Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Asamblesë Popullore të Kinës, Wu Bangguo. Të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe KinÃ
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Asamblesë Popullore të Kinës, Wu Bangguo.
Të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kinës, duke theksuar se në kuadrin e ndryshimeve dhe zhvillimeve globale këto marrëdhënie karakterizohen nga vullneti i të dy palëve për thellimin e miqësisë tradicionale dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat.
"55-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona përbën pikën kulmore të marrëdhënieve dypalëshe të deritanishme, por duhet të shënojë gjithashtu pragun për marrëdhënieve më të forta, më të qëndrueshme, më cilësore në të ardhmen", u shpreh Kryeministri.
Z. Bangguo e vlerësoi vizitën e Kryeministrit shqiptar në Kinë si një mesazh politik me rëndësi për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe si një nxitje për bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjelltë, si në ekonomi, tregëti, zhvillimin e biznesit, etj.
Lidhur me bashkëpunimin parlamentar mes dy vendeve, Kryeministri Nano dhe Kryetari i Asamblesë Popullore të Kinës, duke evidentuar zhvillimin e pandërprerë të shkëmbimeve parlamentare, siguruan se ky raport ndërparlamentar do të njohë dimensione të reja në të ardhmen. Ata vlerësuan se edhe vizita e Kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, në Kinë kohët e fundit, i ka dhënë një shtysë të re bashkëpunimit dypalësh.
Në këtë funksion, të dy palët theksuan domosdoshmërinë për thellimin e bashkëpunimit midis dy parlamenteve në kuadër të komisioneve të veçanta dhe të grupeve parlamentare të miqësisë Shqipëri-Kinë dhe anasjelltas, sidomos mes komisioneve të politikës së jashtme, të ekonomisë, ligjeve, etj.
Kryetari i Asamblesë Popullore të Kinës ka vleresuar veçanërisht rolin e rëndësishëm që luan Shqipëria në Europën Juglindore dhe në rajonin e Ballkanit për stabilitetet, paqe dhe siguri. "Roli juaj - tha ai –, është i njohur dhe i vlerësuar në këtë aspekt edhe këtu në Kinë". Kryeiministri Nano e ka njohur z. Bangguo me hapat që po bën Shqipëria në funksion të integrimit rajonal dhe iniciativat që po ndërmerren në këtë drejtim.
Kryeministri Nano u shpreh se është i mirëpritur kontributi i Kinës si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së edhe për arritjen e standarteve dhe zgjidhjen e Statusit final të Kosovës.
Përsa u përket çështjeve ndërkombëtare, Kryeministri Nano vuri në dukje vlerësimin e Qeverisë Shqiptare për rolin dhe kontributin e Kinës, edhe si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, në luftën ndërkombëtare kundër terrorizmit, zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare, si dhe problemeve të tjera të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon e në botë.
Po sot, Kryeministri Nano ka zhvilluar një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar që jetojnë e punojnë në kryeqytetin kinez, Pekin, si dhe me studentë që vazhdojnë studimet në Universitetet e këtij vendi.