Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot, në vijim të vizitës në Vlorë, edhe një takim me autoritete të pushtetit vendor në komunën e Novoselës, ku u diskutua për çështje të zbatimit e thell
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot, në vijim të vizitës në Vlorë, edhe një takim me autoritete të pushtetit vendor në komunën e Novoselës, ku u diskutua për çështje të zbatimit e thellimit të reformave, në mënyrë të veçantë të reformës së decentralizimit të pushtetit, për çështje të zhvillimit e menaxhimit të resurseve vendore, si dhe të bashkëpunimit midis pushtetit qëndror dhe atij vendor. Në përfundim të vizitës së tij në qytetin e Vlorës Kryeministri Nano ka vizituar edhe fabrikën e re të prodhimit dhe përpunimit të vajit të ullirit të ndërtuar në Novoselë nga sipërmarrja private e kësaj zone.Gjate kesaj vizite Kryemnistri eshte shoqeruar nga Ministri i Financave dhe njekohesisht deputeti i zones Arben Malaj si dhe drejtues te pushtetit vendor.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Nano u shpreh:
"Kam ardhur me shumë kënaqësi sot këtu, në komunën e Novoselës për të vazhduar se bashku Kuvendimin për Zhvillim. Ju jeni njerëz patriotë dhe punëdashës dhe ajo që i bashkon 12 fshatrat e kësaj komune, është vendosmëria për të mbështetur politikisht dhe me aftësi sipërmarrëse progresin europian të vendit, duke siguruar këtë qëndrueshmëri të rritjes ekonomike, këtë harmoni me zhvillimin shoqëror, që në komunën tuaj shfaqet me tregues të fortë, të konsoliduar në kapacitetet qeverisëse, në numrin e sipërmarrjeve dhe në punësimin e njerëzve, në të ardhurat mesatare të tyre, tregues që ju bëjnë konkurues por edhe më të suksesshmëm se një numër i madh bashkish të grupit dhe dimensionit tuaj, kategorisë së tretë. Ndërkaq, nuk kam ardhur t'ju kujtoj që jeni kategori e tretë sepse nga ritmi i zhvillimit dhe modeli i suskesshmëm i zhvillimit të integruar që demostroni në sytë e të gjithëve, jeni vërtet një pilot i zhvillimit europian të vendit.
Unë dua t'ju përgëzoj që keni ditur t'i aktivizoni të gjithë faktorët e suksesit dhe të progresit. Ju keni një marrëdhënie bashkëpunimi të shkëlqyer me deputetin e Vlorës, me shokun tonë Arben Malaj. Me të cilin unë vazhdoj të bashkëpunoj me kënaqësi dhe sukses në disa kabinete qeveritare që kam drejtuar. Kështu që unë e di që do ta votoni sërish, edhe kjo është një garë për sukses dhe meqënëse këtu në Novoselë synohen nivele të larta, unë nuk do ta quaja të çuditshme sikur Arben Malaj të votohej me 75 përqind të votave këtu. Dhe ne me këto nivele dhe me këtë qetësi dhe siguri që sjell ky bashkëpunim, nuk kemi nevojë të bëjmë makinacione që t'i ruajmë dhe t'i konsolidojmë ritmet e rritjes së vendit drejt standarteve europiane, por edhe të mbështetjes politike të shumicës në të gjithë vendin. Kjo bindje që po ndaj me ju është produkti kryesor dhe më njerëzor i solidaritetit për progres që kemi vendosur në 8 vitet e fundit, sidomos, dhe që kanë sjellë një zhvillim të mbarë ekonomik e shoqëror të zonës tuaj dhe të gjithë komunitetit që jeton dhe përfiton në këtë treve.
Një faktor tjetër i rëndësishëm i zhvillimit tuaj të qëndrueshëm eshtë funksionimi modern i komunës, është mbështetja dhe respekti që ju i jepni Kananit, kryetarit të Komunës suaj që është shfaqur në vazhdimësi jo vetëm si administrator i zoti, por edhe si sipërmarrës rezultativ, jo vetëm për vete por tashmë për të gjithë komunitetin e komunës që ai drejton dhe menaxhon dhe sigurisht me partneritetin shumë të mirë, Këshillin e Komunës, këta burra dhe gra të përkushtuar që janë anëtarë të tij, kanë bashkëpunuar me kryetarin dhe me qeverinë qëndrore, për të trajtuar me merak prej nikoqiri, punët dhe resurset për zhvillim të Novoselës.
Vitin e kaluar ju keni arritur të investoni më shumë se 80 milionë lekë. Këtë vit keni parashikuar të investoni edhe 104 milionë të tjera. Pra 2 herë e gjysëm më shumë se në të 4 vitet '92-96 të marra bashkë. Ja pra, pse ju dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk doni të ktheheni pas. Pesha specifike e investimeve buxhetore në komunë, është e ndjeshme, është e ndjeshme dhe e madhe sepse ju dini ta thithni dhe ta përdorni financimin nga buxheti i shtetit. Ne kerkojmë partneritet, të cilin e kemi gjetur dhe prandaj do vazhdojmë ta zhvillojmë me ju, partneritet i cili shfaqet edhe në aftësitë tuaja për të mbledhur të ardhura edhe nga komuniteti vendor dhe për të investuar prej tyre. Janë 20 milionë leke të investuara nga të ardhurat e vet komunës. Pra me këta tregues, ku raporti i shpenzimeve për investime me shpenzimet e tjera administrative që ka komuna, është 60 me 40, në favor të investimeve, ju jeni në krye të më shumë se 300 komunave që ka Shqipëria. Po kështu, është edhe Llakatundi ku shpenzimet administrative zëne vetëm 25 përqind të të gjithë qarkullimit monetar për shpenzime dhe shërbime që ofron komuna. Ndërkohë që ka edhe një pamje tjetër në shkallë vendi, ka komuna që 100 përqind të grantit që marrin nga buxheti i shtetit e konsumojnë vetëm për shpenzime administrative. Kjo është rishfaqur si një sëmundje e keqe, vecanërisht në komuna dhe bashki ku për pak hutim të përfaqësuesve dhe votuesve të koalicionit të sotëm për integrim, fitoi opozita, e cila me babëzi mbledh taksa vetëm për mirëqenien e individëve që erdhën në pushtet.
Pra, arsyet që erdha tek ju sot janë të shumta. Ndërkaq, kur vjen Kryeministri është një rast i mirë dhe për të qëmtuar disa iniciativa që këtu tashmë e kanë kaluar fazën e projektit pilot, të cilat meqënëse përputhen me prioritetin e zhvillimit perspektiv dhe të qëndrueshëm të vendit, duhen promovuar, falënderoj dhe mediat për këtë vëmendje, në sytë e të gjithëve në shkallë kombëtare. E kam fjalën vecanërisht, ashtu sic bëra pak javë më parë në komunën e Sukës në rrethin e Përmetit, për eksperiencën sipërmarrëse dhe produktive që ju krijoni me kulturën e ullirit, me kultivimin dhe përpunimin e tij dhe me bashkëpunimin jashtëzakonisht efikas me donatorët, organizatat dhe agjencitë ndërkombëtare të zhvillimit, fushë në të cilën po krijon modelin e parë në Shqipëri, me mbështetjen dhe në trasenë e projekteve të Organizatës Botërore të Bujqësisë dhe të Ushqimit, për ta risjellë në vendin që meriton dhe në prioritetin tradicional dhe perspektiv, kulturën e ullirit, këtë simbonl të paqes dhe të zhvillimit.
E pra nuk kemi nevojë për përralla nga e kaluara, për ullirin si e bukura e dheut, që Berisha vazhdon t'ua tregojë fatbardh pikaloshëve të vet. Sepse ky njeri nuk duhet të kujtojë se Vlora dhe njerëzit e saj, nënat shamizeza apo rinia e mrekullueshme, këta aktorë dhe protagonistë që janë bashkuar në solidaritet kundër tragjedive të së kaluarës, do të harrojnë jo vetëm viktimat që shkaktoi qeverisja dhe rregjimi i tij i mbrapshtë, por edhe masakrën në potencialet jetike të zhvillimit të vendit, sic ishte edhe masakra në ullinj, për rreth 300 mijë rrënjë që ishin në prodhim, të cilët u përdorën deri edhe për dru zjarri. Në tre vitet e fundit, kemi mbjellë dhe rikuperuar mbi 270 mijë fidanë ulliri dhe kjo bisedë zë vend këtu në Novoselë dhe në Llakatund, sepse ju jeni në pararojë të riaktivizimit të këtij zinxhiri agroushqimor me shumë rëndësi për të ardhmen e të gjithëve.
Ne, në dallim nga Berisha që e konceptonte qeverisjen si piramidë dhe abuzim me votën dhe pushtetin e sovranit për përfitime dhe ngopje urrejtjeje dhe babëzie të një grupi aventurierësh, si menaxhim dhe modernizim të vlerave që ju keni, ne mbështetemi te aftësitë tuaja për punë dhe sipërmarrje, ne bashkëpunojmë me dashuri me interesat tuaja për zhvillim. Ky realitet në komunën tuaj ka sjellë krijimin e 17 shoqatave të fermerëve, të cilat kanë në dispozicion dhe përdorin rreth 15 mijë rrënjë ullinj, fermerët dhe kultivuesit e të cilëve kualifikohen brenda dhe jashtë vendit, për të gjitha masat e teknologjisë agropërpunuese, që shkon deri tek përpunimi i vajit të ullirit të çertifikuar, sipas standarteve të Bashkimit Europian.
Unë jam këtu për të vazhduar ta nxisim këtë bashkëpunim për zhvillim, me projekte të FAO dhe investimet e qeverise, me financime të Bankës Boterore dhe sigurisht me të ardhurat e vet komunes që investohen, me investimet private dhe grantet e institucioneve te specializuara, sepse vetëm kështu do të vazhdojmë të konsolidojmë efektet e shkëlqyera që e bëjnë shumëdimensional dhe të qëndrueshëm zhvillimin rural te kesaj komune, duke bashkuar aftësitë për projektim me fondet publike dhe me investimet e kursimeve individuale, duke i mbështetur të gjitha këto në rritjen e kapaciteteve dhe të transparencës së administrimit publik të fondeve publike dhe të donatorëve që investohen në dobi tuaj.
Karakteristika themelore të një zhvillimi të qëndrueshëm që unë do të veçoja në vëmendjen e të gjithë opinionit publik shqiptar në komunën e Novoselës, është frenimi i braktisjes së shtëpive dhe pronave nga banorët vendas dhe fillimi i rikthimit të tyre tek trojet, toka, potencialet dhe shpresa e menaxhuar mirë. Do të flasin pas meje disa nga protagonistët e këtij zhvillimi dhe progresi për Novoselën do të na paraqesin elementët dhe komponentët themelor të ketij monogami zhvillues.
Pra, unë nuk jam këtu për të humbur kohë që të festojmë sukseset, por për t'i pergjithesuar eksperiencat që i kanë krijuar ato dhe për t'i vënë në themel të programeve të ardhshme të zhvillimit të gjithanshëm, por edhe rural të vendit, me ritmet që e sjellin edhe fshatin shqiptar në standartet e jetës dhe të sipërmarrjes së Europës ku po integrohemi. Kemi ende shumë rrugë për të bërë dhe prandaj nuk duhet të harrojmë se ku e nisëm para 8 vjetësh, prandaj shpresa dhe besimi janë instrumentat themelore të zhvillimit që ju përdorni, që kanë mposhtur lodhjen dhe vështirësitë dhe për këtë shkak ne do të vazhdojmë të jemi pranë cdo ferme, pranë cdo sipërmarrësi, pranë cdo administratori të zgjedhur prej jush, që bashkon interesat tuaja me programet tona qeverisëse, që bashkon kursimet tuaja me investimet dhe mbështetjen që siguron kjo qeveri progresiste nga partnerët e industrializuar të botës moderne ku po integrohemi.
Novosela perben një model të suksesit tone të përbashkët, të bashkëpunimit mes tre palëve, qeverisë qëndrore, qeverisjes vendore dhe donatorëve të agjencive ndërkombëtare të zhvillimit. Ky model suksesi është akoma më i rëndësishëm, sepse sjell realitetin e zhvillimit të integruar rural dhe urban, i cili po permiresohet me tej per t'u shtrire gradualisht ne te gjithe vendin.
Unë besoj se ju e keni ndier se sa shumëfishohet vlera e pronave, e kursimeve, e investimeve, e të ardhurave, e punës dhe e kapitaleve tuaja në këtë proces. Le të sjellim si shembull vetëm rritjen me disa herë të vlerës së truallit të tokës, mbi të cilin, për shkak të tapive të pronarit legjitim, qëndroni të ngulur fort për të siguruar jetën dhe të ardhmen tuaj. Pra Novosela është një dëshmi që kur zhvillimi rural programohet dhe zbatohet me projekte të integruara, e ardhmja është e qartë sepse investimet tuaja krijojnë produkte konkuruese që sjellin gjithmonë të ardhura. Këto të ardhura po sjellin edhe përmirësimin e gjithë infrastrukturës për një jetë normale dhe për zhvillim të integruar. Komuna juaj është sot ndër me te kompletuarat me rruge, ujesjellesa, shkolla dhe institucione te kujdesit shendetesor per 12 fshatrat qe ajo perfshin. Pavaresisht rritjes se panderprere te cmimit te trojeve apo të imobiliarit mbi të cilin investohet, ritmi i shlyerjes së investimit të lartë në komunën tuaj është elementi kryesor që vazhdon të tërheqë sipërmarrje dhe investitorë nga Vlora apo nga Fieri, në të gjithë hapësirën ekonomike të komunës së Novoselës.
Ka ardhur koha që ne të kalojmë së bashku në një projekt te ri te zhvillimit rural, të një ekonomie te re rurale qe i pershtatet dhe konkuron ne tregun kombetar, ne tregjet rajonale dhe ato globale, me produkte natyrore me shumë lëndë ushqyese, të cilat do të mbështesin natyrshëm edhe strategjitë e zhvillimit të turizmit dhe të zhvillimit të shërbimeve që kërkon tregu i turizmit jo vetëm në këtë treve, por dhe me rolin që merr Vlora në hapësirën mesdhetare si qytet dhe rajon industrial dhe turistik, komercial dhe konkurues. Prandaj më vjen mirë që sot si kryetari juaj i komunës, në Novoselë ka sipërmarrës të tjerë, të shumtë që ndjekin rrugën e tij, me produkte të reja, ku vaji i ullirit spikat dhe ka një vend të veçantë në programet tona perspektive edhe të eksportit. Ne synojmë që ta zhvillojmë këtë sektor me ide të qarta dhe në mbështetje financiare të sigurtë. Në të gjithë vendin sot kemi 3.6 milion rrënjë ullinj. Numrin më të madh syresh e kemi të përqëndruar në qarkun e Vlorës, 1.1 milion. Rendimenti që merret aktualisht në këtë fushë lëviz sipas viteve nga 8-10 kg. për rrënjë, që është 4 herë më e ulët se mesatarja e vendeve të tjera të mesdheut. Ullinjtë sot në Shqipëri janë në duart dhe pronësinë e 120 mijë fermerëve, të cilët ne e dimë, sepse e kemi studiuar, ende nuk i kanë mundësitë e plota për t'u kujdesur ndaj tij në mënyrë që ashtu si në traditën shekullore kjo pemë çudibërëse t'ua shpërblejë të gjithë kujdesin dhe shpenzimin.
Ne i kemi plotësisht të njohura dhe të programuara zgjidhjet e problemeve që stabilizojnë zhvillimin dhe prodhimin e ullirit, përpunimin dhe marketingun e tij. Elementet themelorë të këtij programi bashkëpunimi me ju janë mbrojtja e integruar e ullirit veçanërisht nga dy sëmundjet kryesore që sjellin cënimin e aftësive të tij prodhuese. Ne po krijojmë mundësi në kuadrin e asociimit më BE në një periudhë dy vjeçare që shteti të marrë përsipër trajtimin me preparatet përkatëse të gjithë zonës së ullirit në vend duke i goditur në mënyrë të përqëndruar dëmtuesit e ullirit në ajër.
Ne po studiojmë për të realizuar mundësinë e identifikimit të burimeve financiare që maksimumi në pranverën e viti 2006 kjo detyrë të futet në rrugën e zgjidhjes për së paku për 50% të sipërfaqes ku shtrihet zona e ullirit. Së dyti, me një plan tre vjeçar të studiuar mirë ne do të zgjidhim problemin e ujitjes së ullinjve për më shumë se 60% të blloqeve të mëdha. Ministria e Bujqësisë tashmë me fondet e akorduara nga Banka Botërore do të rehabilitojë sistemet e ujitjes. Ne po shikojmë dhe do t'i kërkojmë komunitetit dhe drejtuesve të tij edhe inisiativa për shpimin e më shumë puseve, duke i bërë pjesë të këtyre proceseve edhe shoqatat e fermerëve dhe të kultivimit të ullirit si përdoruese të ujit. Ka shumë përvoja që dëshmojnë se është më ekonomike të nxjerrësh ujë me shpim e të vaditësh me vetrrjedhje blloqet e ullinjve sesa të sjellësh ujë nga ana e anës.
Këtu në Novoselë dhe Llakatund, siç jam dhe unë në dijeni, ka shumë përparim edhe për pajisjen me mjetet e nevojshme që kërkon kultivimi i ullirit apo vjelja e tij. Në tregun e shumicës së vendeve të zhvilluara një gërshërë krasitje nuk kushton më shumë se 1.5 euro. Prandaj dhe Ministria e Bujqësisë më thotë se nuk e ka problem të gjejë burim financimi për 200 mijë gërshërë krasitje dhe për një kontigjent sharrash, pa të cilat nuk mund të kuptohet shërbimi ndaj drurit të ullirit në prodhim, pra edhe për këtë gjë nuk do ta lëmë të prishet jahnia për një kokërr qepë.
Drejtoritë rajonale të Bujqësisë këtu në Vlorë në të gjithë zonën e kultivimit të ullirit po nxiten të forcojnë bashkëpunimin me organet e qeverisjes vendore, pra me komunat për inventarizimin, matrikulimin dhe krijimin e kadastrave të ullirit për prodhimi cilësore sidomos në dobi të identifikimit të potencialeve të prodhimit të vajit. Instituti i ullirit që është këtu në Vlorë me Ministrinë e Bujqësisë duhet të dalë nga letargjia dhe të marrë masa që i gjithë ky proces matrikullimi për prodhim të përfundojë brenda vitit 2009.
Së katërti, vijmë tek momenti më vendimtar, lidhjen e prodhimit dhe përpunimit me tregun. Aktualisht kemi 52 fabrika të përpunimit të ulllirit, 14 nga të cilat janë financuar nga granti japonez. Këto fabrika aktualisht punojnë vetëm me ¼ e kapacitetit, çuditërisht për mungesën e lëndës së parë ullirit. Praktikisht përpunohen rreth 25 mijë ton dhe prej tyre sigurohen aktualisht rreth 4 mijë ton vaj. Objektivi ynë i programuar dhe i mbështetur në projekte dhe financime për t'u arritur është që në 4 vitet e ardhshme të dyfishojnë prodhimin e vajit dhe në 8 vjet të arrijnë një prodhim vaji prej 15 mijë ton, jo vetëm për nevojat e vendit por një pjesë e konsiderueshme edhe për tregjet e Europës. Ky objektiv nuk është i lehtë, është ambicioz, por na rezulton i arritshëm. Po studiojmë të gjithë zinxhirin e vjelje-përpunimit edhe të përmirësimit të cilësisë së vajit. Në këto kushte do t'i nxisim përpunuesit me kredi lehtësuese dhe të favorshëm që jo vetëm të investojnë për përmirësimin e teknologjisë për të arritur standartet e tregjeve të vendeve të BE-së, por edhe për të kthyer në priopritet sipërmarrës përpunimin dhe eksportin e ullinjve në një pjesë të mirë të fermave në shkallë vendi, në zonën e ullirit. Duke shfrytëzuar hapësirat e gjëra që siguron legjislacioni modern që kemi ndërtuar, i cili për linja të përbashkëta ambalazhi lejon mostatimin për 5 vjet, sipas dispozitave më të fundit, dhe do të vazhdojmë të synojmë dhe uljen e TVSH për vajin e ullirit në mënyrë që të bëhet më konkurues dhe më fitimprurës për kultivuesit dhe sipërmarrësit e këtij agrobiznesi.
Pra, mora disa elementë për të ilustruar sigurinë e kësaj sipërmarrjeje, që nga këtu shtrihet në një model konkurues në shkallë vendi për të thënë se shqiptarët nuk kanë nevojë t'i tallë askush. Nuk kanë nevojë të zëvendësojnë këtë traditë shekullore dhe këtë potencial me patatet me lesh të Zelandës së Re apo kivit, siç thotë Berisha.
Ne jemi këtu për të stabilizuar këto eksperienca në kushtet e ekonomisë së tregut dhe për të vazhduar sëbashku të krijojmë gjithnjë e më shumë hapësira për mirëqënie, punësim dhe fitim në kushtet e integrimit të ekonomisë shqiptare në Europën e Bashkuar.
Ju e njihni seriozitetin e angazhimeve të këtij koalicioni qeverisës prandaj jam i bindur se do të vazhdojmë sëbashku të punojmë edhe për shumë vite të tjera në dobinë tuaj, në dobinë e të gjithë Shqipërisë".