Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot pasdite në një takim të veçantë Ministren e Mbrojtjes së Kroacisë Znj. Zeljka Antunoviç dhe Ministrin Maqedonas të Mbrojtjes z. Vlado Buchkovski të cil
Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot pasdite në një takim të veçantë Ministren e Mbrojtjes së Kroacisë Znj. Zeljka Antunoviç dhe Ministrin Maqedonas të Mbrojtjes z. Vlado Buchkovski të cilët ndodhen në Tiranë të ftuar nga Ministri Shqiptar i mbrojtjes, Pandeli Majko, ne kuadrin e bashkepunimit mes tre vendeve, pas nenshkrimit të marrëveshjes të quajtuar "Adriatik Charter" mes tre vendeve tona dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Nano theksoi rëndësinë që marrin inciativat e perbashkëta edhe në fushën e mbrojtjes në kuadër të bashkëpunimit rajonal, me qëllim përafrimin e përbashkët drejt strukturave euroatlantike sikunder jane NATO dhe BE.
"Bashkëpunimi dhe përpjekjet tona të përbashkëta janë një shembull shumë i mirë për të modernizuar shoqëritë në të cilat jetojmë. Ndërtimi i besimit mes ushtrive dhe përgjegjësisë për mbrojtjen është shumë e rëndësishme edhe për civilët, që të mësojnë të jetojnë së bashku dhe të kapërcejnë traditën e bazuar mbi mosbesimin dhe përjashtimin e komuniteteve të ndryshme", tha kryeministri Nano duke shtuar se kjo do të thotë se duhet të vazhdojmë të integrojmë cdo aktor të mundshëm në këtë proces, në iniciativat e përbashkëta të sigurisë, për të prodhuar sa më shumë stabilitet dhe standrate moderne integruese. Fakti që tashmë ushtritë tona bashkëpunojnë në këtë nivel me pikësynim arritjen e standarteve demokratike të NATO-s, është provë e një realiteti të ri në rajonin tonë, realitet të cilin e kemi ndërtuar në bashkëpunim me partnerët tanë euroatlantikë. Në duhet të punojmë për më shumë hapësira që ushtritë tona moderne, jo vetëm të realizojnë më shumë misione paqeruajtjeje dhe bashkepunimi, por në sajë të këtij bashkëpunimi nuk duhet të lejojmë që brezi ynë i ri të braktisë realitetet moderne dhe t'i kthehet gjuhes së vjetër të urrejtjes dhe konflikteve të armatosura.
Në këtë kuadër Kryeministri ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm thellimin e punës së përbashkët edhe në drejtime të tilla si lufta kundër terrorizmit, trafiqeve, garantimit të kufijve të sigurtë edhe përmes bashkërendimit në nivele të ndryshme të institucioneve demokratike që po ndërtohen në rajonin tonë.
Kryeministri Nano ka përshëndetur deklaratën finale të Ministrave të Mbrojtjes së në takimin e tyre të përbashkët në Tiranë, duke shprehur dëshirën për forcimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes ministrive të Mbrojtjes së vendeve të rajonit përmes trajnimeve apo ushtrimeve të përbashkëta si dhe shkëmbimit të eksperiencave mes tyre.
"Unë besoj se ju keni identifikuar tashmë, hapësira për një kompeticion pozitiv mes jush që do na ndihmojë t'u përgjigjemi të gjithë qëllimeve tona të përbashkëta . Jam i sigurt se ne të gjithë i kushtojmë një vëmendje politike dhe institucionale rëndësisë së transformimeve në fushën e mbrojtjes, ushtrisë, sigurisë, për të garantuar ecurinë e duhur në axhendën e reformave për tu bashkuar me komunitetin euroatlantik si dhe për të dhënë shembullin e aftësise së thithjes së standarteve moderne", u shpreh kryeministri Fatos Nano.
Gjithashtu Ministrat e Mbrojtjes së Kroacisë dhe Maqedonisë i përcollën Kryeministrit Fatos Nano përshëndetjet e ngrohta dhe miqësore të kryeministrave të vendeve të tyre dhe shprehën bindjen se projekti i përbashkët dhe deklarata do të bëjnë që në Samitin e Ardhshëm të NATO-s të tre vendet të ndjehen më afër strukturave të Aleancës së Atlantikut Verior.