Kryeministri Nano inaguron rrugën Mujo Ulqinaku- -Fjala e plotë e Kryeministrit dhe Kryetar i PSSH në konferencën e Partisë Socialiste të Durrësit- Kryeministri Fatos Nano gjatë një viz
Kryeministri Nano inaguron rrugën Mujo Ulqinaku-
-Fjala e plotë e Kryeministrit dhe Kryetar i PSSH në konferencën e Partisë Socialiste të Durrësit-
Kryeministri Fatos Nano gjatë një vizite pune sot në qytetin e Durrësit ka inaguruar rrugën Mujo Ulqinaku, një financim i Bashkisë së Durrësit më një vlerë prej 34 milionë lekësh. Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Durrësit z. Lefter Koka, Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit Bashkim Fino, Ministri i Bujqësisë Agron Duka, deputetë të zonës, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor.
Më pas Kryeministri dhe Kryetar i PSSH Fatos Nano ka marrë pjesë në punimet e Konferencës së Partisë Socialiste të Durrësit ku në fjalën e tij u shpreh:
"Kam ardhur me shumë kënaqësi sot në Durrës për t'ju përshëndetur dhe për të tërhequr me vete edhe vëmendjen e të gjithëve, - falënderoj median që është prezente - se Partia Socialiste e Shqipërisë nuk jeton vetëm në kryeqytete, nuk krijon përvojë dhe shembull konkurues dhe fitues vetëm në Tiranë.
Organizata e socialistëve të Durrësit ka qenë dhe mbetet një sukses i socialistëve shqiptarë, një model e shembull konkurues dhe fitues, një ekzemplar i solidaritetit midis militantëve, përfaqësuesve, administratorëve, ligjvënësve, politikanëve, sipërmarrësve dhe njerëzve të pazëvendësueshëm që na votojnë.
Pra, jam këtu për t'i thënë publikut shqiptar merrni shembull edhe nga socialistët e Durrësit, ashtu siç kam lëvizur dhe do të vazhdoj të lëviz në të gjithë Shqipërinë që të propagandojmë dhe të ngrohim procesin e zhvillimit të reformave, të transformimit dhe të kurimit të problemeve që kanë njerëzit në të gjithë Shqipërinë, që nga Lezha në Berat, që nga Saranda në Shkodër.
Durrësi është një dëshmi e gjallë gjithashtu, se mbroçkullat dhe shpifjet e Berishës apo kopjacëve të tij të këqinj brenda PSSH nuk zënë më vend tek zgjedhësit, sidomos tek zgjedhësit e emancipuar të socialistëve, tek zgjedhësit e një qytetërimi të lashtë si Durrësi, tek zgjedhësit e komunave dhe bashkive që kanë lidhur jetën dhe të ardhmen e familjeve dhe të fëmijëve të tyre me këtë formacion progresist, që po zhvillon vendin dhe po e integron në botën moderne.
Ju tashmë keni atë që meritoni: ekipin e maxhorancës që ju qeveris edhe këtu në Durrës, të cilët në solidaritet dhe partneritet me qeverinë që unë drejtoj po e shndërrojnë me ritme akoma më të larta edhe qytetin e Durrësit edhe krejt zonën përreth, në nyjen më të rëndësishme kombëtare të zhvillimit dhe integrimit drejt perëndimit. Dhe, bashkë me Durrësin, Tiranën, Beratin, Gjirokastrën apo Vlorën po transformohet e gjithë Shqipëria.
Natyrshëm, ne i njohim problemet, por nuk mund të qëndrojmë të tulatur aq më pak të lodhemi përballë sulmeve përçmuese, mohuese të një opozite të vjetër dhe arkaike që drejtohet nga i njëjti përbindësh apo të opozitës brenda nesh. Ka disa që nuk janë dakort me produktin e punës dhe angazhimit tonë, sepse nuk shkon më në xhepat e tyre. Ka disa pseudosocialistë edhe këtu në Durrës, që të frymëzuar nga opozita destruktive dhe e pashërueshme e Sali Berishës, po bëjnë gjithçka për të na mposhtur, për të na përçarë, për të na çuar në opozitë.
Siç jemi të aftë dhe kurajoz të njohim të metat dhe defektet e punës sonë, ne jemi edhe krenarë ta mbrojmë dhe ta konsolidojmë atë zhvillim dhe transformim të madh që ka pësuar Shqipëria, qytetet dhe fshatrat e saj në shumicë, nën qeverisjen tonë, jo vetëm qysh nga viti '97, por edhe në mandatin që filloi pas vitit 2001.
Ky zhvillim ka arritur dimensione që nuk kanë ekzistuar kurrë më parë. Po ju jap disa tregues të vitit 2004, ku financimet e parashikuara nga buxheti i shtetit, përfshi dhe buxhetin suplementar që miratoi qeveria këto ditë dhe, ka nisur procesi i miratimit parlamentar, me rreth 60 milion dollarë të inkasuara në buxhet nga privatizimi i Bankës së Kursimeve,- shitja më e suksesshme në të gjithë Europën Lindore,- pra i gjithë buxheti për investime publike në 2004 arrin në 530 milion dollarë, ose (shikoni dimensionet dhe ritmet e rritjes) dy herë më shumë se në vitin 2000.
Përballë këtyre dimensioneve dhe ritmeve ka zëra që thonë se ne përlajmë ¾ e taksave. Ja një shembull tjetër se Berisha dhe të tijtë kanë humbur sensin e shtetit, të administrimit publik dhe të bashkëpunimit të institucioneve kombëtare qeverisëse me ato financiare ndërkombëtare dhe me organizatat ku po integrohemi. Është e pamundur të fshehësh qindarkën e taksave që mblidhen nga qytetarët dhe ta përdorësh për qëllime private sot. Gjithçka është e monitorueshme, e kontrolluar, e thesarizuar dhe çdo tentim, siç tregojnë dhe aksionet e shtetit ligjor, e Kontrollit të Lartë të shtetit dhe aksionet e qeverisë kundër korrupsionit, e ç'dëmtueshme dhe e rikthyeshme. Ka zëra të tjerë që thonë se investimet nuk realizohen. Janë normale spekullime të tilla për të gjithë ata që realitetin e shohin nga 3 km katror bulevard në Tiranë, e shohin me sytë e piramidave të '97, nga ekranet e ndonjë televizioni, nga zyrat me ajër të kondicionuar apo vilat 3 katëshe në Golem, apo kafenetë e bulevardeve.
Më lejoni të ndaj me ju këtë optimizëm dhe qetësi që ka qeveria. Financimet i kanë shkuar dhe do të vazhdojnë t'u shkojnë njerëzve për nevojat e zhvillimit, si dhe shtresave në nevojë për t'u integruar në zhvillimin e madh të vendit drejt Europës. Mjafton t'ju them se sivjet janë në proces realizimi ndërtimesh dhe rikonstruksionesh (Ministrin e suksesshëm Fino e kemi këtu) mbi 80 ujësjellësa, nga të cilët do të përfitojnë dhjetra qytete, qindra fshatra dhe qindra mijëra qytetarë, nga Shkodra e deri në Sarandë, nga Peshkopia e deri në Kavajë.
Mund të kisha sjellë dhe shifra të tjera në vëmendje për të kuptuar akoma më mirë, i madh dhe i vogël, se çfarë transformimi i jashtëzakonshëm është udhëhequr prej nesh në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Po më duhet të bëj gjithashtu të qartë për të gjithë ata që kujtojnë se kanë monopolin e së vërtetës, se nivele të tilla financimi, vëllime të tilla investimesh nuk mund të realizohen dhe të mbahen në rritje vit pas viti pa reforma të thella në sistemin fiskal e doganor, pa shtimin me ritme të pakrahasueshme me vendet fqinje dhe me vitet e mëparshme të të ardhurave nga tatimet dhe doganat, pa luftën dhe suksesin e aksioneve kundër kontrabandës apo korrupsionit në administratë, të cilat kanë dhënë dhe po japin efekte të menjëhershme masive, duke shtuar të ardhurat e shtetit, për pasojë edhe aftësinë tonë për të financuar zhvillimin dhe për t'iu përgjigjur nevojave të aktivizimit jo vetëm të resurseve për zhvillim të të gjitha trevave dhe komuniteteve, por edhe të punësimit të njerëzve me ritme më të shpejta se më parë.
Kemi përballë përçmues dhe mashtrues që, duke mohuar progresin e vendit, abuzojnë me raporte partnerësh ndërkombëtarë, që në fakt janë shkruar nga ne, qeveria, sëbashku me ta si dokumente programimi dhe zhvillimi. Këta njerëz që dje u shfaqën edhe në Konferencën e Tiranës, e cila shënoi çlirimin e PS së Tiranës nga plangprishësit siç e dëgjuat, që prapa zhurmës, shpifjeve dhe akuzave fshehin korrupsionin personal, abuzimin me detyrën, me mandatin që u keni dhënë ju, fshehin edhe pasuri të paligjshme, të padeklaruara apo të kamufluara me emra të tjerë.
Do t'ju ftoja për një moment të viheshit në vendin e Kryeministrit dhe të vendosni nëse duhet të shpenzojmë sivjet 130 milion dollarë për ujësjellësa, banesa e turizëm apo të bëjmë vetëm një vepër të madhe, të dukshme dhe unikale si psh autostrada.
Sivjet investohen 250 milion dollarë në rrugë dhe infrastruktura të komunikacionit. Do të mbyllen akset e korridorit veri-jug dhe autostrada do të mbërrijë në kufirin me Malin e Zi përtej Shkodrës, do të mbyllet Korridori 8-të në territorin shqiptar dhe me të gjitha akset paralele që lidhin Rrogozhinën me Elbasanin, krahas Qafë-Thanës me Elbasanin. Do të bëhen investime në rrugë urbane sidomos në qytete me flukse turistike që qarkullojnë dhe shumfishojnë të ardhurat për zhvillim.
Personalisht gjykoj se makinat mund të ecin edhe për pak kohë në rrugët dytësore apo në rrjetet e rrugëve që duhen rinovuar dhe kanë mbetur jashtë standarteve, por kurrsesi në vitin 2004 nuk mund të privohen nga e drejta për ujë të pijshëm qindra mijëra qytetarë dhe fshatarë, dhjetra dhe qindra bashki e komuna. Unë e di se politikanë apo pronare dhe drejtues mediash do të kënaqeshin shumë me rrugë moderne për të ruajtur makinat e tyre luksoze, shpesh herë të paregjistruara apo të vjedhura. Por, si Kryeministër jam i përgjegjshëm dhe i detyruar të drejtoj investimin e fondeve publike për të rritur nivelin e jetesës, sidomos për ata shtetas që nuk dalin në televizor. E pra, investimi që ne po kryejmë sivjet në sistemin e ujit të pijshëm në të gjithë Shqipërinë është një reformë themelore për ujë dhe po realizohet me shumë sukses, siç po shoqërohet edhe me dorëzimin e sistemeve moderne të ujësjellësave në duart e bashkive me financime ndërkombëtare dhe buxhetore që garantojnë zgjerimin dhe modernizimin e mëtejshëm.
Për ta bërë më të kuptueshme këtë bisedë më lejoni të them dhe t'ju pyes, a e dini se sivjet për ushtrinë shqiptare që po përgatitet për anëtarësim në NATO do shpenzojmë 16 milion dollarë vetëm për investime? T‘i heqim? Të shtojmë trotuaret dhe rrugët? Për këto të fundit edhe unë jam dakort, por ka një konsensus kombëtar që e bën anëtarësimin e vendit në NATO prioritet të reformave dhe të qeverisjes sonë euroatlantike dhe kjo garanton më shumë siguri për zhvillim të qëndrueshëm, më shumë punësim dhe mirëqënie, sepse progresit tonë drejt NATO-s po i përgjigjet rritja e pandodhur më parë e investimeve të huaja direkte dhe shtimi i emrave të mëdhenj të sipërmarrjes ndërkombëtare si General Electric, Locheed Martin apo banka të rëndësishme si Reiffeisen, të cilat po shtojnë besimin e investitorëve privatë ndërkombëtarë për tregun shqiptar, për pasojë po shtojnë projektet për zhvillim me teknologji moderne.
Për më tej, vetëm në sistemin e drejtësisë për këtë vit do shpenzohen për investime 10 milion dollarë. Mirë do të ishte t'i shpenzonim këto para për të ngushtuar më tej hendekun e pensioneve të fshatit dhe qytetit apo midis kategorive të ndryshme të të punësuarve që trashëguam nga regjimi komunist apo nga regjimi i Berishës. Mirë do të ishte të shpenzonim më shumë para për rimbursime ilaçesh, por integrimi europian kërkon standarte të vuajtjes së dënimit edhe në burgjet e Shqipërisë si në vendet e komunitetit. Përndryshe do të kthehemi prapa në '97 apo '98 kur shpërthenin burgjet dhe keqbërësit vinin në pushtet.
I dhashë këto shembuj për të kuptuar së bashku me ata që duan të na kuptojnë dhe të mos e humbin besimin tek morali dhe përkushtimi ynë për të ndërtuar në Shqipëri mirëqënie për të gjithë dhe me standarte europiane në të katër anët e territorit. Procesi i reformave nuk ka ngecur, ka hyrë në një fazë shumë cilësore, e cila do të vazhdojë të kërkojë kohë, energji, kapacitete e mbi të gjitha financime të mëdha.
Në tribuna sallash që mediatizohen si kjo, pra në publik, kanë nisur të shfaqen edhe disa që na bëjnë thirrje të mos krenohemi me shifra boshe apo që nuk i kupton njeri. Mund të jetë e vërtetë se shumë njerëz nuk e kuptojnë se çdo të thotë Produkt i Brendshëm Bruto apo GDP, deficit buxhetor, kosto marxhinale, etj. Por qeveria nuk ka ku gjen para për të shpenzuar përvecse nga të ardhurat publike, të cilat mblidhen duke detyruar çdo subjekt të respektojë tarifat dhe rregullat e doganave dhe tatimeve. Pra, të ardhurat mblidhen e pastaj shpenzohen.
Në këtë optikë më lejoni të kujtoj dy shifra krejtësisht të verifikueshme; importi dhe eksporti i mallrave për vitin 2003 arriti në 2.3 miliard dollarë, ose 27% më shumë se viti 2002. Nga 1 miliard dollarë që ishin importet para 3 vjetësh arritën në 1.8 miliard dollarë për 2003. Ky fluks financiar, ky fluks mallrash kthehet i gjithi në të ardhura për buxhetin, Këto janë para të pastra, të certifikuara, të kontrolluara, të ç'doganuara dhe për pasojë tregojnë vëllime dhe dimensione të reja dhe të mëdha të zhvillimit të vendit, tregojnë se tregu shqiptar është zmadhuar, se marrëdhëniet me fqinjët ku janë punësuar qindra mijë emigrantë janë shumë miqësore, tregojnë se të ardhurat nga emigracioni hyjnë nëpërmjet 15 bankave private që operojnë në Shqipëri, vendase dhe të huaja dhe investohen në dobi të sipërmarrjes, në dobi të konsumit, në dobi të investimeve, të mirëqënies dhe të ngritjes së standartit të jetesës së njerëzve jo vetëm materialistë, por për më shumë shkolla, në më shumë spitale, në më shumë rrugë, në furnizime me shërbime të nevojës së parë më të mira. Një shtesë importesh prej 800 milion dollarësh në 3 vjet do të thotë se ekonomia po ecën.
E dini se është viti i dytë rresht që po rriten eksportet nga 17 deri në 25%, veçanërisht eksportet e produkteve ushqimore, të përpunuara, me të njëjtin ritëm që po shtohen sipërfaqet e serave në të gjithë Shqipërinë qendrore dhe fushore. A e dini se bankat private kanë dhënë gjatë vitit 2003, 950 milion dollarë kredi me kushte favorizuese për ndërmarrjet vendase, veçanërisht në sektorët e agropërpunimit, të turizmit, të hotelerisë, të ndërtimit dhe të shërbimeve të tjera për konsumatorët. Dhe të gjitha këto janë kthyer në investime të reja, në teknikë, pajisje dhe makineri, që hyjnë në prodhim në muajin korrik dhe do të japin ritme akoma më të qëndrueshme të rritjes dhe më shumë punësim e të ardhura edhe për buxhetin e shtetit edhe për familjet e njerëzit që do të gëzojnë këto investime në territorin e tyre.
Ky progres realizohet vetëm në sajë të reformave. Ky progres ka kostot përkatëse dhe ky progres ka edhe kundërshtarë tashmë të qartë e të vendosur. Kundërshtari më i madh është Sali Berisha. Rimëkëmbja e shtetit që shkatërroi ai në '97 na kushtoi 500 milion dollarë, që nga godinat e komisariateve deri tek zyrat e administratës qendrore apo vendore, apo arkivat e funksionimit të shtetit.
Ky njeri vazhdon të pështyjë dhe të sulmojë gjithçka. Ju e dini se kush sulmohet më shumë: njerëzit më të fortë, ata që janë më pranë jush dhe që vazhdojnë të sakrifikojnë nga mirëqënia dhe qetësia personale duke përqafuar filozofinë tonë qeverisëse për të vënë shtetin në shërbimin tuaj. Sulmohen njerëz si Agron Duka, sulmohen njerëz si Bashkim Fino, që po të ishin njerëz të kapur me thonj pas interesave private apo të konfliktit të tyre me interesat qeverisëse do të ishin njëri në Shijak sot dhe tjetri në Gjirokastër. Nuk do të ishin këtu midis nesh dhe nuk do të nxirrnin gjoksin përballë korbave që duan të shkatërrojnë qëndrueshmërinë e zhvillimit të vendit.
Ka dy lloje përfaqësuesish, ka përfaqësues politikë që kanë penetruar edhe në radhët tona, që kanë bërë karrierë edhe me votat tuaja, të cilët kanë ardhur me opinga nga provincat më të largëta dhe sot kanë pasuri të padeklaruara, të paimagjinueshme. Po i shihni edhe nëpër ekrane. Ka edhe një lloj përfaqësuesish të tjerë, njerëz që jo vetëm eksperiencën dhe sakrificën familjare dhe personale si Agron Duka apo Lefter Koka e kanë vënë në rrezik për t'ju shërbyer komuniteteve, për t'i shërbyer zhvillimit duke sakrifikuar dhe duke humbur praktikisht edhe materialisht edhe nga pikëpamja e komoditetit të familjeve dhe dinjitetit personal. Ne do të vazhdojmë të preferojmë, të mbështesim dhe të votojmë njerëzit dhe përfaqësuesit e sakrificës, që ndajnë zemrën dhe pasurinë dhe përkushtimin me shumicën dhe jo që hallet apo interesat e shumicës i përdorin për të pasuruar familjet e tyre private. Kjo është lufta dhe drejtësia jonë në luftë kundër korrupsionit, në luftë kundër klientelizmit, në luftë kundër kriminalizimit të politikës dhe bizneseve.
Nesër në Kuvend jam thirrur të zhvilloj një interpelancë debat të kërkuar nga PDR, partia e Pollos, lidhur me fatet e reformave dhe me ekonominë. Duke përshëndetur iniciativa të tilla që tentojnë ta fusin debatin politik në institucione atje ku e kanë vendin, pra në Kuvend, do të thoja se ishte koha për një konsensus të gjerë kombëtar dhe politik që të përshpejtohet ky zhvillim, meqë jemi edhe në prag të Samitit të NATO-s. Ju po e shihni, shumica e shqiptarëve ashtu si dhe partnerët ndërkombëtarë që, për fat të keq, opozita jonë destruktive nuk pranon as t'i bashkohet delegacioneve apo ekipeve përfaqësuese të vendit në samite të tilla të rëndësishme, pale të kontribuojë apo të mbështesë zhvillimin edhe me resurset që ajo kontrollon.
Problemi i kësaj opozite që udhëhiqet nga Berisha nuk është vetëm tek papërgjegjshmëria përballë interesave kombëtare. Siç e thashë opozita shqiptare ka humbur nocionin e shtetit, të administrimit publik, të standarteve dhe ligjit, të reformave, të projekteve, të prioriteteve, të strategjive. Në mendjet dhe veprimet e kësaj opozite ka vetëm një strategji dhe model; të rrëmbejë pushtetin, të rikthehet në pushtet dhe kjo është arsyeja themelore pse njerëz si Meta dhe ata që i shkojnë pas bashkohen kaq kollaj me Sali Berishën. Kanë humbur pushtetin personal dhe kërkojnë të shkatërrojnë pushtetin tuaj vetëm sepse nuk kanë më pushtet për të abuzuar me të.
Opozita, siç shihet, nuk na shqetëson shumë pasi ia kemi marrë dorën që ta lëmë në opozitë. Nuk na vjen e keqja ne socialistëve dhe progresistëve prej saj. Ne kemi nevojë të mobilizojmë energjitë dhe ekipet për më shumë reforma dhe për më shumë efekte të reformave në dobi tuaj, në dobi të qytetarëve dhe fshatarëve, në dobi të komuniteteve, në dobi të së ardhmes, të fëmijëve, pra nëpërmjet investimeve më të mëdha që shkojnë tek e ardhmja siç janë arsimi dhe shëndeti publik.
Ne kemi nevojë ta njohim akoma më mirë sëbashku realitetin në të cilin investojmë dhe kryejmë reforma, ta njohim më mirë problematikën në të cilën zhvillohen reformat në çdo komunë apo bashki, të njohim më mirë interesat dhe kontributet, përfitimet apo kostot që përballojnë familjet e njerëzve të thjeshtë apo të sipërmarrjes në çdo trevë ku ndryshojnë organizimet, legjislacioni apo administrimi i taksave apo i financimeve publike. Kemi bërë gjithçka që kemi pasur mundësi të bëjmë deri tani, por kjo është e pamjaftueshme. Duhet të ngremë në maksimum ritmet e rritjes dhe të zhvillimit, ritmet e decentralizimit që do të aktivizojnë më shumë njerëz të aftë që marrin kompetenca, marrin prona publike në komuna dhe bashki dhe i administrojnë akoma me më shumë efekt në dobi tuaj.
Kjo sfidë e përballueshme, kur ne vlerësojmë bashkimin në vend të ndarjes, interesat kombëtare në vend të përfitimeve të ditës apo private, solidaritetin politik dhe programor në vend të klaneve dhe kulisave ku ato lëvizin, pra vlerësojmë progresin dhe sigurinë e progresit të qëndrueshëm në vend të nxirjes së realitetit dhe të shqyerjes së maxhorancës. C'të bëj më tepër unë dhe ju me njerëz si Ilir Meta dhe pasues të tij, kur këta pasi humbën çdo durim, me nervozizmin e tyre përballë forcës suaj, duke qëlluar me vezë as më pak dhe as më shumë një njeri si Bashkim Finon, të cilin e mbani mend vetë, kur ishin Kryeministra e Ministra e ruanin nga unë, Kryetari i partisë. Jam i lumtur që jam në një front me Bashkim Finon që nga viti '97 u shfaq si Kryeministri i shkëlqyer i Pajtimit Kombëtar, ministri i shkëlqyer i disa qeverive socialiste dhe progresiste. Është i njëjti Bashkim që di të japë llogari përballë zgjedhësve dhe të jetë kaq miqësor me progresin dhe njerëzit që sjellin progres. I njëjti njeri që di të mbajë miqësi dhe marrëdhënie luajale me median, ashtu siç edhe di të mbrojë dinjitetin e tij apo të qeverisë ku bën pjesë në institucionet e drejtësisë përballë mediave sharlatane që kërkojnë t'i shqyejnë ndonjë copë nga buxheti i shtetit. Pra, e mora Bashkimin si shembull se Bashkimi nuk është nga ata përfaqësues që nuk dinë të sakrifikojnë, nuk është nga ata socialistë, ministra apo deputetë që nga zyrat e shtetit ku i keni vënë ju dhe unë, të thurin intriga me opozitën për rrëzimin e qeverisë, apo intriga mediatike kundër Kryeministrit dhe qeverisë suaj, për partinë, për qeverinë, me shpresën se një ditë do të hutohemi apo lodhemi të gjithë dhe ata do bëhen lider apo kryeministra.
Të punosh në ekip do të thotë të shërbesh, e ritheksoj të sakrifikosh lirinë dhe komoditetin personal në shërbim të detyrës, në shërbim të zgjedhësve dhe jo të karrierës personale apo mirëqënies private. Këto që po them nuk i kam personale, pasi më shumë se më kanë bërë nuk kanë c'më bëjnë. Nëse duhen korrigjime dhe duhen, dhe ju keni të drejtë të na nxisni për më shumë korrigjime, ne do t'i kryejmë ato pa vonesë, kudo dhe pa hezitim. Thirrjet për të ndezur motorrat dhe për të ndenjur pa gjumë natyrisht nuk janë për ju socialistët e thjeshtë, por në radhë të parë për drejtuesit, ministrat, për deputetët, për të zgjedhurit vendorë dhe për të gjithë ata që menaxhojnë programin politik të PS dhe qeverisë së koalicionit. Unë nuk mund të kuptoj sesi ministra apo deputetë të kësaj maxhorance të pajtohen dhe të miratojnë, qoftë dhe me heshtjen apo me sulme publike, ndaj rrënjës me të cilën ushqehen akuzat më monstruoze të opozitës destruktive ndaj nesh dhe personalisht të mos ndjejnë asnjë përgjegjësi, të mos japin asnjë shpjegim autokritik përballë publikut dhe zgjedhësve, por të vazhdojnë të kujtojnë se "ai që duhet të iki duhet të jetë Nano apo Ruçi, se "me Nanon jemi mësuar që jep dorëheqjen". Me pak fjalë po përpiqen t'ju bindin se Nano apo Ruçi janë e keqja e PS, ndërsa këta pelivanë politik apo mediatik na qenkan e ardhmja e shëndoshur me investimin tuaj që ata e kanë shpërdoruar privatisht. Gabohet cilido që mendon se ne, socialistët, që jemi kaq të shëndetshëm, të shkojmë në zgjedhje si pelivan me bicikletë mbi tel cirku. Rruga jonë është e gjërë, numrat tanë janë të sigurtë, kurajo dhe përgjegjësia jonë për të korrigjuar vetveten është forca që na garanton fitoren në çdo ballafaqim elektoral.
Edhe kjo konferencë e Durrësit është një nga arkivat e gjalla të kredibilitetit dhe të militantizmit të socialistëve. Gjithashtu një nga skanerat që evidentojnë punën dhe suksesin, problemet dhe programet për t'i zgjidhur, moralin dhe militantizmin e secilit përfaqësues gjithashtu. Unë po i lexoj me shumë kujdes përfundimet e Konferencave të partisë në të gjithë vendin, që në themel po sjellin energji dhe stimuj për të përmirësuar programet dhe sjelljet e përfaqësuesve dhe të qeveritarëve. Ky është komunikimi më i strukturuar që nuk e ka asnjë parti tjetër, i udhëheqësve dhe i të zgjedhurve, me zgjedhësit dhe anëtarët e partisë. Ka ardhur koha për t'i dëgjuar më mirë mesazhet e tyre për operacione të tjera që shërojnë ende pjesë të sëmura të trupit tonë të shëndetshëm. Do ta bëjmë tani, do ta bëjmë të vendosur, do ta bëjmë për të shpëtuar jo thjesht vetveten si organizatë politike por për të mbrojtur dhe siguruar vazhdimin e zhvillimit të reformave për integrim, që vetëm ne dimë t'i udhëheqim.
Ky operacion do të garantojë përshpejtimin e reformave dhe shtimin e rezultateve, ky operacion do të na garantojë fitoren e padiskutueshme të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005. prandaj do ta bëjmë tani për 400 ditë rresht pa u lodhur dhe pa i hapur rrugë të korruptuarve apo abuzuesve me interesat dhe solidaritetin tonë politik dhe europian.
Ju uroj suksese dhe fitore të gjithë sëbashku!