Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Politikave të Sigurimit Kombëtar, që u zhvillua sot nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u shqyrtuan disa probleme të rëndësishme. Fillimis
Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Politikave të Sigurimit Kombëtar, që u zhvillua sot nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u shqyrtuan disa probleme të rëndësishme.
Fillimisht, Komiteti shqyrtoi raportin: "Koordinimi ndërinstitucional, faktor i rëndësishëm për një qëndrim të unifikuar në çështjet e politikës së jashtme për përfshirjen e vendit tonë në strukturat euroatlantike", i paraqitur nga Zëvendëskryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Kryeministri Fatos Nano kërkoi rritjen e bashkëpunimit dhe të koordinimit në disa nivele përmes skemave konkrete, ku përmendi koordinimin brenda dikastereve, koordinimin ndërdikasterial nën lidershipin e Ministrisë së Jashtme dhe më pas të njësive konsultative që lidhin Presidencën, Parlamentin dhe Qeverinë me njëra-tjetrën.
Kryeministri kërkoi rritjen e kualifikimit të stafeve përbërëse të ministrive përsa u përket marrëdhënieve ndërkombëtare, gjë që do të ndikonte drejtpërsëdrejti në këtë koordinim ndërdikasterial. Z.Nano tha se kjo është një domosdoshmëri në stadet aktuale të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, të cilat janë zhvilluar më tej, në kuadër të integrimit euroatlantik të vendit.
Më pas, Ministri i Rendit Publik, Luan Rama, e informoi Komitetin Ndërministror të Politikave të Sigurimit Kombëtar, për masat e marra nga Policia e Shtetit, për menaxhimin e sezonit veror 2003, në zbatim të Urdhërit nr. 54,dt.8.4.2003 të Kryeministrit "Për hartimin, miratimin dhe ndjekjen e planit të veprimit për menaxhimin e sezonit veror 2003". Komiteti u njoh me masat që janë marrë për ruajtjen e rendit e të qetësisë në plazhe si dhe krijimin e sigurisë në rrugë e zona turistike.
Po për këtë problem informoi në Komitet edhe Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, Besnik Dervishi. Ai u ndal në masat që ka marrë kjo Ministri dhe ministritë e tjera. Ministri tha se janë hartuar programe të veçanta pune dhe është bërë koordinimi mes tyre për këtë sezon turistik. Komiteti u informua se në këtë sezon pritet rritja e fluksit turistik të pushuesve të brendshëm, edhe ai i pushuesve që vijnë nga Kosova, Maqedonia, etj.
Kryeministri Fatos Nano porositi rritjen e sigurisë në akset rrugore me impakt turistik; koordinimin më të mirë të veprimeve ndërinstitucionale ndërhyrëse në funksion të sigurisë dhe zgjidhjes së problemeve, që mund të shfaqen, midis Ministrisë së Rendit Publik, Shërbimit Informativ Shqiptar dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave; rritjen e shkallës së njohjes së personelit kufitar me aktet e reja ligjore dhe nënligjore.
Kryeministri kërkoi që Ministria e Transportit dhe e Telekomunikacionit të forcojë bashkëpunimin me Ministrinë e Pushtetit Vendor e Decentralizimit dhe Prefektët për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore dhe përshpejtimin e punimeve në proces. Z. Nano kërkoi nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit që të funksionalizojë bashkëpunimin me strukturat që garantojnë furnizimin me ujë dhe energji elektrike.
Komiteti u informua edhe nga Ministri i Rendit Publik, Luan Rama, për parandalimin dhe luftën kundër trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope. Lufta ndaj drogës gjatë kësaj periudhe është konsideruar si një nga prioritetet kryesore në strategjinë e Ministrisë së Rendit Publik, për luftën kundër krimit të organizuar, pjesë të së cilës janë dhe veprat penale në fushën e drogës. Ministri Rama informoi mbi disa arritje të fundit në këtë drejtim.
Po për këtë problem, Komiteti u informua nga Ministri i Financave, Kastriot Islami për parandalimin dhe luftën kundër trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope, sipas informacionit të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në zbatim të urdhërit të Kryeministrit për miratimin e planeve të veprimit për parandalimin dhe luftën kundër trafiqeve të paligjshëm, në Komitet u informua mbi masat që ka marrë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për rritjen e efikasitetit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në lidhje me këtë problem.
Kryeministri Nano la detyrë mbledhjen e shpejtë të një Komiteti Ndërministror ku do të diskutohet lidhur me këtë problem.