E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në mesditë në ceremoninë përmbyllëse të Panairit të Agrobiznesit Shqiptar. Kryeministri u njoh me prodhimet vendase të paraqitura në këtë panair

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në mesditë në ceremoninë përmbyllëse të Panairit të Agrobiznesit Shqiptar.

Kryeministri u njoh me prodhimet vendase të paraqitura në këtë panair nga firma të shumta shqiptare, si dhe u interesua për ecurinë e aktivitetit të këtyre firmave prodhuese.

Në këtë ceremoni përmbyllëse Kryeministri Fatos Nano u shpreh:

"Të nderuar pjesëmarrës, përfaqësues të agrobiznesit kaq vital shqiptar dhe kaq të sigurt në partneritet me sipërmarrësit e vendeve fqinje dhe të vendeve të zhvilluara europiane!

Kam kënaqësinë të jem në këtë ceremoni përmbyllëse të panairit tuaj për të vlerësuar dhe prekur jetën dhe produktet e sipërmarrësve shqiptarë të agrobiznesit, në këtë sektor kaq të rëndësishëm të zhvillimit të tregut, ekonomisë dhe të rritjes sonë të qëndrueshme të së ardhmes siç është agro-industria. Preka personalisht nga afër një realitet që shfaqet në një numër produktesh që po rritet në cilësi dhe standarte që konkurojnë dhe që e bëjnë të sigurt suksesin në rrugën e integrimit të Shqipërisë në tregjet rajonale dhe globale.

Ky realitet që pata rastin të shoh sot këtu, më jep garancinë se sipërmarrja bujqësore shqiptare si një nga sektorët më dinamikë të biznesit vendas po udhëheq rimëkëmbjen ekonomike, aktivizimin e risurseve, ushqimin e njerëzve dhe po siguron ballafaqimin e suksesshëm kompetitiv midis sipërmarrjes vendase dhe asaj rajonale dhe më gjerë në kuadrin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë që kanë nisur të zbatohen. Unë vlerësoj në mënyrë të veçantë faktin që edhe në këto ditë të panairit ka patur shumë kontrata midis prodhuesve dhe tregtarëve, midis furnizuesve dhe konsumatorëve. Unë gjeta një cikël të plotë prodhimesh dhe shërbimesh që paraqesin agro-biznesin shqiptar si një realitet që integron iniciativat dhe djersën e fermerëve vendas me qëllimet moderne dhe konkurruese të institucioneve të bujqësisë shqiptare të cilat po afrohen në të gjithë territorin, pranë sipërmarrjes vendase.

Të gjitha këto energji dhe përpjekje tuajat po e përshpejtojnë në tërësi proçesin e krijimit dhe konsolidimit të një tregu konkurues në të gjithë vendin, duke bërë të mundur që dhe sipërmarrës të huaj të lëvizin natyrshëm në një treg kaq të thellë, megjithëse jo të madh siç është Shqipëria.

Pak kohë më parë, në mbledhjen tuaj të Këshillit të Biznesit z.Kryetar, unë ju shpreha pa ekuivoke vendosmërinë e Qeverisë për të vazhduar projektimin e politikave që stimulojnë rritjen e prodhimit vendas. Njëri nga këta hapa ishte dhe mbetet diferencimi i akcizës për karburantet. Një hap tjetër i rëndësishëm është mosaplikimi më i çmimit të referencës nga Doganat për këtë element të rëndësishëm të kostos së produkteve tuaja, pra sërisht për karburantet. Pra dua t'ju rigarantoj edhe një herë se qeveria mbetet e angazhuar për të mbështetur sipërmarrjen tuaj, sipërmarrjen e fermerëve vendas, sipërmarrjen e të gjithë faktorëve që aktivizojnë prodhimin vendas dhe që e nxjerrin atë në tregun kombëtar dhe më gjërë, duke përshëndetur dhe inkurajuar të gjithë ata që nxisin faktorë dhe segmente të rritjes së qëndrueshme ekonomike, që gjallërojnë shtimin e prodhimit kombëtar, punësimin e shqiptarëve në këta sektorë me të ardhme edhe për shkak të karakterit biologjik të admirueshëm të potencialeve tona prodhuese. Siç edhe ju kam premtuar pra, brenda shtatorit të këtij viti këto masa nxitëse do të fillojnë të zbatohen.

Më lejoni t'ju rikujtoj se që ditën e parë të paraqitjes dhe të votëbesimit të programit të Qeverisë që unë drejtoj në Kuvendin e Shqipërisë, është theksuar se përshpejtimi i reformave të gjithanshme për nxitjen e prodhimit bujqësor vendas dhe përmirësimin e infrastrukturës së tregut dhe të zonave rurale, ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e Qeverisë. Më lejoni pra si Kryeministër t'ju siguroj se nuk do t'ju mungojë, por do të vazhdojë të shtohet vëmendja dhe mbështetja ime dhe e ekzekutivit në tërësi për punë dhe iniciativa të përbashkëta që do të konsolidohen në të ardhmen.

Ju uroj suksese dhe punë të mbarë!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›