E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano takohet dhe zhvillon bisedime me Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z.Donald Ramsfeld. Fillimisht Kryeministri Nano dhe Sekretari i Mbrojtjes të S

Kryeministri Fatos Nano takohet dhe zhvillon bisedime me Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z.Donald Ramsfeld. Fillimisht Kryeministri Nano dhe Sekretari i Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikes z. Ramsfeld zhvilluan një takim të ngushtë që zgjati rreth 30 minuta dhe me pas janë zhvilluar bisedime mes dy delegacioneve.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, z.Ramsfeld i përcolli z.Nano vleresime për mbështetjen që Qeveria Shqiptare dhe Kryeministri Nano i dhanë Qeverisë Amerikane dhe Presidentit Bush në luftën kundër terrorizmit dhe shprehu mbështetjen e SHBA-së në proçesin e integrimit euroatlantik të Shqiperisë.

Kryeministri Nano menjëherë pas takimit me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes z. Ramsfeld dha këtë deklaratë për median:

Vizita e Sekretarit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Ramsfeld ishte po kaq e rëndësishme nga pikepamja politike si edhe ajo e Sekretarit Amerikan të Shtetit z. Pauell dhe më specifike në funksion të nevojave dhe programeve të bashkëpunimit strategjik të Shqipërisë dhe SHBA në fushën e sigurisë, të mbrojtjes dhe të transformimeve të mëdha që po bëjmë drejt anëtarësimit në NATO.
Ne diskutuam për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit, për mbështetjen që do të zgjerohet për shkak të rritjes së aftësive tona thithëse dhe bashkëvepruese, për një program veprimesh bilaterale që do të sjell më shpesh dhe më shumë prezencë, jo vetëm të drejtuesve ushtarakë amerikanë në Shqipëri, por edhe të trupave dhe të ekspertëve të armëve të ndryshme, që do të ndihmojnë strukturat tona të mbrojtjes, që jo vetem të reformohen por edhe të bëhen ndërvepruese me standartet e NATO-s dhe, besoj se amerikanët janë më të përshtatshmit për ta përfaqësuar këtë standart.

Aspekti tjetër themelor i bisedimeve ishte si do të ndërtohet një program veprimesh konkrete në fushën e mbrojtjes, të sigurisë dhe në fushën e bashkëpunimit ushtarak për të implementuar Kartën e Adriatikut që nënshkruan të tre vendet Shqipëri, Maqedoni, Kroaci dhe SHBA, nëpërmjet një programi stërvitjesh të përbashkëta dhe strukturash apo forcash të specializuara që punojnë për sigurinë kolektive dhe që njehsojnë shpejtësitë e reformave të ushtrive përkatëse.

Më në fund e gjitha kjo u zhvillua në një kontekst politik të spikatur në kontekstin e forcimit të sigurisë dhe të stabilitetit rajonal, në të cilin Shqipëria luan një rol të pazëvendësueshëm në kontekstin e kapërcimit të dobësive që ka situata në rajon veçanërisht në Bosnje dhe në Kosovë ende, por edhe në aksin e unionit të ri Serbi Mal i Zi që duhet të funksionojë edhe në funksion të sigurisë dhe të stabilitetit të rajonit.

E gjitha kjo, më lejoni të konkludoj duke thënë se ishte shumë e dobishme, shumë e frytshme, shumë miqësore dhe jashtëzakonisht premtuese për të ardhmen.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›