Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite një takim me delegacionin e Reporterëve të Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i kryesuar nga z. Jerzy
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite një takim me delegacionin e Reporterëve të Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i kryesuar nga z. Jerzy Smorawinski.
Bashkëbiseduesit diskutuan mbi progresin e deritanishëm në përmbushjen e reformave integruese të vendit, progresin në fushën e përafrimit të legjislacionit vendas me atë të BE-së dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kryeministri Nano njohu veçanërisht Delegacionin e Monitoruesve të KE-së me ecurinë e reformës zgjedhore në vend dhe përgatitjet për zgjedhjet parlamentare. Z.Nano rikonfirmoi se standarti i zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë drejt integrimit në strukturat euroatlantike. "Ndaj jemi plotësisht të angazhuar për të zhvilluar zgjedhje të drejta dhe demokratike. Edhe, si lider i maxhorancës kam dhënë gjithmonë shëmbullin tim për njohjen e rezultatit të zgjedhjeve, sikurse edhe tani, dhe besoj se kjo është një gjë e rëndësihme edhe për faktorët e tjerë politikë", tha z.Nano.
Më tej, bashkëbiseduesit diskutuan për progresin e bërë nga institucionet shqiptare në drejtim të përmirësimit dhe përafrimit të legjislacionit shqiptar me standartet europiane, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë funksion, ata vlerësuan miratimin nga ana e Qeverisë Shqiptare të projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike, të projektligjit për përgjegjësinë penale të personave juridikë, etj. Kryeministri rikonfirmoi gjithashtu angazhimin e plotë të Qeverisë Shqiptare për plotësimin e të gjitha detyrimeve legjislative dhe administrative për të garantuar zbatimin me sukses të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit. Ndërsa Delegacioni i Reporterëve të KE-së rikonfirmoi vullnetin për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë dhe institucionet shqiptare edhe në të ardhmen.
Në këtë takim, bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi angazhimet e marra nga Qeveria Shqiptare në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Ata vlerësuan dhe inkurajuan hapat e bëra në krijimin e të gjitha hapësirave të nevojshme juridike dhe administrative në këtë drejtim.