Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim të veçantë me Ambasadorin Barry drejtues i Misionit të Monitorimit të Zgjedhjeve nga ODIHR. Kryeministri në fillim të këtij takimi ka
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim të veçantë me Ambasadorin Barry drejtues i Misionit të Monitorimit të Zgjedhjeve nga ODIHR.
Kryeministri në fillim të këtij takimi ka falenderuar ambasadorin Barry dhe të gjithë misionin e monitoruesve ndërkombëtarë për rolin dhe kontributin e tyre në vëzhgimin e kujdesshëm, të përgjegjshëm dhe me korrektësi të zgjedhjeve lokale në vendin tonë.
"Qeveria shqiptare që unë drejtoj ka mirëpritur me seriozitet dhe përgjegjshmëri të gjitha rekomandimet e bëra si dhe ato që do të bëhen në raportin final lidhur me ecurinë e këtij procesi elektoral", tha Kryeministri Nano duke ndarë me bashkëbiseduesit edhe disa opinione mbi çështje të trajtuara në këtë proçes.
Kryeministri Nano ka theksuar faktin se ecuria e proçesit të shpalljes së rezultateve finale nuk po ecën sipas parashikimeve ligjore.Kryeministri u shpreh se sikurse është parashikuar në Kodin elektoral, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet te kishte insistuar më tepër në dorëzimin e dokumentacionin përkatës në kohën e duhur në KQZ.
Gjithashtu zoti Nano duke u ndalur në çështjen e listave të votuesve, si problem i veçuar në këto zgjedhje tha se për një çeshtje të tillë në fillim të këtij proçesi zgjedhor u konsiderua e rëndësishme arritja e një konsensusi politik dhe për këtë qëllim listat e votuesve u hartuan me angazhimin e të dy forcave kryesore politike në vend".
Kryeministri Nano siguroi më tej se krijimi i listave adekuate të votuesve mbetet një nga angazhimet prioritare për të ardhmen i Qeverisë Shqiptare, duke shtuar se po bëhen gjithashtu përpjekje te forta në funksion te ndërtimit të institucioneve të pakontestueshme elektorale në vend.
Bashkëbiseduesit kanë ndarë të njëjtin opinion pozitiv lidhur me rolin mjaft korrekt të forcave të rendit në Shqipëri në proçesin e zgjedhjeve lokale të 2003.
Nga ana e tij Ambasadori Barry ka vlerësuar së tepërmi bashkëpunimin e ofruar nga qeveria shqiptare në misionin e tyre monitorues për zgjedhjet vendore duke theksuar progresin e këtij proçesi ndërsa është shprehur pozitivisht dhe ka përgëzuar kryeministrin për ndryshimet e ndodhura në Shqiperi në krahasim me disa vite më parë kur ai ka vizituar vendin tonë.