E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite një vizitë në Qarkun e Dibrës, në fshatin Soric të Komunës Zalldardhë. Fillimisht z. Nano, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe Prefekti

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite një vizitë në Qarkun e Dibrës, në fshatin Soric të Komunës Zalldardhë.

Fillimisht z. Nano, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe Prefekti i Qarkut të Dibrës, u ndal për një vizitë ngushëllimi në familjen e Mehmet Canit, i cili së bashku me kushëririn e tij humbën jetën disa ditë më parë, si pasojë e një orteku dëbore.

Kryeministri Nano u shprehu të afërmve të viktimave ngushëllimet për humbjen njerëzve të tyre të dashur, "Kemi ardhur sot për t'ju ngushëlluar, për t'u njohur me ju, për të ndarë hallin me ju në këto ditë të vështira", theksoi Kryeministri. Gjithashtu, z. Nano dhe bashkëshortja e tij i kanë dhënë familjes Cani një kontribut personal financiar prej 100 mijë lekësh , si dhe disa ndihma të tjera në veshje dhe ushqime.

Të afërmit e familjes Cani falënderuan Kryeministrin për këtë vizitë, duke e konsideruar atë një shenjë mirënjohjeje dhe vëmendjeje ndaj tyre. Gjithashtu, ata vlerësuan ndihmën e dhënë nga strukturat qeveritare, duke nisur nga helikopterët, të cilët ndihmuan për nxjerrjen e trupave nga dëbora, si dhe mundësinë e krijuar nga organet e tjera shtetërore për t'u bërë viktimave nderet e fundit pranë familjeve.

Kryeministri Nano u interesua për problemet e kësaj zone dhe vështirësitë e hasura nga banorët për shkak të motit të keq, duke siguruar vëmendjen e vazhdueshme të Qeverisë, jo vetëm për lehtësimin dhe përballimin e situatës, por edhe për zhvillimin e gjithanshëm të zonave veriore. "Ngrica dhe dëbora vazhdon, por edhe ne, falë sakrificës së rreth 2000 burrave, do të vazhdojmë të hapim rrugë apo të ndihmojmë njerëz në fatkeqësi, njerëz që kanë nevojë për kujdes shëndetësor. Dua t'ju siguroj se kjo është politika e shtetit, për të mos ju lënë të izoluar, për të hapur rrugët përgjithmonë në këto zona", u shpreh Kryeministri.

Më tej, Kryeministri Nano diskutoi me drejtues të pushtetit vendor dhe Prefektin e Qarkut të Dibrës, z.Petrit Gjoni, mbi punën e bërë deri tani dhe masat që do të merren në vazhdim për situatën. Ai theksoi se "Qeveria do të vazhdojë të investojë në pikat më në nevojë të zonave të bllokuara nga dëbora dhe nga ngrica, me një operacion shumë të madh emergjence civile, që përfshin forca të ushtrisë, të rendit, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, të ndërmarrjeve të mëdha të naftës dhe energjitikës, ku mbi 200 mjete të rënda për hapjen e rrugëve dhe rreth 2000 njerëz civilë dhe me uniformë, janë në shërbim 24 orësh, për të lehtësuar komunikimin mes zonave".

Gjate bashkebisedimit me drejtuesit e pushtetit lokal të kësaj zone për planet afatmesme të Qeverisë për këtë pjesë të vendit, Kryeministri u shpreh se "prioritet i programuar mirë është ndërtimi i rrugëve që nuk mund të ndërpriten nga kushtet atmosferike të vështira të kësaj zone". Ai vuri në dukje se ka nisur projektimi i rrugës së Arbrit, që do ta kthejë praktikisht Dibrën në një periferi të metropolit kryeqytetas, ka nisur zbatimi i Marrëveshjeve të Tregëtisë së Lirë që do të mbështetet me disa pika të reja të kalimit kufitar dhe me fuqizimin e pikave të shkëmbimeve doganore midis Dibrës së Vogël dhe Dibrës së Madhe, si dhe vazhdon programi i konsolidimit të shërbimeve shëndetësore dhe të shkollave edhe për zonat kodrinore, malore, vecanërisht për verilindjen.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›