Kryeministri Fatos Nano i ka dërguar një mesazh Shenjtërisë së Tij, Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të, me rastin e Lumturimit të Nënë Terezës. Në këtë mesazh shkruhet: "L
Kryeministri Fatos Nano i ka dërguar një mesazh Shenjtërisë së Tij, Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të, me rastin e Lumturimit të Nënë Terezës.
Në këtë mesazh shkruhet:
"Lumturimi i Nënë Terezës, bamirëses dhe nobelistes së shquar me origjinë shqiptare, që do të kryhet këto ditë në Selinë e Shenjtë, me iniciativën e Shenjtërisë Suaj, është një ngjarje e shënuar dhe shumë e gëzueshme për gjithë besimtarët kudo në botë dhe veçanërisht për ne shqiptarët, bashkëkombasit e saj.
Periudha që i parapriu kësaj date dhe gjithë viti në vazhdim, deri më 19 tetor të vitit 2004, të cilin Qeveria Shqiptare e ka shpallur "Viti i Nënë Terezës", është i mbushur me veprimtari të shumta përkujtimore, kushtuar jo vetëm figurës së Nënë Terezës, por edhe Juve, At i Shenjtë, për kontributet e jashtëzakonshme që keni dhënë në lartësimin e virtyteve njerëzore, për rrënjosjen e dashurisë, mirësisë e mirëkuptimit midis popujve e kombeve, për paqen dhe mirëqënien e njerëzve në mbarë botën.
Në këtë ditë të shënuar për të gjithë, kam shumë dëshirë të ndodhem në Selinë e Shenjtë për të ndjekur me Ju dhe mijëra besimtarë të tjerë ceremonitë që Ju do të udhëhiqni e kurorëzoni për Lumturimin e Nënë Terezës. Detyrime të rëndësishme kushtetuese, krejtësisht të pashmangshme, më imponojnë qëndrimin tim në atdhe dhe më privojnë kënaqësinë dhe mundësinë për të qenë fizikisht i pranishëm në këto ceremoni, ku veç mijëra shqiptarëve do të marrin pjesë: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z.Alfred Moisiu; Kryetari i Kuvendit, Z.Servet Pëllumbi; si dhe ministra e funksionarë të tjerë të lartë të Shtetit e të Qeverisë Shqiptare.
Megjithatë, me mend e me shpirt ndodhem në Selinë e Shenjtë, pranë Jush, si pjesëmarrës aktiv në ceremonitë festive.
Më lejoni edhe një herë, At i Shenjtë, t'ju uroj nga zemra shëndet të plotë dhe jetë të gjatë për të çuar përpara misionin Tuaj të vyer dhe të shenjtë".