Kryeministri Fatos Nano takoi sot një delegacion të Kompanisë së njohur amerikane "General Electric", të kryesuar nga Presidenti ekzekutiv për Europën dhe Afrikën, z.Ferdinando Becalli. Ne

Kryeministri Fatos Nano takoi sot një delegacion të Kompanisë së njohur amerikane "General Electric", të kryesuar nga Presidenti ekzekutiv për Europën dhe Afrikën, z.Ferdinando Becalli. Ne delegacion ishin të pranishëm edhe drejtorët për transportin, financën, për rajonin, për shitjet si dhe këshilltarë të kësaj kompanie.
Në fillim të takimit, Kryeministri Nano, duke uruar mirëseardhjen dhe prezencën e këtij delegacioni vlerësoi dhe shprehu bindjen se kjo kompani e njohur në të gjithë botën, tashmë me këtë vizitë, do të synojë të vendosë piketa të reja për zhvillimin e projekteve të tjera në vendin tonë.
Pasi ka vlerësuar nënshkrimin e Marrëveshjes për projektin e modernizimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe Vorë-Rinas, Kryeministri Nano kërkoi që vazhdimi i një projekti të tillë të shtrihet edhe më tej, për modernizimin e të gjithë hekurudhës shqiptare. Z.Nano shprehu dëshirën që sistemi hekurudhor shqiptar të jetë nën kujdesin e General Electric.
Kryeministri Nano ka shprehur mendimin që projekti i fibrave optike që do të aplikohet edhe në modernizimin e sistemit hekurudhor, fillimisht në linjën Tiranë-Durrës, mund të shtrihet edhe më tej në rrjetin e telekomunikacionit shqiptar.
Duke vlerësuar eksperiencën dhe aktivitetin e Kompanisë General Electric edhe në prodhimin e energjisë, u bisedua mundësia që ky aktivitet të shtrihet edhe në Shqipëri, duke qenë se mundësitë që ofron vendi ynë janë të mëdha jo vetëm në hidro, por edhe në energjinë eolike (të erës).
Kryeministri Fatos Nano ka siguruar Presidentin ekzekutiv të General Electric për Europën dhe Afrikën, Ferdinando Becalli, për gatishmërinë për të bashkëpunuar në realizimin e këtyre projekteve me rëndësi strategjike për zhvillimin e ekonomisë.