Kryeministri i Shqipërisë zoti Fatos Nano, u takua, në kuadrin e analizës tre mujore të punës në ministrinë e Ekonomisë me Ministrin Anastas Angjeli dhe autoritete të kësaj ministrie. N
Kryeministri i Shqipërisë zoti Fatos Nano, u takua, në kuadrin e analizës tre mujore të punës në ministrinë e Ekonomisë me Ministrin Anastas Angjeli dhe autoritete të kësaj ministrie.
Në këtë analizë Kryeministri Nano, vlerësoi pozitivisht punën e bërë nga kjo ministri në drejtim të realizimit të detyrave të ngarkuara në programin 35 mujor të Qeverisë, matricës së projektakteve ligjore dhe atë të stabilizim-asocimit.
Ministri Angjeli ka theksuar hapat mbi politikat e ndjekura për zhvillimin ekonomik e social të vendit përmes zbatimit të harmonizuar të SKZHES dhe strategjive rajonale, përpunimit e zbatimit të politikave tregtare për integrimin rajonal të ekonomisë shqiptare, zbatimit të angazhimeve të marrëveshjes së OBT-së dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit etj.
Në këtë takim vëmendje e posaçme iu kushtua diskutimit rreth ecurisë së procesit të privatizimit të sektorëve strategjikë, konsolidimit të institucioneve në mbështetje të sektorit privat dhe vazhdimi i bashkëpunimit me shoqatat e biznesit.
Në analizë, Kryeministri u shpreh se tashme është e nevojshme rritja e vëmendjes për realizimin e objektivave në vazhdim, në veçanti përpunimin e zbatimin e mëtejshëm të politikave të zhvillimit ekonomik, sidomos të prodhimit bujqësor, vazhdimin e thellimit të liberalizimit të tregtisë, ndjekjen e monitorimin e zbatimit efektiv të Marrëveshjeve të Tregëtisë së Lirë, si dhe realizimit të objektivave për privatizimin e Albtelekom, Armo, Albpetrol, etj.
Gjithashtu në këtë analizë u diskutua për hapat në drejtim të administrimit në nivel bashkohor të pronës publike, fuqizimin e strukturave për harmonizimin e financimeve nga donatorët e huaj, duke përafruar aktet e nevojshme ligjore në këtë fushë,zhvillimi i mëtejshëm i agjensive për nxitjen e biznesit, zbatimi i kartës së SME-ve (ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme), lehtësimi i proçedurave për biznesin, etj.