E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot paradite në inagurimin e linjës së re të prodhimit të tjegullave në Fabrikën Edil Centro, një bashkëpunim ky italo-shqiptar, i realizuar përmes një i

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot paradite në inagurimin e linjës së re të prodhimit të tjegullave në Fabrikën Edil Centro, një bashkëpunim ky italo-shqiptar, i realizuar përmes një investimi prej 7 milonë euro. Kryeministri Nano në këtë aktivitet shoqërohej nga Ministri i Industrisë, Viktor Doda, Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit Bashkim Fino, deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare, etj.

Në këtë aktivitet, në emër të Qeverisë Italiane, mori pjesë Ministri italian i Emigracionit, Mirko Tremaglia.

Kryeministri Nano dhe Ministri italian Tremaglia, pas prerjes së shiritit të inagurimit vizituan ambjentet e brendshme të kësaj linje të re prodhimi, e paisur me makineri dhe aparatura bashkëkohore. Kapaciteti i prodhimit të saj është gati 12 milionë tjegulla në vit dhe është e para e këtij lloji në Shqipëri. Përfaqësuesit e kësaj kompanie e njohën Kryeministrin Nano me faktin se ky prodhim do të mbulojë 80 % të nevojave të tregut të brendshëm si dhe shumë shpejt do të fillojë edhe eksporti i tyre në vendet fqinje.

Më pas, Kryeministri Nano dhe Ministri italian i Emigracionit Tremaglia zhvilluan një takim të veçantë, në të cilin u diskutua mbi çështje të bashkëpunimit dypalësh, të investimeve italiane në Shqipëri, të forcimit të marrëdhënieve, etj.

Kryeministri Nano vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë në të gjitha fushat, duke garantuar vazhdimin e vullnetit për forcimin e këtyre marrëdhënieve edhe në të ardhmen.
Ai theksoi se Qeveria Shqiptare inkurajon dhe mbështet investimet e huaja private në vend dhe ajo ka ndërrmarrë një sërë reformash për lehtësimin e procedurave administrative dhe bërjen sa më atraktive të resurseve që ofron ekonomia shqiptare, për sipërmarrjen vendase dhe të huaj, në funksion të krijimit të një baze të sigurtë në arritjen e standarteve integruese. Tashmë, tha kryeministri, "në marrëdhëniet tona ka vetëm vlera, të cilat çojnë drejt zhvillimit", ndërsa theksoi se janë lënë pas fenomenet e trafikut klandestin mes dy vendeve.

Nga ana e tij, ministri Tremaglia shprehu vlerësimet më të mira për progresin e deritanishëm të qeverisë shqiptare dhe rikonfirmoi dhe një herë angazhimin për bashkëpunim në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë. Falë kontributit tuaj, tha ministri italian, "marrëdhëniet mes dy vendeve janë në një pikë kulminante, si politike ashtu dhe ato ekonomike.Italia vlerëson kontributin tuaj në luftën kundër trafiqeve që i bëjnë kufijtë tanë dhe më të sigurtë". Ai garantoi se qeveria italiane do të vazhdojë të nxisë politika që integrojnë shqiptarët që janë vendosur në Itali.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›