Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite një takim me Shoqatën e Kryetarëve të Bashkive të Shqipërisë, në kuadër të koordinimit të veprimeve institucionale për përgatitjet e zgjedhje
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite një takim me Shoqatën e Kryetarëve të Bashkive të Shqipërisë, në kuadër të koordinimit të veprimeve institucionale për përgatitjet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në vend. Në këtë takim merrnin pjesë, krahas kryetarit të Shoqatës së kryebashkiakëve, Edi Rama dhe kryebashkiakëve të tjerë, edhe Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Ben Blushi, si dhe Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi.
Në takimin e inicuar nga Kryeministri Nano u diskutua mbi hapat e realizuar deri tani për hartimin e listave të reja të zgjedhësve, problematikat e dala, si dhe koordinimin e punës mes institucioneve përgjegjëse, njësive të qeverisjes vendore, KQZ, etj. për hartimin, saktësimin dhe publikimin e këtyre listave, brenda afatit të duhur.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Nano u shpreh:
Ky është një takim përfaqësuesish të zgjedhur me votën e popullit, pra legjitim dhe të pakontestuar. Nuk besoj se ka detyrë më të rëndësishme sesa vazhdimi i reformës së decentralizimit, të kooordinohen veprimet për themelin e legjitimitetit të të gjithëve, të shtetit dhe të përfaqësuesve, themeli i cili po konsolidohet, po rindërtohet, bashkë me reformat institucionale që cojmë përpara sëbashku.
Është fjala për zgjedhjet, për këtë institucion të rëndësishëm i cili lejon të mbetet vital funksionimi i demokracisë në shoqërinë shqiptare dhe për pasoje edhe performanca e përfaqësuesve, kapicitetet e administrimit publik, të qeverisjes qendrore, apo të asaj vendore.
E iniciova këtë takim duke e llogaritur si të garantuar pjesëmarrjen tuaj, për shkak të pavarësisë institucionale dhe administrative që gëzoni dhe nevojës që në vazhdën e partneritetit që zhvilloni me qeverinë, të përqëndrojmë tani përpjekjet dhe veprimet për të shëndoshur listat e votuesve dhe adresarin e shtetasve. Duket se kjo mbetet një vatër për potencial gangrenash në shoqërinë shqiptare, sepse është një nga kontestet themelore te proceseve zgjedhore sa herë që ato bëhen.
Unë ju ftoj të bashkojmë forcat për ta pastruar këtë vatër kontestesh. Kjo është një punë komplekse në të cilën përfshihet dhe legjislativi dhe partitë politike dhe duket se ka ardhur koha që, duke koordinuar veprimet sipas ligjit, të japim një mësim serioziteti institucional gjithë të tjerëve. Unë besoj se askujt nuk i mungon ndërgjegjia politike dhe qytetare për ta dhënë këtë mësim.
Ne po ballafaqohemi me detyrën themelore të sigurimit të së drejtës së qytetarëve për të shprehur vullnetin zgjedhës nëpërmjet votës së lirë, e drejtë legjitime që buron nga Kushtetuta dhe që përcakton përtëritjen e pushteteve apo forcimin e institucioneve demokratike që ngrihen mbi zgjedhjet. Kjo nuk mund të ndodhë nëse ne vazhdojmë të kemi pasaktësi në listat zgjedhore, për shkak të të cilave zgjedhje pas zgjedhjesh, edhe në ato të fundit, u është mohuar mjaft qytetarëve e drejta për të votuar dhe pavarësisht se misionet e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe shoqatat e specializuara të vendit nuk kanë konstatuar manipulim me listat e votuesve për ndryshim rezultati, më pas ky kontest është kthyer në një sistem "bjell-manivel" që sjell hije dhe dyshime në procesin zgjedhor në Shqipëri. Nuk besoj se kjo është në leverdi të ndonjë pale.
Vendi, institucionet, ju dhe ne, jemi në vrullin e përgatitjeve të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2005. Unë jam këtu për t'ju garantuar se gjithë autoriteti që i jep ligji qeverisë do të përdoret në mbështetje të veprimeve që u jep autoritet ligji juve. Ne do të marrim tani dhe në kohën e duhur të gjitha masat për t'ju mbështetur në përmirësimin e listave zgjedhore, për të shmangur në maksimum dhe në kuptim të njëjtë me ju cdo anomali që u krijon pengesa qytetarëve për të votuar.
Jam këtu për t'u shprehur gatishmërinë e plotë të qeverisë për të plotësuar cdo detyrim që u siguron ju, autoriteteve vendore, si përgjegjëse të drejtëpërdrejta për hartimin e listave zgjedhore të plota dhe të sakta sipas ligjit, të gjitha kushtet ligjore, organizative, resurset financiare dhe materiale që ky proces të fshijë njëherë e përgjithmonë cdo pretendim për pasaktësi, nga debati publik apo nga ankesat e qytetarëve.
Ka një numër nismash të ndërmarra sidomos nga Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit që e mbështesin këtë proces dhe garantojnë rezultatin që kërkohet. Do të përmendja nismat për përmirësimin dhe sigurimin e çertifikatave që lëshojnë gjendjet civive, dinamizimin e procesit të informatizimit të zyrave dhe të pajisjes së shtetasve me Karta e Identitetit, ligjin e ri për adresat e qytetarëve, instrumente që vihen në shërbim të drejtëpërdrejtë edhe të procesit të hartimit të listave të sakta zgjedhore.
Unë dhe qeveria e kuptojmë saktësisht gamën e problemeve dhe veshtirësive që ka ky proces, sidomos në kushtet objektive që lidhen me lëvizjen e lirë dhe të pakontrolluar demografike, pra me faktin se rreth 30 perqind e shtetasve shqiptarë, gjithashtu banojnë apo punojnë jashtë vendit. Ne e dimë se jo pak prej tyre vijnë të votojnë në momentet e fundit dhe nuk kanë gjetur deri më sot kohën e nevojshme për të saktësuar numrin dhe pozicionin e tyre në intrastrukturën apo listat zgjedhore. Unë jam këtu për të ndarë me ju vullnetin dhe vendosmërinë e angazhimeve të plota për përpilimin e adresarëve sa më koherent në qytetet ku jeni zgjedhur për të drejtuar.
Dua t'i përshëndes me këtë rast autoritetet vendore të Bashkisë Tiranë dhe të njësive bashkiake përberëse të saj, Bashkitë e Elbasanit, Korcës, Vlorës, për punën seriose në këtë drejtim, si dhe të nxis të gjitha autoritet e tjera për një ritëm dhe intensitet më të lartë pune në zbatimin e gjithë detyrimit ligjor në afatet e kërkuara nga ligji që nuk shkojnë më larg se sa tremujori i parë i vitit që vjen.
Tani së fundi, në mbështetje dhe nxitje të këtij procesi të hartimit të listave zgjedhore, edhe ligjvënësit, pra Kuvendi i Shqipërisë, me procedurë të përshpejtuar, (siç vendosi dhe Byroja parlamentare të hënën e kaluar) do të shqyrtojnë dhe miratojnë një ligj të ri për verifikimin, identifikimin dhe regjistrimin e shtetasve në njësitë e qeverisjes vendore. Ky ligj i konsolidon skemat e koordinimit të veprimeve ligjore, mes autoriteteve qendrore dhe vendore, në funksion të kryerjes në kohën e duhur, në afatin e duhur, në mbështetje të kohës së zgjidhjes së të gjitha pretendimeve të shtetasve, të listave zgjedhore.
Unë jam i bindur se plotësimi në kohë i këtyre detyrimeve që burojnë dhe nga ky ligj që do të konsolidojë autoritetin tuaj dhe koordinimin me ne, do të çojë në hartimin e listave zgjedhore të pakontestueshme, shpresoj nga asnjë aktor zgjedhor. Ne duhet të heqim cdo kontest dhe argument ligjor, teknik, administrativ dhe praktik nga kontestet politike që natyrshëm shoqërojnë proceset dhe fushatat e zgjedhjeve. Me projektligjin e ri që konsolidon kuadrin e sotëm zgjerohen më tej kompetencat dhe detyrimet tuaja si autoritete vendore, me synim që në bashkëpunim me strukturat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të shmangen totalisht influencat politike në përgatitjen e listave dhe pastaj spekullimi politik paszgjedhor me listat për qëllime justifikimi të rezultatit të padëshiruar.
Autoritetet vendore të qeverisjes në bashki e komuna, sipas këtij kuadri ligjor të konsoliduar, i fitojnë të gjitha mundësitë që ta kryejnë me korrektësi këtë proces. Ligji ri nuk do të dojë shumë kohë për t'u miratuar dhe pavarësisht ndonjë ndryshimi të mundshëm që do të shkojë në sensin e konsolidimit, të integritetit të hartuesve të listave zgjedhore, ne të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për nevojat e kësaj pune përgatitore që lidhet me zbatimin e ligjit.
Unë kam urdhëruar Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit që në bashkëpunim me KQZ, (e përgëzoj këtë bashkëpunim të frytshëm që kanë vendosur), të intensifikojë punën për inspektim në njësitë e qeverisjes vendore për të evidentuar nevoja dhe mangësi, vecanërisht ato logjistike dhe të kapaciteteve njerëzore që duhen plotësuar, për të qenë krejtësisht të përgatitur në zbatimin e ligjit të ri të konsoliduar.
Më lejoni t'ju bëj dhe juve apel, si drejtues të qeverisjes vendore që të filloni një lëvizje në mbarë komunitetet që drejtoni, jo vetëm për t'i sensibilizuar në lidhje me këtë proces të rëndësishmë , por edhe për t'i aktivizuar që të bashkëpunojnë me ushtrimin vullnetar të detyrimit që u jep ligji dhe të të drejtave që u njeh Kushtetuta, për të korrektuar listat zgjedhore dhe për të garantuar ushtrimin e te drejtës së votës së lirë.
Unë besoj se të gjithë e dimë se ka një rëndësi të vecantë roli dhe përgjegjësia e Komisionit Qendor të Zgjedhjeve në këtë proces. Në nenin 43 të Kodit aktual Zgjedhor, i cili nuk besoj se nuk do të pësojë ndonjë ndryshim llogjik, thuhet shprehimisht se KQZ nxjerr akte nënligjore në zbatim të dispozitave të Kodit, për përgatitjen e e listave të zgjedhjësve dhe rregjistrit kombëtar të zgjedhësve. Thuhet gjithashtu se KQZ mbikqyr veprimtarinë e Organeve të qeverisjes vendore dhe të Komisjoneve zonale të qendrave të votimit gjatë procesit të hartimit, miratimit dhe shpalljes së listave të zgjedhësve.
Unë kam një preokupacion ligjor dhe politik si kryeministër për të nxitur kapërcimin e cdo ngadalësie në punën e cdo institucioni që merret me zgjedhjet. Unë dua ta ndaj këtë shqetësim edhe me kryetarin e KQZ-së dhe anëtarët që përbëjnë institucion për ngadalësi në punën për të identifikuar dhe klasifikuar anomalitë e shfaqura në lista zgjdhore të zgjedhjeve të fundit vendore, apo në përgatitjen e akteve të nevojshme nënligjore, që do të mënjanojnë përfundimisht difektet e konstatuara.
Gjithashtu ne jemi gati, të mbështesim KQZ-në në çdo nevojë që lidhet me përshpejtimin e trajnimit të nënpunësve vendorë për të shmangur përsëritjen e këtyre difekteve dhe për të negociuar me autoritetet vendore, që ky proces të nisë sa më parë që të jetë e mundur.
Më lejoni edhe një herë t'ju garantoj se qeveria është plotësisht e gatshme, me ligjin në fuqi apo përmirësimet e tij në ligjin e ri, të marrë të gjithë autoritetin mbështetës dhe t'ju garantojë realizimin në praktikë të mbështetjes së gjithanshme për hartimin, saktësimin dhe publikimin e listave zgjedhore, në dobi të cdo shtetasi të gatshëm për të ushtruar të drejtën e votës.
Më lejoni t'ju uroj punë të mbarë, me besimin se do ta kryeni këtë punë plotësisht në rregull dhe në kohën e duhur.