natyror, bartin vlera kulturore dhe turistike jo vetëm për vendin tonë, por edhe për trashëgiminë botërore.

• U miratua vendimi "Për trajtimin e punonjësve civilë, që dalin të papunë nga reforma në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve, në Durrës".

Vendimi parashikon që 49 punonjësit civilë, të Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve, në Durrës dhe filialit të saj në Sarandë, që dalin të papunë nga ristrukturimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të trajtohen me një pagesë sa paga minimale në shkallë vendi për periudhën deri më 31.3.2006, ku të përfshihet edhe kontributi i sigurimit shoqëror.

Të drejtën e trajtimit, sipas këtij vendimi, e kanë punonjësit, të cilët kanë qënë në marrëdhënie pune deri më datën 28.2.2005. Fondet e nevojshme do të përballohen nga vet të ardhurat e ish-Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve në Durrës dhe pjesërisht nga Ministria e Mbrojtjes. Vendimi ndihmon në zbutjen sadopak të efekteve sociale që vijnë si pasojë e daljes pa punë të këtij grupi punonjësish.

• Në kuadër të procesit të decetralizimit të pushtetit vendor dhe kalimit në pronësi të pushtetit vendor të pronave të paluajtshme shtetërore të bashkive dhe komunave, Këshilli i Ministrave, në vijim të vendimeve të mëparshme, miratoi me vendime të veçanta listat e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore në:

- Bashkinë e Cërrikut, qarku Elbasan;
- Komunën e Kozarës, qarku Berat;
- Komunën e Bushatit, qarku Shkodër.

• U miratua vendimi për miratimin e listës së inventarit dhe kalimin e përgjegjësisë së administrimit të zyrave të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, dega Berat, shërbimit të përmbarimit gjyqësor të këtij rrethi.

• Këshillli i Ministrave miratoi sot edhe vendimin për emërimin në postin e zëvendësministrit të Ekonomisë të z. Ardian Petollari, i cili deri tani ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.Ndërkohë do të nisin procedurat e konkurimit për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›